Të ndërtojmë ura bashkimi në PD, e jo mure ndarëse
Nga Erald Shulla
Po e nis me një shprehje të sekretares së shtetit znj.Condoleezza Rice, e cila po më kujtohet për shkrimin dhe çështjen që dua të flas, por edhe si një personalitet shumë i dashur që ka kontribuar shumë për shqiptarët, si në Shqipëri edhe në Kosovë. Sekretarja Rice thotë: “Që të bashkohemi kemi nevojë për një armik të përbashkët”. Demokratët sot e prej 18 vitesh kanë të njetin kundërshtar apo “armik” të përbashkët politik, kryeministrin e vendit z.Rama. I cili ka krijuar pothuajse mitin e të pamposhturit në zgjedhje. E kjo është një arsye shumë e fortë, për të gjitha palët brenda PD-së, të ngrejnë ura bashkimi e jo mure të tjera ndarëse. Është koha dhe momenti që të luftohet për të fituar zgjedhjet lokale, e jo për t’i humbur. Por reagimi pas vendimit të gjykatës nuk ishte aspak bashkues, nga ana e liderit historik të demokratëve z.Berisha. Ajo që u la të nënkuptohej ishte dalja me në zgjedhje me siglën e aleatit të z.Berisha, me siglën e Partisë Lirisë atë të z.Meta, i cili ndoshta mezi e pret ta shoh partinë e tij pas rikthimit në krye të saj të renditet e dyta në zgjedhje apo diku edhe para. Por Sali Berisha nëse ikën nga PD-ja tek PL-ja, është një hap i sigurt drejtë përçarjes së madhe të Partisë Demokratike. Ai nëse e bën këtë hap nuk ka asnjë alibi të justifikueshme për të drejtuar gishtin nesër e të tregojë humbësit apo shkaktarët e humbjes. Sepse ai do të jetë me dashje apo jo, një nga kontributorët e mëdhenj të rezultatit në zgjedhjet e 14 majit. Po pse Berisha duhet të ndjeki këtë rrugë? Kur ka sot mundësin të mos mendohet dy herë e ti shërbej bashkimit të demokratëve në të gjithë Shqipërinë! Të pranojë ofertën për kordinim të përbashkët në zgjedhjet lokale të 14 majit, të cilën e ka mbi tryezë dhe mos ta mbaj ofertën në sirtar. PD-ja duhet patjetër të jetë një dhe jo disa. Disa PD nuk i shërbejnë askujt…
Oferta e sinqertë e drejtuesit aktual të PD-së z.Enkelejd Alibeaj drejtuar grupit të “Rithemelimit” për bashkëpunim pas vendimit të gjykatës duhet pranuar nëse grupi i “Rithemelimit” dëshiron të bëjë vërtet ato që thotë, pra të luftojnë bashkarisht Edi Ramën. Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022 na treguan që ndarja është fatale për demokratët, zgjedhjet lokale nuk janë për të treguar forcën kush është më i forti brenda kampit opozitar, por zgjedhjet janë një mundësi për t’i ofruar qytetarëve një alternativë ndryshe, më të mirë nga ajo që kanë sot. Prandaj pa humbur kohë nuk duhet kurrsesi të ripërsërisin dhe ta bëjnë 14 majin si 6 marsin. Ka hapësira shumë të mira për tu ulur dhe bashkëpunuar, si Rithemelimi po edhe pjesa tjetër kanë figura shumë të mira për t’i ofruar qytetarëve si drejtues bashkishë. Unë e kam parë dhe analizuar, demokratët në bazë nuk kanë ndasi, ata ndahen nga lart si pjesë të një torte që luftohen nga disa duar për tu gllabëruar për interesa të liderve. Po kjo papërgjegjëshmëri politike t’i ndash demokratët për interesa dhe justifikime banale. Dhe kjo më shtyn të mendoj që shpesh zgjidhen rrugët më të vështira, ato përçarëse, e jo ato më të lehta bashkueset. Më e lehtë është t’i japësh dorën dikujt se të boksosh me atë. Rruga që unë sugjeroj për demokratët është qëndrojnë bashkë, nuk kanë asnjë arsye për të shkuar për interesin e askujt si jabanxhinj në parti tjetër. Demokratët kanë shtepinë e tyre politike, me histori, suksese, fitore, deshtime edhe humbje. Pavarësisht kush vulos sot, ai që duan apo jo, pak rëndësi ka, ajo që është e rëndësishme është të jenë bashkë si e vetmja mundësi për të fituar. Arsyeja për tu bashkuar dhe fituar është më e rëndësishme se shumë arsyet që sollën përçarjen. Statuti e ka të caktuar, si i Rithemelimit dhe ai i Bashës, kur kryetari jep dorëheqjen partia shkon në zgjedhje. Pas zgjedhjeve lokale le të mendohen e të zgjidhin problemet e brendshme. Por, nëse Berisha bën hap për të dalë me kandidatë nën siglën e PL-së kjo do jetë një goditje për opozitën dhe jo mazhorancën. “Çdo forcë është e dobët, për sa kohë nuk është e bashkuar”, ka thënë Jean de la Fontaine. Edhe PD-ja nëse nuk do jetë e bashkuar do jetë një forcë edhe më e dobët se në 6 mars.