Nga Andreas DUSHI
Është botuar në Kinë poezia e shkrimtarit tonë Visar Zhiti, një përmbledhje e gjerë, e titulluar “Duke mbledhur dritë”, botim i shtëpisë botuese kineze, “The Earth Culture Press”, 2023.
Libri është në dy gjuhë, në anglisht dhe në atë kineze, përmledh poezi që përfshijnë tre kohë të jetës së autorit.
Poezi nga koha e parë, që u bënë shkak që Visar Zhiti në moshë të re të arrestohej me akuzën për ekuivoke dhe metafora të papranueshme për Realizmin Socialist, trishtim dhe hermetizëm, prandaj dhe e dënuan me 10 vjet burg; koha e dytë përmbledh poezi të shkruara fshehurazi në atë burg…
Poezitë e këtyre dy kohëve janë përkthyer nga shqipja në anglisht prej albanalogut të shquar, kanadezit Robert Elsie, ndërsa nga anglishtja në gjuhën kineze i përktheu Cheng Yanjun.
Koha e tretë përmbledh disa nga krijimet e tij më të vona, të shkruara, kur vendi nuk ishte më nën diktaturë, por i hapur dhe ato janë vazhdim i lirisë së brendshme të autorit, të asaj lirie që të jep poezia.
Poezitë e kohës së tretë i përktheu nga shqipja në anglisht poetja dhe përkthyesja Ani Gjika, me banim në SHBA, ndërsa nga anglishtja në gjuhën kineze i ka përkthyer Guo Xiaoqian.
Sipas poetit poezia ngjan me dritën, prandaj dhe libri ka atë titull si biblik, të mbledhësh dritë.
Përmbledhja bën pjesë në “Serinë e Librit të Poetëve Botërorë” (Book Series of the World Poets”, të drejtuar nga Editori Arthur Zhang dhe është pritur mjaft lart.
RRETH AUTORIT shkruhet:
Visar Zhiti është një nga poetët më popullorë të Shqipërisë së sotme… Jeta dhe vepra e të cilit mbase janë pasqyra më e mirë e kombit të tij. Ai është njëri nga ata që vuajti persekutimin e tmerrshëm pa ndonjë arsye të dukshme. Visar Zhiti mbijetoi, – fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht…”
Librat e Visar Zhitit janë botuar dhe në vende të tjera dhe poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë…
“RRUGA E MËNDAFSHIT” PËR POEZINË…
Pyetja 1: Libri i sapobotuar në kinezisht përfshin thuajse gjithë vitet e krijimtarisë tënde. Një gjuhë aq e madhe, me të cilën na ka lidhur dikur miqësia e famshme por jetëshkurtër, miqësi mall kinez. Por më bën shumë përshtypje një fakt për të cilin e dua mendimin tënd. Si është e mundur që në këtë libër ka edhe poezi për Kosovën, për aq kohë sa Kina nuk e njeh si shtet? Ka qenë përzgjedhja jote t’i paraqiten këto poezi lexuesit kinez apo e përkthyesve?
Visar ZHITI: Është një arritje e përbashkët, do të thosha, e autorit, e përkthyesve, e botuesit, duke patur si fillesë dërguesin e librit në Kinë, pra, si të thuash e korrierit poetik, që është një poet nga Kosova, Jeton Kelmendi. Të mos njohësh një shtet është tjetër gjë, punë e përkohëshme shtetesh, që nuk do të thotë se nuk e njeh atë popull, fatin e tij dhe poezinë.
Përkthyesi i parë i poezive të mia në anglisht, albanalogu Robert Elsie zgjodhi dhe temën e Kosovës, dramacitetin e saj për librin tim, që botoi në SHBA, që në vitin 2005 dhe dy përkthyesit kinezë, që punuan mbi këtë libër, duke i parë si poezi të dhimbjes njerëzore të vuajtjes së një populli, nuk i kanë shmangur, po kështu dhe botuesi kinez, madje ka lënë dhe shënimet përkatëse, edhe në pasthënien pa emër, duke i bërë të qarta për lexuesin pushtimin dhe shtypjen, duke shpjeguar deri edhe burgun e poetes dhe mjekes Flora Brovina në njërën nga poezitë e mia.
Janë qendrime emocionale, ndjesi të njëjta kudo ku ka njerëz. Përdorimet politike janë të ndryshme. Shoqata e shkrimtarëve kinezë dhe shtëpia e tyre botuese, kjo që sapo nxori librin tim, është e njohur dhe universitare, me mëndje të hapura dhe me politika kulturore, që Shfrytëzojnë çdo mundësi në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Edhe me poezi.
Siç duket realiteti letrar jo vetëm që është tjetër dhe më siperan, por dhe paraprin. Gjithsesi janë akte shpirtërore, që i ngjajnë mjekimeve të plagëve, ku mënjanimi nuk ka kuptim.
Realitetet e tjera, të përditëshme dhe të pafundme, po veçoj nga ato të marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve, tregtinë, udhëtimet, etj., dhe nga ato më të sofistikuarat, si diplomacia dhe politika, deri tek më e egra e saj, lufta, që është katastrofale, kalojmë te paqja, ringritjet, etj., s’bëjnë gjë tjetër, por, sado e pabesueshme të duket, ndjekin… poezinë. Kumtet e saj profetike. Frojdi thoshte diçka shumë të lartë, kudo ku kam shkuar, kam gjetur një poet para meje.
Rruga e Mëndafshit, e lashtë dhe e famshme, që lidhte në krye të herës Mesdheun me Azinë Lindore, nuk shërbente vetëm për mallrat, por dhe për idetë dhe religjionet, pse jo dhe për kontrabandën e poezisë.
Pyetja 2: Po për poezitë e burgut që përbëjnë një pjesë të mirë të këtij botimi, ç’mendon? Kina, me disa nobelistë e shkrimtarë me famë ndërkombëtare, i mirëpret këto poezi të shkruara edhe kundër asaj fryme që u nxit prej ‘Revolucionit Kulturor Kinez’?
Visar Zhiti: Libri im, i sapo dalë në Kinë, është një lloj antologjie, e larmishme në tema, por mbase si qendër të rëndesës, a njërën nga ato siç janë dashuria apo kthimet, megjithëse e gjithë poezia e botës është dashuri dhe kthim tek vetja për tek tjetri, pra si tematikë në poezinë time është, po aq sa liria, e fortë dhe mungesa e saj, në rastin ekstrem burgu.
Që të shkruaja për burgun, nuk ishte zgjedhja ime ashtu siç nuk kisha zgjedhur si vend për të shkruar burgun. Është punë e të tjerëve, meritë e djallit, e atyre që më dënuan, ku të fundit ishin gjykatësit, se e para ishte ideologjia që sundonte, diktatura e saj, pastaj ishin ata që e prinin, e zbatonin dhe e mbështesnin, jo vetëm komisarët, policët dhe operativët e Sigurimit të Shtetit, në rastin tim, që më vunë prangat ndër duar, por dhe provokatorët, denoncuesit, akt-ekspertizuesit, që ishin dhe shkrimtarë, edhe poetë.
Të shkruarit në burg nuk ishte dëshira ime, por nevoja për mbijetesë, ishte formë e qendresës ndaj vuajtjeve të skajshme deri në torture dhe poshtërimit të përditshëm, ishte dhe një mbrojtje e vetë poezisë për të cilën më dënuan, së pari atë dënuan, poezinë time dhe unë nuk duhej ta braktisja, siç braktisnin gruan, burrin, prindin, vëllanë, mikun, shokun, fqinjin, kur i futnin nëpër burgje.
Edhe në pasthënien e librit, “Duke mbledhur dritë”, për të cilin po flasim, shkruhet se ai: “mbijetoi, – fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht…”, pra dhe në Kinën e lashtë dhe të përvuajtur, me poetë të mëdhenj, s’kishte si të mos e pranonin këtë emocion të shndërruar në poezi.
Mbase ngjan prapë me befasi tjetër, çudia e dytë e librit, por Kina e ka lënë shumë pas revolucionin absurd, të ashtuquajtur kulturor, antikulturor në fakt, se ishte një masakër ndaj kulturës. Kina e madhe sa një kontinent ka marrë një zhvillim të paparë ekonomik e teknologjik, me ndryshime sociale në lidhje me kapitalin, etj., duke konkuruar si superfuqi tjetër e botës, por nuk është as kompetenca ime dhe fusha ime ta shpjegoj këtë.
Çudia e vërtetë imja është që vendi im ka ende mbetje nga Revolucioni Kulturor Kinez, që duke e përdorur poezinë ende si fletë-rrufetë e atëhershme, me atë mllef dhe smirë, nuk pranojnë tjetër veç narcizimit të tyre dhe i hakërrohen apo duan ta harrojnë atë poezi që erdhi nga burgjet dhe internimet duke e parë jo si dëshmi dhe pasurim, por sfidë inatçore ndaj tyre, duke arritur në kinezërira kësisoj, që të çmojnë më shumë poezinë që s’u bë nga ajo që u bë, fjala është për në burg, duke mos thënë asgjë kundër burgut dhe atyre që fusnin nëpër burgje. Ndërkaq deri në Kinë arrijnë vlerësimet ndaj asaj që në Shqipëri ka bashkatdhetarë që duan ta zhbëjnë.
“Çdo letërsi është një akt rezistence”, kam lexuar. Sigurisht botuesi kinez i ka lënë në libër poezitë e burgut tim dhe si një akt nderimi ndaj vuajtjes njerëzore, sakrifices supreme dhe si kujtesë për ata shkrimtarë dhe intelektualë të dënuar në Kinë. PEN Clubi Italian, anëtar i të cilit jam, citonte një raport të PEN-it Amerikan të para 2-3 vjetëve, që 73 shkrimtarë ishin në burgjet kineze, 17 poetë, ou, Shqipëria e vogël me Enverin ia kalonte, po them disa nga emrat e cituar: Xu Lin, Wang Yi… pastor kristian…… Zhu Yufu, dënuar për një poezi: Kina na përket të gjithëve, shkruante ai, është koha të zgjedhim të ardhmen… Nobelisti për Paqen Liu Xiaobo vdiq në burg para 5 vjetësh. Yang Lian, poeti modern, që pas revoluconit kulturor e kishin flakur në kampet e punës, shkruante: Më jepni vetëm një frymëmarrje dhe unë do të hedh rrënjë…
Në Shqipërinë tonë duket se nuk duan rrënjë të njeriut, por gjethe lavdie dafinash artificiale për ballet e ngushta…
Poezia, e kujdo qoftë, është një frymëmarrje më shumë për të gjithë.
Pyetja 3: “Mbledhja e dritës”, libri që porsa doli në Kinë… vitin e shkuar u botua në Itali romani “Rrugët e ferrit”, përkthyer nga prof. Mandala… para pak kohësh në Rumani, “Flatra e mundur” dhe “Funerali i pafundmë”, të përkthyera nga prof. Topçiu… në Serbi “Shiu i fytyrës time”, përkthyer nga Dr. Smaka. Letërsia jote mund të jetë shkruar në të shkuarën, por ka një veçanti: i flet së ardhmes! Dhe e mëson kohën si të mospërsërisë vetveten. Visar, ke frikë mos ndoshta edhe me këto dëshmi, koha prap rrezikon ta bëjë këtë, të rilindë copa-copa spazmazh nga periudha e saj më e palavdishme?
Visar ZHITI: Mbase pikërisht nga ajo që kemi frikë, nga ai shkak shkruhet poezia dhe bëhet letërsi, do të thosha. Unë nuk kam frikë për çfarë shkruaj, unë kam frikë nga ajo se si shkruaj, e kam thënë. Letërsia sipas meje ka gjithmonë kohë të tashme, që është ajo e leximit dhe s’ka rëndësi se kur është shkruar dhe ku. Lavdia dhe moslavdia e periudhave, por dhe e librave, janë dukuri jashtletrare dhe unë dua të pohoj atë që ti e the aq dhimbshëm, se letërsia vërtet duhet “të rilindë copa-copa spazmash”, duhet të ketë atë fuqi, madje edhe atë mision, të të shqetësojë, spazma nervash, qendrimesh, ëndrrash dhe dëshirash, etj., por duke qenë së pari dhe së fundmi letërsi.
Nuk kam ç’shtoj tjetër për atë që e sintetizove qartë dhe bukur, veçse duke e përgjithësuar se letërsia e mëson kohën të mos përsërisë vetveten dhe i flet së ardhmes. Kur një letërsi ia del ta bëjë këtë, ajo është me fat.