Márquez, një ndër përfaqësuesit më të njohur të realizimit magjik, lindi në Arakataka të Kolumbisë, nga Luisa Santiaga Márquez dhe Gabriel Elijio García. (Çertifikata e lindjes nuk është lëshuar në kohën e lindjes së tij, dhe disa burime pretendojnë se viti i tij i lindjes është në fakt 1928-a). Më i madhi i dymbëdhjetë fëmijëve, i riu Garcia jetoi pjesën më të madhe të fëmijërisë me gjyshërit e tij të nënës, duke dëgjuar histori të shumta fantastike nga gjyshja Tranquilina Iguarán, dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija. Aty ai dëgjoi mbi historinë e masakrës së plantacioneve të bananeve, ku u vranë mbi 100 njerëz, dhe që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga gjyshi, mësoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe, protagonist i Luftës së Njëmijë Ditëve (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë. Më 1935-ën, gjyshi vdiq dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të djaloshit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hoze. Më 1942 tranferohet në Zipakira për të përfunduar gjimnazin. Në moshën 20 vjeçare fiton të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotas, në degën e jurisprudencës. I mërzitur me jetën frenetike të kryeqytetit kolumbian, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet. Megjithë pasionin e madh për librat Márquez ishte një nga ata që e vuanin situatën e vështirë që po kalonte vendi.
Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si dhuna 3-ditore në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e kryeministrit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”. Pak pak mujash rrikthehet sërish në Barrankija, ku u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbëhej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación” (Kapitullimi i tretë). Më 1952-in, përfundoi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (Gjethurinat), dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh, merr përgjigjen negative, dhe sugjerimin se duhej të merrej me çdo gjë përveçse me letërsi. Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez, u bë në një hark kohor mjaft të shkurtër një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Në to trajtoheshin problemet sociale, dhe sidomos trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti mbështetjen e popullit, por provokoi politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin.
Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si korrespondent për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit të gazetës që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Europë, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apulejo Mendoza.
Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, Márquez shkoi në SHBA, për t’u vendosur më pas në Venezuelë. Vepra e tij e realizmit magjik, kombinon aq bukur tregimin konvencional me fantazinë e gjallë. Romani i tij “Cien años de soledad” (Njëqind vjet vetmi) dhe “El amor en los tiempos del cólera (Dashuri në kohën e kolerës) tërhoqën vëmendjen në mbarë botën duke u shitën në dhjetëra miliona kopje. Marquez fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 1982.
Shkrimtari, u diagnostikua me kancer në fund të viteve 1990 dhe, siç raportohet nga vëllai i tij, nisi të kishte edhe probleme mendore. Gabriel García Marquez vdiq në Mexico City më 17 prill 2014 në moshën 87 vjeçare.
Gabriel García Márquez, në Kolumbi lind shkrimtari i famshëm i realizimit magjik
113 563 lexime