“Papa Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në orën 21. 37 minuta, në apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Ndërroi jetë pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit. Pasi u dha lajmi për vdekjen e Papës Wojtila, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim prekës. Pastaj të gjitha kambanat e Kishave të Romës ranë përnjëherësh përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit” Kështu shkruhet në faqene Radio Vatikanit, në 15-vjetorin e kalimit në Amshim të Papës Shën Gjon Palit II…
…Gjon Pali II, Papa që udhëtoi më shumë nëpër botë dhe i pari jo-italian që mbajti atë post që nga shekulli XVI-të, vdes në shtëpinë e tij në Vatikan. Gjashtë ditë më vonë, dy milionë njerëz mbushën Vatikanin për funeralin e tij, që llogaritet të jetë më i madhi në histori.
Gjon Pali II lindi si Karol Jozef Vojtila në Vadovice, 35 milje në jugperëndim të Krakovës në Poloni në vitin 1920. Pasi përfundoi shkollën e mesme, Papa i ardhshëm u regjistrua në Universitetin Jagiellonian të Krakovës, ku studioi filozofi dhe letërsi, dhe u u angazhua në një grup amator teatri.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët pushtuan Krakovën dhe e mbyllën universitetin, duke e detyruar Vojtilan të punojë në një gurore, dhe më vonë në një fabrikë kimike. Deri në vitin 1941, nëna, babai dhe vëllai i tij i vetëm kishin vdekur, duke e lënë atë si anëtarin e vetëm të mbijetuar të familjes.
Edhe pse Vojtila ishte përfshirë në aktivitetet kishtare që në vogëli, vetëm në vitin 1942 nisi studimet për t’u bërë prift. Kur përfundoi lufta, ai u rikthye në Universitet për të studiuar teologji, ndërsa u shugurua prift në vitin 1946. Mbrojti dy doktoratura, dhe u bë profesor i teologjisë morale dhe etikës sociale.
Më 4 korrik 1958, në moshën 38 vjeçare, emërohet ndihmës i peshkopit të Krakovës nga Papa Piu XII. Më vonë emërohet kryepeshkop i qytetit, ku foli shpesh për lirinë fetare, ndërsa kisha filloi Këshillin e Dytë të Vatikanit, i cili do të revoluciononte katolicizmin. Vojtila u bë kardinal në vitin 1967, duke marrë përsipër sfidat e jetesës dhe të punës si një klerik katolik në Europën Lindore komuniste.
I pyetur në një rast nëse kishte frikë nga ndëshkimi nga udhëheqësit komunistë, ai u përgjigj: “Unë nuk kam frikë nga ata. Ata kanë frikë nga unë!”. Vojtila ndërtoi me qetësi dhe gradualisht reputacionin e një predikuesi të fuqishëm, dhe atë të një njeriu me intelekt dhe karizëm të madhe. Megjithatë kur vdiq në vitin 1978 Papa Gjon Pali I, pas një drejtimi vetëm 34-ditor të papatit, shumë pak njerëz menduan se Vojtila kishte shanse të zgjidhej për ta zëvendësuar atë. Por, pas 7 raunde votimi, Kolegji i Shenjtë i Kardinalëve zgjodhi pikërisht 58-vjeçarin në krye te kishës katolike, dhe ai u bë papa i parë sllav dhe më i riu në moshë në 132 vitet e fundit.
Papati i Gjon Palit II u karakterizua nga konservatorizmi, nga kundërshtimi i tij i fortë dhe i palëkundur ndaj komunizmit dhe luftës, si dhe ndaj abortit, kontracepsionit, dënimit me vdekje dhe marrëdhënieve midis homoseksualëve. Ai shprehu me vonë qëndrime kundër eutanazisë, klonimit njerëzor, dhe kërkimit mbi qelizat staminale.
Papa Gjon Pali II, udhëtoi në shumë vende, duke përdorur të 8 gjuhët e huaja që fliste (polonisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht, spanjisht, portugalisht dhe latinisht) si dhe hijeshinë e tij të njohur personale për t’u lidhur me besimtarët katolikë.
Më 13 maj 1981, Papa bie pre e një atentati në Sheshin e Shën Pjetrit nga ekstremisti politik turk, Mehmet Ali Agça, ku mbeti fatmirësisht i plagosur. Pasi doli nga spitali, Papa e vizitoi Agça në burg, ku ky sapo ishte dënuar me burgim të përjetshëm, dhe e fali personalisht për aktin e tij.
Vitin e ardhshëm, pati një tjetër atentat të pasuksesshëm kundër Papës, këtë herë nga një prift fanatik i cili kundërshtonte reformat e Vatikanit. Edhe pse nuk u konfirmua nga Vatikani deri në vitin 2003, shumë njerëz besojnë se Papa Gjon Pali II nisi të vuante nga sëmundja e Parkinsonit që në fillim të viteve 1990.
Ai nisi të fliste më ngadalë, dhe qëndronte me vështirësi në këmbë, megjithëse vazhdoi të mbante njëjtin itinerar udhëtimesh. Por vitet e fundit, ai u detyrua të delegonte shumë nga detyrat e tij zyrtare, edhe pse gjente ende forcë për t’u folur besimtarëve nga një dritare në Vatikan. Në shkurt 2005, Papa u shtrua në spital me ndërlikime shëndetësore për shkak të një viroze gripale, ndërsa ndërroi jetë 2 muaj më vonë.
Papa Gjon Pali II, mbahet mend për përpjekjet e tij të suksesshme për t’i dhënë fund komunizmit, për ndërtimin e urave të komunikimit me popujt e besimeve të tjera, si dhe për ndjesën e parë zyrtare të Kishës Katolike për veprimet e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u pasua në këtë detyrë nga kardinali Jozef Ratzinger, i cili u bë Papa Benedikti XVI.
Mrekullitë
Papa Benedikti XVI shenjtëroi paraardhësin e tij
Më 14 janar 2011, Papa Benedikti XVI nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u shpall i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, i kryesuar nga Benedikti XVI. Ishte e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Wojtila e për mbarë popullin polak. Sigurisht ky lajm, që mori menjëherë dhenë, e vuri edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Wojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e Parkinsonit.
Më 14 janar 2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Wojtila). Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit 2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe në dioqeza të tjera. Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike. Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit. Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar.
Më 19 dhjetor 2009 Papa Benedikti XVI autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga sëmundja e Parkinsonit.
Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht. Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.
Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa Françesku. Kisha katolike, sipas kalendarit liturgjik, e kremton festën liturgjike të Papës Shën Gjon Pali II më 22 tetor.