Masivet me gështenja në Tropojë do të jenë të mbrojtura.
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e pranishme në takimin që zhvilloi sot në Tropojë kryeministri Edi Rama me fermerë të zonës, tha se “masivi i gështenjave në Tropojë ka nevojë për investim, për sa i takon mbrojtjes dhe ruajtjes nga fenomenet klimaterike që gjithnjë e më shumë na sjellin dëme në këtë pasuri natyrore”.
Ministrja u shpreh se ka nisur prej dy vitesh në Reç të Malësisë së Madhe, lufta biologjike për mbrojtjen e gështenjës nga parazitët, në një sipërfaqe shumë më të vogël seç është kjo në Tropojë, dhe rezultatet kanë qenë shumë pozitive. Sipërfaqet me gështenja janë ruajtur dhe rivitalizuar.
“Ne do të shikojmë mundësinë për të filluar të njëjtën praktikë edhe këtu në masivin e gështenjës në Tropojë, me qëllim që ta ruajmë dhe ta vëmë më shumë në funksion të zhvillimit të ekonomisë lokale këtë pasuri natyrore”, deklaroi ministrja, teksa shtoi se, kultura e gështenjës është aset i rëndësishëm i sektorit të bujqësisë dhe qëllimi i qeverisë është rritja e prodhimit dhe e të ardhurave të fermerëve që punojnë me këtë produkt.
Krifca tha se mbrojtja e gështenjës nga insektet është direktivë e Komunitetit Evropian që detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse.
Gështenjat e vendit tonë dhe mjalti që prodhohet prej tyre njihen për vlerat e rralla kurative dhe kërkesat e larta nga tregu brenda e jashtë vendit, që kanë shtuar të ardhurat e familjeve në zonat më veriore të vendit.
Duke u ndalur tek prodhimi i mjaltit që është një tjetër aset në gamën e produkteve të rëndësishme të zonës, ministrja informoi se në Tropojë janë rreth 150 bletarë që kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga skemat e mbështetjes.
Ajo solli në vëmendje se në tetor të vitit 2021, mori iniciativën për krijimin e një ligji të parë për bletarinë që do ti ndihmojë këto sipërmarrje në ruajtjen e traditës së prodhimit të mjaltit dhe është vlerë e shtuar për ekonominë lokale.
“Ne kemi punuar më shumë se një vit për hartimin e projektligjit të ri për Bletarinë. Pas diskutimit edhe me grupet e interesit, këtë javë do ta çojmë ligjin në qeveri për miratim. Brenda vitit e çojmë edhe në parlament dhe do të kemi ligjin e Bletarisë”, deklaroi Krifca.