Anton Harapi u lind në Shkodër, i pagëzuar me emrin Gaspër më 5 janar 1888 dhe vdiq në Tiranë, 20 shkurt 1946. Ishte frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar.
Qysh në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun, qenë të thirrur nga rruga e kishtarisë. Hyri në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore dhe la vëllanë që ndjeu thirrjen nga petku jezuit, më tej nxuri klasët e gjimnazit të ulët në kolegjin e françeskanëve.
Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasët e epërta në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, dhe vijoi studimet teologjike në Romë. Mbi mbrujtjen e tij Dom K. Prennushi e vlerësonte: “… mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillt disa janë kryvepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem, dallojn gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt e i pafajshem”
Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malaziase e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Kemal bej Vlorës, në mungesë morën sivëllaun e tij françeskan P. David Pepën.
Më 1916 në Dukagjin ra kolera, P. Antoni vajti si shërbetor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës. Dy vitet e fundme të Luftës së Parë Botërore e gjeti famullitar në Grudë të Malcís së Madhe. Organizon menjëherë tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh dhe ua uli parinë në Shkodër që t’i dorëzonin memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin 1918, komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me Gurakuqin dhe Fishtën, hartoi peticionin e nënshkruar nga paria e 200 përfaqësuesve të tre bajrakëve të lartpërmendur, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të ShBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur:
“Hot e Grudë ishin betue
Pa gjak malet mos me i l’shue…”
Në mars-prill të 1923 merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të rinjtë E. Koliqi dhe Z. Harapi, të shoqërisë “Rozafa” dhe “Bogdani” gjegjësisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, qe bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë.
“Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë”, dëshmon nxënësi i tij P. Zef Pllumi.
Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e qershorit, me fitoren e Legalitetit më dt. 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për do kohë[6]. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”, siç kishte shkruar gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe më tej tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë vitit 1936 do të dërgohej në Korçë i kërkuar nga intelektualët e atij qyteti tek P. Fishta, si i njohur që ishte në shkallë kombëtare për shprehinë e tij të zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë dhe atdhetarisë. Më 1937 kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë.
Pushtimi italian
Me pushtimin e italianëve paria e Shkodrës ngarkon Gjon Marka Gjonin që të shkonte të bisedonte me kontin Çiano më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes qe Patër Antoni. Bisedime të cilat nuk kaluan pa tension mes parisë së Shkodrës dhe pritësve italian. Si njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës “Pavarsín e Shqipnís, flamurin, gjuhën, shkollat…”.Në prill të 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretnuer dhe më 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhrit Françeskan në Shqipëri.
Me kapitullimin e Italisë Mehdi bej Frashëri i paraqet propozimin për t’u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte boshllëkun qeverisës të lënë. Fillimisht nuk pranon duke qenë e papërputhshme me të qenët e tij klerik, ngase një zyrë e tillë mund ta çonte në firmosjen e dënimeve me vdekje dhe se nuk mund të pranonte pa lejen e eprorëve. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje Át Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.
Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, u shpreh: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te kujtimet e tij me vlerësim të madh për personin e P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të 1944 kur Nojbaher i hipi avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe Át Antoni që i thotë se “nuk mund ta duronte më politikën” dhe vajti me të. Pas disa javësh qëndrim në Vjenë e Tirol, kthehet në Shqipëri.
Dënimi me vdekje
Me marrjen e kryeqytetit nga ana e komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, L. Nosin shkojnë në Shkodër dhe bujnë për do ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi.
Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur, ngase qe diktuar prej objekteve që patën pa grupi i kontrollit.
Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, P. Antoni është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.
Radio Vatikani
Në një shkrim kushtuar Anton Harapit, në faqet online të “vaticannews.va” shkruhet:
At Anton Harapi mund të themi se ishte teolog, filozof, sociolog dhe prozator, autor i një “Lahute Malcie” në prozë, “Andrra e Pretashit”, që teksa shpalon virtyte shqiptare, i bashkëngjit dhe ato gjuhësore, që do të përthellohen te “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”.
Problemet dhe mënyra se si ky françeskan i madh i shtron, stili i vrullshëm, etika e lartë evropiane, apeli për një rimëkëmbje të vlerave shpirtërore, kulturore, kombëtare të breznive, të kombit e të unitetit, edhe sot e kësaj dite i japin vlerë aktuale, madje do të shërbenim si një program themelor për të gjithë.
Kur Atë Anton Harapin e çonin drejt pushkatimit, nuk binte asnjë kambanë e Kishave ku ai kishte kremtuan Meshën e Shenjtë e predikuar Fjalën jetëdhënëse të Zotit, ndërsa udhës ai kujdesej që zhguni rregulltar e meshtarak që bante, të mos i bëhej me baltë, në shenjë të qëndresës së tij besnike, në mbrojtje të idealit për Fe e Atdhè, deri në fund.
– Po ti baltë do të bëhesh, – i tha oficeri komunist i pushkatimit.
– Por të shkoj te Zoti, te vdekja ime, sa më i pastër, sikur isha gjatë jetës, – u përgjigj Frati i Shenjtë, atë Anton Harapi.
Atë Anton Harapi u pushkatua barbarisht me fjalët e Krishtit në gojë: “Fali o Zot se nuk dijnë çka bajnë”, “Rrnoft Krishti Mbret!”, “Rrnoft Shqipnia edhe pa ne!”.
Vepra
I nxitur siç qe kleri për mbledhjen e folklorit dhe vendosjen në hulli të trashëgimisë së urtisë zakonore në krejt gjerësinë e vet, edhe P. Antoni gjatë kohës kur shërbeu si famullitar në Grudë mori shënime rreth ndodhive, të cilat u botuan tek e përkohshmja françeskane “Hylli i Dritës” ndër vitet 1933-’35 me titullin Urtí e burrní nder banorë të Cemit. Prej mbrujtjes me edukatë austriake që përftoi, i jepte shumë rëndësi të posaçme pedagogjisë, dhe prejse tekstet apostafat për këtë lëmë nuk qenë shqipëruar ende, atëherë më 1925 boton përkthimin e “Edukata a se mirërritja e fëmivet” të Anton Herget. Ligjëratat e mbajtura në gjashtë konferenca në Korçë botohen po ashtu si libërth më 1936 me titullin “Vlerë shpirtërore” dhe u ribotua më 1942. Rikthehet me prozën e tij psikologjike më 1939 me “Valë mbi valë”, ku përshkruhet rrugëtimi i tij drejt Grudës. Emri i tij përmendet në historinë e letërsisë shqipe tek vëllimi “Shkrimtarë shqiptarë” të 1941 të përpiluar nga Resuli e Gurakuqi.
Me marrjen e pushtetit nga partizanët dhe pushkatimin e tij, vepra e një personi që mbante etiketën e kuislingut nuk pau dritën e botimit në Shqipëri gjatë kohëzgjatjes së atij regjimi. Komiteti “Shqipëria e Lirë” thërret si përgjegjës për kulturën P. Daniel Gjeçajn dhe i jep detyrë të botojë publicistikën e P. Antonit, gjë që arrihet më 1959 me vëllimin nën titullin “Andrra e Prêtashit” në Romë më 1959, më tej u ribotua edhe publicistika që rrëfente e përshkruante udhëtimin për në Grudë me titullin “Valë mbi valë” më 1994.