Fasha 800 KW ka kohë që është kthyer në arsye për të nxitur debate të forta politike. Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë për mbifaturim të energjisë. Po ashtu Berisha i tha se nuk duhet të luhet me Skavicën pasi do të përmbytet Dibra.
Kriza energjetike ishte tema e debatit të seancës plenare të kwsaj jave. Maxhoranca pranoi të fuste në rendin e ditës kërkesën e opozitës për të zhvilluar një mocion me debat për gjendjen energjetike ku akuzat ndërmjet palëve nuk munguan. Sali Berisha foli nga foltorja e Kuvendit për një skenar mbi faturimit të qytetarëve por që për ekzekutivin, ishin të pa vërteta. “Ju keni instaluar kohët e fundit një sistem vjedhje të qytetarëve në pallatet private të vjetra. OSHEE ka urdhëruar që t’u faturohet pallateve të vjetra pa ashensor, pa pompa uji, që kanë vetëm 5 llamba, ju u faturoni 600 kilovat në orë. Çdo familje duhet të paguajë vjedhjen tuaj. Dhe thoni se keni ulur humbjet”, u shpreh Berisha. Por ka qenë e menjëhershme edhe përgjigjia që ka kthyer ministra e Energjisë Belinda Balluku, e cila tha se: “Foli subkoshienca juaj. Ato që i keni bërë vetë mendoni se i bëjmë edhe ne”. Menaxhimi i rezervave hidrike ishte tjetër moment që përplasi kryedemokratin me numrin dy të qeverisë. Sipas Berishës, në kohën kur ishte kryeministër u firmosën për t’u ndërtuar mbi 400HEC-e, që për ekzekutivin janë të pasuksesshme përball projektit të Skavicës. “Janë investuar dhe ndërtuar nga ajo qeveri dhe në vazhdim nga sektorin provat për 432 hidrocentrale që të gjitha në teknologji. E treta harroje Skavicën. Kur të mbysësh ti Dibrën do të çohet Enver Hoxha dhe Beqir Balluku nga varri”, vijoi Berisha. Ministrja tha se se Skavica do të rindërtohet. “Skavica nuk do të ndërrohet. Skavica do të ndërtohet sepse është një projekt të cilin nuk e ka shpikur ai që dikur thoshte se ishte ëndrra, por është një projekt i cili është pjesë e kaskadës së Drinit”, u përgjigj Balluku. Por si çdo seancë plenare, niveli i debatit pati ulje ngritjet e tij. “Parat e dhëna nga taksapagueset për të paguar ju i bëni orgjira dhe vidhni në drejtime të tjera”, akuzoi Berisha. “Burrë plak tani flet për orgjitë i ka këto gjëra në kokë. Megjithatë unë do të flas për energjinë dhe jo për fantazitë tuaja seksuale”, përgjigjet Balluku. Kryeministri Rama, ndonëse kishte rezervuar 30 minuta kohë për veten në këtë debat parlament, nuk u paraqit në seancë.
Përplasja Balluku-Tabaku
Nga foltorja e parlamentit, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka arsyetuar vendimin e ERE-s për të shtyrë aplikimin e fashës prej 800 kw/orë për konsumatorët familjarë të vendosur gjatë muajit shtator. Balluku deklaroi se vendimi erdhi pas reshjeve të shiut, që përmirësuan situatën hidrike në hidrocentrale, si dhe uljen e konsumit nga qytetarët. Por, opozita kërkoi revokimin e këtij vendimi, duke arsyetuar se shqiptarët nuk mund të paguajnë më shumë në kohë krize. “Duke parë në datën 30 shtator që kishim 3 evente moti që përmirësuan me 2 m liqenin e Fierzës, sigurisht që pati përmirësim dhe duke pasur të dhënat se konsumi u ul, qeveria vendosi të mos aplikojë fashën në tetor dhe i çuam kërkesë ERE. Tani i kërkoni kryetarit të ERE përse pezulloi fashën. Nëse qeveria vendos të mbrojë qytetarin, çfarë jeni duke thënë?”, u shpreh Balluku. Ndërsa Tabaku u shpreh: “Në emër të PD-së i kam kërkuar ERE që mos ta shtyjë vendimin, por ta revokojë. Nuk është nder. I detyrohet qeveria konsumatorit që të japë llogari. Vetëm në dy operacione, Operatori ka humbur 16 milionë euro”.