Agim Qirjaqi, aktori elegant i skenës së rëndë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në kastin e aktorëve potencialë ai ishte ndër më elegantët. Në skenën e madhe të interpretimit, fuqia e tij goditëse kishte gjithashtu një finesë të pamasë. Dhe kjo e bënte të rrallë. Ishte cilësuar si aktor poliedrik. E thoshin se po aq kishte një sjellje aristokratësh, në skenë dhe në përditshmërinë e tij.

-Si mund të qëndrosh brenda i mbyllur kur jashtë është kaq bukur. Tamam si në përrallat e Andersenit. Nuk kam parë kurrë një pamje të tillë. Kudo bardhësi. Bile ja se ç’po shkruaj:

Pishëzë gazmore në bregun atje tej

T’i zbardhi qerpikët dëbora e re

Pishëzë gazmore vellon hedhur ke,

miliona flutura të bardha bien mbi dhe.

Është Agim Qirjaqi. Me rolin e mësuesit, Gëzimit, në një rreth të largët, që shumëkush e thërriste profesor, ishte dhe roli i tij i parë në kinema. Kështu mjeshtri i regjisurës Viktor Gjika i kishte hapur dyert e karrierës në vitin 1974 me filmin “Rrugë të Bardha”. Dhe dy vite më pas po i njëjti regjisor do t’i ofronte rolin e Aretos tek filmi “Përballimi”.

-Sot nuk po ju kuptoj shoku Miti, kjo që thoni ju është e tmerrshme. Kohë të vështira po jetojmë shoku Miti, kohë të mëdha.

Roli brilant i drejtor Luixhit të jetimores, tek filmi “Lulëkuqet mbi mure” konfirmoi elegancën e tij jo vetëm para telespektatorëve, por edhe për mjeshtrin tjetër të regjisurës Dhimitër Anagnostin, i cili i kishte besuar këtë rol kaq potencial. Rol i cili në Festivalin e II të Filmit të vitit 1977 i dha çmimin e parë.

-Zonjusha Valandri nuk është fort e kënaqur nga ju për herën që shkoi. Tregohuni të sjellshëm dhe mos e mërzisni. Aq më tepër që zonjusha i do shumë fëmijët. Në mënyrë të veçantë ju që jeni jetimë. Ankesa mos të ketë më! Kush të bëjë zhurmë të dënohet! Bela, mund të filloni. Kur të mbaroni dalim bashkë, ju pres.

Gjithçka do të përsëritej kur do të merrte rolin e një oficeri nazist tek filmi “Dimri i Fundit”, dhe akoma më shumë si shkrimtari Adrian tek “Radiostacioni” i regjisorit Rikard Ljarja:

-Shiko një pamje kurioze. Është regjenca. Katër-çerek mbretër. Pamje apokaliptike, apo jo?! Janë po ata të ftuar të përjetshëm. Duket sikur kanë ardhur po tek e njëjta darkë që ka 2000 vjet që ka filluar, që nga koha e darkës së konsullit romak, Paulus Emilius. Ai ka qenë pushtuesi i parë i Shqipërisë atëherë. Darkë shumëvjeçare.

Në vitin 1983 Agim Qirjaqi sërish do të interpretonte në një nga rolet emblematik të tij, atë të profesor Janit në filmin “Apasionata” me regji të Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitros.

-Mirën nuk e ke te pianoja, e ke lart, pozon për Gurin. Dëgjo Artur, u thuaj të mos rrinë më tepër, nuk është mirë.

Në jetëshkrimin zyrtar të tij thuhet se karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, në vitin 1973, fill pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më pas punon si regjisor në Televizion, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma. Por kishte përvojë si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Në vitin 1989 largohet për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler në Teatrin “Pikolo” të Milanos dhe pastaj në Teatrin “Elizeo” të Romës.

Lexo edhe :  “Trimat”, këta meshkuj që nuk jetojnë gjatë

Ndonëse interpretonte në teatër dhe film, ai ishte gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit në vitin 1992 dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.

Ndërkohë në rolet kyç si aktor teatri ai do të kulmonte jo vetëm si mbreti Rikard në “Rikardi III” i Shekspirit, por dhe me interpretimin e Sër Endriu Eguç, në komedinë “Nata e 12” po e Shekspirit.

-Çdo t’i punoj unë atij, çdo t’i punoj unë atij. Sa për të sharë nuk ma kalon njeri. Jam mjeshtër i vërtet: zuzar, thatim, kaqol…

Në vitin 1996 regjisori Kujtim Çashku i besoi rolin e ushtarakut drejtues të bunkerizimit në filmin “Kolonel Bunker”.

-Dua të vallëzoj deri natën vonë. Unë jam gjeneral, a më kupton? Nuk jam kavje eksperimentale.

Ndërsa në vitin 1998 sërish do të merrte një tjetër rol ikonik, atë të avokatit tek “Dasma e Sakos”, me regji të Vladimir Priftit.

-Ti Penelopë e Odisesë dhe ti Ante, biri i tokës…, Shekspir…, Molier. I thashë të gjitha. Tani jam i qetë. Unë jam vetëm një karagjoz Alush Bej.

Dhe nuk po ndalemi më tek rolet si Drejtori i Shkollës në filmin “Parullat”, dhe te ballisti Ethem në filmin “I dashur Armik”, të dy filma të regjisorit Gjergj Xhuvani. Por filmografia e tij është më e gjatë se kaq, dhe rolet në teatër ia dyfishojnë gamën.

Në anën akademike në vitin 1996 Agim Qirjaqi mori titullin “Asistent Profesor”. Ndërsa nga ana administrative në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Por Agim Qirjaqi ishte një aktor në thelbin e tij. Ai u lind në Kolonjë, në 27 janar të vitin 1950. Vdiq në Tiranë më 28 mars të vitit 2010. Vetëm gjashtëdhjetë ditë mungesë që të mund të quhej 60 vjeç fiks. Prej kohësh ishte i sëmurë dhe vuante fatin e tij. Ishte i parapëlqyeri i regjisorëve, por thuhet se në fund të gjithë e braktisën dhe e lanë në vetmi.

Sot, rolet e interpretuara prej tij e bëjnë atë të pavdekshëm.

Të fundit

“Ishte turp ta kërkonim në emisione”/ Gazetarja tregon bisedën me familjaren e këngëtares

Në një intervistë televizive, gazetarja Dasara Karaiskaj ka ndarë një bisedë të veçantë me vajzën e tezes së Parashqevi...

Kryeministri i Belgjikës: BE, i vetmi partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian është “partneri i vetëm i besueshëm dhe i palëkundur” për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri belg Alexander De Croo në Bruksel...

Rihanna harron që është Rihanna përballë Mariah Carey/Momenti viral kur i kërkon autograf

Mariah Carey ka një numër të madh fansash në gjithë botën dhe mes tyre duket se bën pjesë edhe Rihanna. Gjatë një performance të...

Mandarinat me mbetje pesticidesh kthehen mbrasht nga BE/ Reagon ministria e Bujqësië

Ministria e Bujqësisë ka reaguar lidhur me ngarkesat me mandarina me origjinë Shqipërinë dhe që janë kthyer mbrapsht nga vendet e BE-së për shkak se kanë rezultuar me...

Këlliçi me demokratët në Vorë/Në 23 dhjetor do t’i dërgojmë mesazh të qartë kryeministrit

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, ka bërë thirrje në rrjetet sociale për qytetarët e Tiranës të bashkohen me opozitën në protestën...

Lajme të tjera

Web TV