Dymbëdhjetë anije të eksportit të grurit janë larguar nga Ukraina sot, pavarësisht se Rusia u tërhoq nga marrëveshja e drithit e ndërmjetësuar nga Turqia-OKB, sipas ministrit të infrastrukturës së Ukrainës.
“Sot 12 anije u larguan nga portet e Ukrainës. Delegacionet e OKB-së dhe Turqisë ofrojnë dhjetë ekipe inspektimi për të inspektuar 40 anije që synojnë të përmbushin nismën e grurit të Detit të Zi. Ky plan inspektimi është pranuar nga delegacioni ukrainas. Delegacioni rus është informuar”, tha Oleksandr Kubrakov.
Rusia u tërhoq nga marrëveshja e grurit duke sjellë shqetësime për krizën e urisë në botë.
Ekspertët kanë paralajmëruar se çmimet e drithërave do të rriten, ndërsa OKB, NATO e aleatë të tjerë perëndimor i kanë bërë thirrje Rusisë të rishikojë vendimin.