-Rreth romanit “Kristos” të autorit Qazim Muska-
Nga Petraq Risto
Përfundova së lexuari romanin e autorit Qazim Muska të titulluar “Kristos”, publikuar nga shtëpia e njohur botuese “Toena”. Subjekti i romanit është i thjeshtë, thuajse gjithçka ndodh brenda një fshati diku në kufirin e sotëm Shqipëri – Greqi. Romani nis me një skenë të zakonshme në fillim të viteve nëntëdhjetë, me një grup emigrantësh shqiptarë që kalojnë ilegalisht kufirin. Mes tyre është personazhi kryesor i romanit, një fëmijë jetim, të cilit gjatë rrugës ia kthyen emrin nga Agim, në Kristos. Rrëfimi i tij është tepër mbresëlënës.
Qazim Muska është nga ata krijues që krahas poezisë, guxojnë e hidhen edhe në prozë. Ky është romani i tij i dytë. Shumë poetë e kërkojnë këtë përvojë, natyrisht kur e ndiejnë si thirrje të brendshme, kur kuptojnë se mjetet shprehëse të poezisë nuk e përballojnë dot lëndën që kanë përpara, pra, kërkojnë më shumë punë, vullnet, njohje konkrete të jetës dhe pasqyrim artistik të realiteteve.
“Tani vigjilonim me ankth dyfish: për patrullat dhe gjarpërinjtë… Dhe u bëra njësh me tokën, dhe s’po merrja frymë fare, dhe zemra po më rrihte aq fort sa frikesha mos m’i dëgjonin goditjet e saj. Dhe s’bëzaja. Nuk shihja asgjë nga aty ku isha strukur, përveç majës së një antene si të atij brumbullit lara – lara që kishte marrë pak më parë shokët e grupit tjetër, e cila shkonte sa andej këndej, sikur përgjonte strofullin tim. Dëgjova të bërtitura “stamata, stamata” dhe pastaj ca fjalë të tjera që nuk i kuptoja, dyert që u përplasën me forcë, një zhurmë përsëri si fishkëllimë a si uturimë, pashë majën e antenës që u përkul nga pas, sikur më thoshte “do të të gjejmë, s’ke ku shkon” dhe më pas heshtje. Heshtje që e nanuritnin me zell të madh cinxrat.”
Në këtë vepër jepen natyrshëm vështirësitë e kapërcimit ilegal të kufirit, e ndryshimit të emrave, apo konvertimit të fesë, lufta për mbijetesë, masakrat e vjetra e të reja, dashuria, zhgënjimi, apo falsiteti i ndonjë kleriku, të cilin e mundon demoni i mëkatit. Me ngjyra tepër të gjalla jepen dhe çastet intime, ndjenjat e thella të personazhit kryesor.
“Hodhi vështrimin në brendësi të portave, atje ku binte erë temjan dhe qiriri të djegur dhe ku mërmërima zhauritëse e fjalëve dilte të shuhej në ajri… Ajo u doli nxitimthi përpara, e gazmendur, e veshur me të bardha, hyjni e bukur. Zemra i rrahu fort. Si të bënte? T’i fliste? T’i dilte përpara dhe t’i thoshte kush ishte? A do ta kujtonte vallë? Apo e kishte harruar që ditën tjetër? Mos ishte veç një idil i çastit ajo që ndodhi atë ditë në bibliotekë dhe duhej ta harronte, t’i vinte zemrës një gur, t’ia mbyllte dritaret dhe dyert për një mashtrim të tillë?… Ndërkohë, e qeshura e saj u tkurr. Në detin e opaltë të syve lundroi një varkë habie, si e dalë prej një gjiri të fshehtë. Pastaj në çast ia dha të qeshurës, asaj të qeshurës çapkëne, me kukurimë tingëlluese, pa vrarë mendjen për gjindjen rreth e rrotull. Ai u lumturua.”
Gjithashtu, vizatimi i fshatit, kisha, lumi, veçanërisht “ura e vogël e bardhë si vezë pëllumbi” si simbolikë në atë zonë kufitare; rrëfimi plot dhembje dhe dashuri i Vasilit, por edhe i personazheve të tjerë, dialogjet e ngrohta, vatra familjare dhe bota çame, gjithçka rrëfehet thjeshtë, bukur, me ngjyresa dramatike dhe emocionale. Të duket sikur autori është përjetuesi real i shumë ngjarjeve që ndodhin në roman dhe veçanërisht historia e Agimit, e këtij Krishti të vogël që mban mbi shpinë kryqin e fatit të vet tronditës.
Qazim Muska është i pajisur mirë me armët që “ia ka falur” Poezia. Autori ka ditur ti hedhë supeve të prozës një mantel të mëndafshtë poetik. Kjo nuk e ka dëmtuar romanin, përkundrazi, i ka dhënë më shumë zhdërvjellëtsi, freski, gjithnjë duke ruajtur sensin e masës. Përgjithësisht prozatorët e mirë vijnë nga poezia dhe kanë sukses kur ruajnë ekuilibrin e duhur dhe e përdorin poezinë aq sa ia lejon logjika e prozës. Lirizmi, “marrëveshja” e situatave me natyrën, i ka dhënë gjuhës më shumë penelata akuareli.
“Hëna e plotë zbulonte gjithçka fshihte nata. Këqyrte malet përballë, pyjet që dukeshin si postiqe të murrme hedhur mbi ta, lumin që dredhonte luginës me pasqyrim të argjendtë, rrugën me asfalt si fashë metali, urën e bardhë si kokërr vezë, madje edhe rrapin e madh nën të cilin e pati zënë gjumi pas stërlodhjes prej rrugës së gjatë dhe të mundimshme ditën e mbërritjes.”
Shpesh gjuha rrëfimtare në vetën e parë, u ka falur personazheve më shumë ndjeshmëri, vërtetësi, intimitet, madje i ka bërë me të prekshme edhe skenat makabre. Narracionit gurgullues të romanit i shkon shumë rrëfimi i hapur, sinqeriteti i shpallur, fruti pa lëvozhgë. Personazhet vizatohen pastër, edhe pse në sfond kanë mjegullën.
Rastisi që pas përfundimit të romanit “Kristos”, mbrëmjeve vonë të dëgjoja në audio “Ujrat pranverore” të Turgenievit dhe s’di pse mu krijua ideja se hera-herës të dy rrëfimet kishin njëlloj ngjashmērie, jo në subjekt, po në gurgullimën poetike, në gjuhën e pasur romantike, apo në gjendjet shpesh ngashëryese që kanë këto dy romane të shkurtër.
“Lumi doli nga shtrati dhe u zbraz arave, rrugëve, shesheve, gjithkund. Toka u bë baltë e tëra dhe pemëve s’u mbeti emër gjethi nëpër degë. Tahir Nurin e zuri rrebeshi në Marandoi duke prerë dru. E la punën, i hipi kalit e kthehej revan për në shtëpi. Dhula ishte në arat tona, nja dyqind metra nga pas shtëpisë. Mblidhte bajame. Sa kishte nisur shiu rrëmbyeshëm ish nisur drejt shtëpisë edhe ajo. Te Përroi i Thatë…rrjedha e kishte marrë si një cingël dhe po e qorrolliste për tutje. Zoti i Madh i dha fatin të kalonte andej Tahir Nuri për të hedhur edhe ai matanë vaun. Aty pa Dhulën si një copëz druri që rrapullitej në ujë. U fut vrik kalëruar dhe e rrëmbeu nga thonjtë e vdekjes.”
Autori ka ditur që me një subjekt të thjeshtë të ngacmojë plagë të mëdha dhe të përcjellë te lexuesit emocione të thella. Që nga takimi i Kristos me papu Kostas, dhe deri te përfundimi grotesk e tepër domethënës i papu Kostas, (edhe pse duket si ‘Deus ex machina’, por tepër i justifikuar dhe simbolik në logjikën e rrëfimit), romani ka ngarkesa të veçanta emocionale, të ngjashme me gërvishtjen e plagës së freskët. Në udhën e leximit doja të dija më shumë për fatin e Kristos dhe të personazheve të tjerë, që autori i ka vizatuar bukur, duke u dhënë shpesh ngarkesa mitike, tragjike dhe ngjyresa poetike.
Qazim Muska rrëfen thjeshtë, qartë, natyrshëm, pa sforco, i sigurtë për zotërimin e lëndës së tij. Romani ka edhe skena tronditëse, ndonjëherë me horror të përligjur, për të treguar, qoftë dhe në një rast, masakrën dhe genocidin në historinë jo shumë të largët. Në vetë të parë është edhe rrëfimi i njërit prej vrasësve, Dimos Damara:
“Atëherë, hiii hiii. Megalo komandanti, megalo, hiii. Atëherë, ia rrëmbeu foshnjën gruas nga duart dhe, me një të rënë, ia hoqi kokën. Trupi iu plandos në dysheme, ndërsa kokën e mbante për flokësh në dorë. Gruaja ulëriti, por sakaq i ra të fikët. Burri u sul të zinte për gryke komandantin, por unë dhe Foti Bazaris i vumë bajonetën në gjoks, fëmijët e tjerë ranë mbi gruan dhe qanin pa zë, duke parë herë gjakun që pllakosi dyshemenë, herë trupin dhe kokën të ndarë veç e veç, dhe herë komandantin. Ai e hodhi kokën drejt oxhakut, e cila, pa ato klithmat cingëritëse tani, u rrokullis e për pak sa nuk ra në vatrën e ndezur. Tani keni mish plot, – tha komandanti. Hiii, hiii, megalo, ku i vajti mendja, hiii hiii…”
Ndonjëherë ndërfutja e psallmeve apo gjuha e ngjeshur origjinale me densitetin dhe mençurinë e psallmit, i japin prozës më shumë forcë mendimi.
Autori e njeh mirë mjedisin çam. Rrëfimi i Vasilit, (jeta dhe fati i tij gati i pabesueshëm) edhe pse tepër tronditës, ka një ngrohtësi gjer në përlotje.
“- Jemi shumë këtu, o djalth, jemi shumë! – tha. Zëri i mbartte një lloj dhimbjeje të fshehur. Djali nuk e kuptoi nëse ishte fjala për fshatin apo për Greqinë… – Të dua se jemi të një kallëpi. E kemi jetën të njësojtë. Jemi të mbushur me dhembuli. Edhe unë jam jetim, si ti.”
Dua ta uroj dhe njëherë Qazim Muskën për veprën që na ka dhënë. Gëzohem që ai krah poezisë, po vazhdon të merret me sukses edhe me prozën e gjatë.