Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kolonjë. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë gjahu (çifte) dy kuaj të njërit prej agrobizneseve në zonë.
Pronarët e agroturizmit kanë kërkuar nga institucionet përkatëse të zbardhin dhe dënojnë ngjarjen, ndërkohë që ende nuk dihet në qoftë se ngjarjen e kanë shkaktuar gjahtarë të zonës apo ka qenë e qëllimshme.
“Është qëlluar me çifte mbrëmë. E kanë qëlluar 3 herë. Nuk ka bërë asnjëherë vaki në zonën tonë të vriten kuajt. Mund të them se e kemi edhe për gjynah të vrasim kuajt. Është e tmerrshme”, shprehet pronarja e agrobiznesit.
“Kalin tonë Balashin, e vranë në zonën e Shelegurit me çifte persona që nuk e dinë çfarë është dashuria për kafshët, dhimbja për ne është e pa imagjinueshme. Kemi vite që me shumë sakrifica, me shpirt nëpër dhëmbë, mundohemi ta zhvillojmë turizmin, të sjellim mijëra miq në këtë zonë të bukur, por dhe pothuajse të braktisur. Me qëllimin e vetëm për të ndërtuar një jetë për familjen tonë dhe për të frenuar sadopak shpopullimin e këtyre vendeve të mrekullueshme. Po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë, por ne nuk dorëzohemi kurrë. I lutemi organeve përkatëse ta zbardhin dhe dënojnë ngjarjen, por edhe juve miq të na bashkoheni, sepse kjo ngjarje kërkon dënim dhe nga opinioni publik”, shkruan agrobiznesi për ngjarjen në rrjetet sociale.
Disa pamje nga kali i vrarë: