Kreu i qeverisë njoftoi se fermerët që nuk punojnë tokën rrezikojnë që tu vendoset taksë e lartë, si një formë nxitje që të shkojnë drejt prodhimit. Sipas tij, edhe pse në vend toka e punueshme është shtuar dyfish me disa vite më parë, sërish nuk është e mjaftueshme.
Qeveria do të ndëshkojë çdo fermer që nuk do të punojë tokën e tij. Kryeministri Edi Rama, gjatë takimi me fermerët e Korçës, bëri të qartë që ministrat kanë nisur punën për të rregulluar me ligj vendosjen e taksës për këdo që nuk e shfrytëzon pronën në fshat. “Ne jemi i vetmi vend në Evropë që nuk takson fermerin. As për tokën, as për ujin asgjë. Por paguani në bashki. Ato janë tarifa minimale. Gjëja që duhet bërë në këtë rast…dhe kur themi merrni niptin nuk e themi për taksa. Dhe tani që doli nevoja e patë vetë. Duhet nipti për të marrë naftën. Sot, Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore edhe pse ka akoma copëza. Për këto ne duhet të marrim disa masa të reja që po i përgatisim për një supertaksim të lënies së tokës djerrë. Nuk mund ta lësh tokën e bukës djerrë, jepe ta punojnë ose punojë vet. Në mënyrë që të shfrytëzojmë çdo metër tokë. Sot punohet dyfishi i tokës bujqësore. Si qenka kjo që bujqësia ka marrë të tatëpjetën?!”, u shpreh Rama.
Kryeministri duke folur me fermerët në Korçë ka prekur temën e hedhjes së mollëve në kanal përpara kamerave nga disa fermerë. Rama tha se janë vetë fermerët që duhet të organizohen për të krijuar më shumë mundësi dhe për të marrë më shumë fonde në bazë të aplikimeve. Kryeministri tha se shoqëria e fermerëve dhe bashkisë, është hapi i parë që ata të jenë të suksesshëm në treg. “S’doni ta quani kooperativë, vërini emrin Federata si ata në Elbasan që e bënë këtë për ullinjtë e janë në rregull. Pra koperativë, shoqëri, federatë, quajeni si të doni. Ata që hedhin mollën atje dhe ngrenë sytë nga qielli ti bëjnë pyetje vetes pse unë e hedh mollën dhe ai tjetri e eksporton. Çfarë ndryshon? Se është e njëjta zonë. Nëse bëhen bashkë atëherë askush nuk mbetet në rrugë të madhe dhe vlera e prodhimit shtohet. Ke fuqi negociuese në treg. Tjetër është të dalësh në treg me pesë kilogramë, tjetër me 500 kg. Është koperativë me bashkim forcash dhe interesash dhe jo të gjithë njësoj. Produkti ynë i përbashkët ka vlerë më të lartë”, tha Rama.