Ish-kryeministri Sali Berisha e ka përmendur edhe dje protestën e opozitës në ditën kur në Tiranë do të mblidhet Samiti i BE-së. Berisha tha se ndaj ndërkombëtarëve do të jemi mikpritës, ndërsa ndaj Ramës armiqësor.
Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, ka sugjeruar në mbledhjen e kryesisë së partisë që protesta e radhës e opozitës të mbahet më 6 dhjetor, në ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së. “Ne mirëpresim dhe konsiderojmë nderim të veçantë për kombin shqiptar, ardhjen e kryetarëve të shteteve të Bashkimit Europian. Protesta jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet e shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike europiane janë të pavdekshme. Në këtë kontekst, ftoj që ta marrin këtë protestë si një akt mikpritje ndaj tyre dhe pa diskutim armiqësor, flagrant të hapur armiqësor kundër Edi Ramës, i cili me aferat e tij turpëron lirinë, pluralizmin, transparencën e çdo gjë tjetër”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike. Protesta e fundit e opozitës u mbajt të shtunën e javës së kaluar, më 12 nëntor, ku veç Partisë Demokratike, mori pjesë edhe Partia e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë si ngjarjen më të madhe në histori të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Reagimi i PS
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka ironizuar kreu e PD Sali Berisha. Balla ka publikuar një foto nga takimi i kreut të PD ku edhe në një moment u përfshi në një incident, pasi u rrëzua. Balla thotë se kreu i PD po i shërben lojës së Putinit. Ndërsa i ndalur edhe tek data e radhës e protestës së paralajmëruar nga Berisha, 6 dhjetor të këtij viti, Balla shprehet se po e thërret këtë protestë kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor. “Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Këtë rregull kurrë nuk e ka shkel askush në Shqipëri. Ne kemi shkruar historinë tonë me kodin tonë të mikpritjes. Por tradhëtari dhe turpi i çdo vlere shqiptare Sali Berisha do të presë në besë shqiptarët më datë 6 Dhjetor 2022, duke thyer çdo normë, me kanun e kode shqiptari. Nuk e ka herën e parë që e bën. Sali Berisha thërret protestë kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor, thërret njerëzit e tij të turpërojnë Shqipërinë. Sali Berisha thërret protestë në ditën e dasmës më të bukur të ribashkimit me Europën. A ka ndokush më pikëpyetje për kë punon Sali Berisha?! O vëllezër e motra ky tradhëtar ka thirrë protestë kundër Bashkimit Europian. Ky tradhëtar po i shërben lojës së Vladimir Putinit kundër Bashkimit Europian”, është shprehur Balla në llogarinë e tij.