Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, kanë zhvilluar ditën e djeshme një takim, në fokus të së cilit ka qenë marrëdhënia mes 2 vendeve si edhe mënyrat për ta përforcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Në këtë takim temë kryesore ka qenë edhe çështja e vijimit të Reformës në Drejtësi, zgjedhja e kreut të ri të SPAK dhe shqetësimi për ndërhyrjet e politikës në këto institucione të pavarura.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim të panjoftuar më herët, këtë të hënë, me kryeministrin Edi Rama. Është Ambasada e SHBA ajo që zbardh takimin mes Ramës dhe Kim, e cila është në përfundim të mandatit të saj diplomatik në Shqipëri. Arsyeja e takimit mund të ketë qenë dhe Reforma ne Drejtësi dhe zgjedhja e kreut të ri të SPAK. “Në këtë kontekst, ata diskutuan arritjet, si dhe sfidat, në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ata ishin në një mendje se është kritike që institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre Ambasadorja Kim i përcolli përgëzime të ngrohta Kryeministrit për mikpritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vërejtur se është hera e parë që një samit i tillë është zhvilluar jashtë Brukselit. Ajo ritheksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosmërisht integrimin e plotë të Shqipërisë si anëtare e BE-së. Ambasadorja Kim dhe Kryeministri Rama pohuan se, teksa mbyllim vitin që shënon 100 vjet nga vendosja fillestare e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, partneriteti ynë është më i fortë se kurrë”, bën me dije ambasada e SHBA. Sipas Ambasadës, Kim dhe Rama diskutuan për një sërë çështjesh, rajonale, globale por edhe në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA. “Ambasadorja Kim u takua me Kryeministrin Rama më 12 dhjetor për të rishikuar arritjet në marrëdhënien SHBA-Shqipëri gjatë vitit 2022 dhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit gjatë vitit 2023. Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësinë dhe kontributet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të parë të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Roli i Shqipërisë në KSKB ka qenë me rëndësi kritike për çështje të rëndësishme globale, përfshi mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit nga Rusia”, thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane. Rama dhe Kim diskutuan edhe për Reformën në Drejtësi, një çështje që është aulduar në media si shkak i përplasjes mes qeverisë dhe ambasadores amerikane, për shkak të “preferencave” në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. “Ambasadorja Kim njohu kontributet e Shqipërisë në integrimin dhe stabilitetin rajonal, përfshi gjatë thirrjeve të Shqipërisë për vetëpërmbajtje në veriun e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe kërcënimet për dhunë dhe kanosje, si dhe shprehën mbështetje të plotë për KFOR-in dhe EULEX-in. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nxitur palët që të punojnë brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që përbëjnë shqetësim. Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar më tej mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, përfshi aftësitë dhe kontributet ushtarake në rritje të Shqipërisë si aleate në NATO. Ambasadorja riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë përballë sulmeve kibernetike të Iranit”, thuhet në deklaratë.