Letra për Ramiz Alinë: “Pashkët në Dropull s’u festuan, por grekërit provokuan me…”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Letra për Ramiz Alinë: “Pashkët në Dropull s’u festuan, por grekërit provokuan me 20 vajza të degjeneruara”

Fjala e Enverit në Byro / Sot më njoftuan se në Finiq të Sarandës, kur vanë shokët e Partisë të hiqnin ikonat e kishës, u mblodhën 40 gra, që i kundërshtuan dhe i rrahën ata”! Raporti sekret / “Datën e 19 prillit, të ‘premten e zezë’, në kufi me Koshovicën, grekërit demostronin festimin e Pashkëve, duke ardhur rreth kishës me qiri të ndezur”.

Nga Dashnor Kaloçi

Dje dhe pardje, në mbarë vendin, në të gjithë Shqipërinë, por edhe kudo nëpër botë ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë, ashtu si çdo vit, me ceremoni të shumta u kremtua festa e Pashkëve orthodokse. Por brezi i ri, kryesisht ata që kanë lindur pas viteve ’90-të, nuk e dinë dhe konceptojnë dot, se kjo festë, apo dhe të gjithë festat e tjera fetare, që nga viti 1966 e deri në vitin 1990, ishin të ndaluara me ligj, (sipas legjislacionit në fuqi, dënoheshe edhe me burg politik, nëse ushtroje dhe shpërndarje litraturë fetare) dhe regjimi komunist në fuqi, me antë të të gjitha strukturave të tij, duke filluar nga organizatat e rinisë, të partisë, ajo e Frontit Demokratik, etj., ushtronte të gjithë forcën e tij, për të penguar festat fetare.
Veçe të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga këto dokumente arkivore që po publikojmë në këtë shkrim, të cilat mbajnë siglën “Sekret”, dhe janë nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku bëhet fjalë mbi një letër që mban datën 30 prill të vitit 1967-të, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Gjirokastrës, Rrapo Dervishi, njofton Sektorin e Edukimit pranë aparatit të Komitetit Qëndror të PPSh-së që drejtohej nga Ramiz Alia, lidhur me masat që ata kishin marrë, për të mos lejuar festimin e Pashkëve në fshatrat e minoritetit grek të zonës së Dropullit, si: Sotira, Rëza e Zezë, Kakavija, Pogoni, etj.
Po kështu, krahas këtij dokumenti, është dhe ai ku ndodhet një proces-verbal i takimit të Enver Hoxhës, me sekretarët e Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me: “Udhëzimet e dhëna nga Partia, për masat e marra, për prishjen e kishave dhe xhamive”!
Të gjitha këto, bëheshin në kuadrin e vendimit që kishte ndërmarrë udhëheqja e lartë e PPSh-së me në krye Enver Hoxhën, në vitet 1966-’67-të për zhdukjen e besimeve fetare, ndalimin me ligj të fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit, si: kisha, xhamija, manastire, teqe, tyrbe, etj., (e cila u sanksionua pas fjalës së Enverit në Byronë Politike që u bë publike në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 7 shkurt të vitit 1967-të), ku si pasojë, pati mjaft reagime dhe kundërshtime të shumta, jo vetëm nga ana e klerikëve të ndryshëm, por edhe nga besimtarë të shumtë.

Si rezultat, në atë kohë, në adresë të Komitetit Qëndror të PPSh-së dhe personalisht të Enver Hoxhës, u dërguan letra dhe telegrame të shumta, ku klerikë të ndryshëm, si dhe besimtarë të shumtë, herë duke dalë hapur me emra apo dhe anonimë, i bënin me dije për atë që po ndodhte dhe kërkonin që të ndërpritej ajo fushatë që kishte filluar ndaj besimeve fetare, ku Komitetet e Partive dhe ato Ekzekutive të rretheve, ishin vënë në garë, se kush i zbatonte më mirë dhe më shpejt, direktivat e Partisë, në luftën kundër fesë.

Mirpo kjo gjë, pra reagimi ndaj fushatës që kishte filluar me luftën ndaj fesë, jo vetëm që nuk e stepi udhëheqjen e lartë të PPSh-së, dhe personalisht Enver Hoxhën, por përkundrazi, i nxiti ata më shumë, duke e çuar atë luftë edhe me masa represive, siç ishte arrestimi i disa klerikëve katolikë, kryesisht në Shkodër, Lezhë, Pukë, Tiranë, etj., apo dhe demaskimi publik i tyre kudo ku ata ndodheshin.

Por, duke qenë se edhe këto masa nuk po jepnin rezultatet e duhura, ndryshe nga fjala e tij që u bë publike më datën 7 shkurt të atij viti në gazetën “Zëri i Popullit”, ku Enver Hoxha fliste “për zhdukjen e zakoneve prapanike me punë bindëse dhe edukative”, madje duke u kamufluar dhe e paraqitur atë si një nisiativë të organizatave të rinisë (siç ishte shkolla e mesme, “Naim Frashëri” në Durrës), më datën 27 shkurt, ai iu dërgoi një letër të gjatë me siglën “Tepër sekret”, të gjithë Komiteteve të Partisë së rretheve, ku jepte direktiva dhe sqaronte me detaje e hollësi, si duhej ndërmarrë lufta kundër fesë dhe prishja e objekteve fetare, madje duke dalë hapur, se ato: “do i rrafshonin nga faqja e dheut”.

Të gjitha këto masa represive që ndërrmori asokohe udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe personalisht Enver Hoxha, duke vënë në lëvizje edhe organet e Diktaturës së Proletariatit (Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Brendëshme etj.), situata vazhdoi të agravohej dhe pas reagimeve të shumta pothuaj në të gjithë vëndin, në disa rrethe, si në Peshkopi, Mat, Tiranë, Elbasan, Sarandë etj., pati konfrontime fizike, ndërmjet besimtarëve të ndryshëm dhe “shokëve të partisë e rinisë”, që kishin shkuar për të prishur objektet e kultit, si; kisha, xhamia, manastire, teqe, tyrbe, etj.

Kjo situatë disi e papritur që po precipitonte e agravonte gjithnjë e më shumë, duket se shqetësoi edhe shumë Enver Hoxhën, i cili për t’i paraprirë apo parandaluar ndonjë reaksioni në masë, mbajti disa takime pune ditore me sekretarët e Komitetit Qëndror të PPSh-së, si dhe me sekretarët e Komiteteve të Partive dhe ato ekzekutive të rretheve, duke dhënë udhëzimet dhe orientimet e rastit, për gjithçka që po ndodhte në të gjithë vëndin, si dhe “masat që duheshin marrë me punë bindëse e politike dhe jo me forcë e masa administrative, pasi ajo gjë nuk ishte punë ditësh, por vitesh…”!

Lidhur me këtë, bën fjalë dhe ky dokument “Sekret” që siç bëmë të ditur në fillim të shkrimit, ku Komiteti i Partisë së rrethit të Gjirokastrës, nëpërmjet sekretarit të parë, Rrapo Dervishi, më datën 4 prill të vitit 1967, njofton Sektorin e Edukimit pranë aparatit të Komitetin Qëndror të PPSh-së që drejtohej nga Ramiz Alia, lidhur me masat që ishin marrë për të mos lejuar festimin e Pashkëve në zonën e minoritet grek të atij rrethi dhe se si ja kishin arritur ata që ta ndalonin atë gjë, që në letrën në fjalë, e konsiderojnë si se u arrit sukses dhe një fitore të madhe. Për më shumë, na njohin dokumentet në fjalë që publikohen të plota (siç ndodhet në dosjen përkatësë të fondit të ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat po i publikojmë ekskluzivisht për gazetën FJALA .

Dokumenti sekret me letrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Gjirokastrës, Rrapo Dervishi, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, lidhur me festën e Pashkëve në zonën e minoritetit grek

PARTIA E PUNES SHQIPERISE S E K R E T

KOMITETI I PARTISE

RRETHIT Ekz. Nr. 1
GJIROKASTER

Nr. 123 Gjirokastër, më 30/4/1967

Lënda: Informacion mbi punën që u zhvillua kundër Pashkëve në minoritet

KOMITETIT QENDROR TE P.P.SHQIPERISE

(Sektori i Edukimit)

T I R A N E

Në bazë të udhëzimeve të Komitetit Qëndror të Partisë, Komiteti i Partisë së rrethit t’onë, zhvillon një punë të pandërprerë ideollogjike antifetare. Në rradhë të parë ne jemi përpjekur që të krijohet një opinion i qartë në komunistët, kuadrot dhe aktivistët, se zhdukja e institucioneve fetare nuk do të thotë aspak zhdukja e besimeve, riteve fetare. Pikërisht për këtë janë marrë dhe po merren herë pas here masa propagandistike dhe organizative. Kështu u vepruar edhe gjatë muajit prill të këtij viti.

Komiteti i Partisë shtroi detyrën: T’u dalim përpara Pashkëve, që ato të mos festohen. Kjo çështje u theksua në mënyrë të veçantë për organizatën e Partisë e të masave që veprojnë në zonën e minoritetit, ku për arsye që dihen, feja ka rrënjë më të thella. Përveç kësaj, ne u shtymë të dëndësojmë punën tonë ideollogjike e shkencore antifetare edhe për faktin se në muajin prill, radio-stacionet greke, shtuan propagandën e tyre fetare për Pashkët.

Piksynimi ynë është t’u dalim Pashkëve përpara, që ato të dështonin. Masat ishin të tilla, që në vënd të kësaj dite fetare që binte më 21 prill, të festohej Dita e Kufitarit më 25 prill. Drejt kësaj date shpinin dhe përgatitjet t’ona. Kështu përshëmbull, me këtë festë u plotësua elektrifikimi i fshatit. U hodha parrulla: “Me rastin e 23 vjetorit të themelimit të Forcave të Kufirit, dritat elektrike do të ndriçojnë edhe në dhjetë fshatra të tjerë të brezit kufitar”.

Lexo edhe :  3 Shkurt 1924/ Woodrow Wilson, ndahet nga jeta presidenti amerikan

U dërguan në fshatrat e minoritetit dhe vazhdojnë punën dy ekipe të Komitetit të Partisë, të cilat në kuadrin e punës ideo-politike të Partisë, zhvillojnë edhe punë bindëse antifetare. Në këtë luftë u tërhoqën edhe shumë arsimtarë. Me mësuesit e shkencave shoqërore u referua tema: “Lufta kundër fese, është një luftë e gjatë ideologjike” dhe u thanë se si duhet organizuar e zhvilluar puna.

Në “Pararoja” e “Llaikovima”, u botuan një cikël shkrimesh të karakterit ideollogjik dhe historik kundër fesë. U organizuan një sërë aktivitetesh të përbashkëta, midis pikave të kufirit dhe rinisë së terrenit, duke tërhequr kjo e fundit edhe në punë direkte me prindërit, për të mos mbajtur kreshme, për të vepruar edhe ajo që në vënd të Pashkëve, të festohej si asnjëherë, festa e Kufirit.

Kjo shërbeu edhe për vetë edukimin e rinisë, sidomos në zonën e kufirit, e cila njëkohësisht përgatitej të vente në takimin që do të zhvillohej në Gjirokastër e në rrethe të tjera e Shqipërisë së Jugut.

Ne përkrahëm mendimin, që e diela 21 prill, të bëhet ditë pune, ndërsa shkollat të bëjnë ditë mësimi, dhe pushimi u shpall më 23 prill, Dita e Kufirit. Si përfundim, u krijua një atmosferë festive për ditën e kufitarit, gjë që largoi vëmëndjen për Pashkët, dhe nga shumë njerëz në moshë të kaluar, të cilët shpirtërisht u përgatitën jo për Pashkët, por për festën e kufirit.

Në përgjithësi Pashkët nuk u festuan. Është hera e parë që u arrit një sukes i tillë në minoritet, ku Pashka ka qenë festa më e madhe. Zotëroi festa e Kufirit, përgatitjet e së cilës i kishim filluar me kohë. Jo vetëm organizatat e Partisë, por edhe ato të masave ishin në këmbë. Ja disa shëmbuj:

Datën e 19 prillit, të “premten e zezë”, në kufi me Koshovicën, grekërit demostronin festimin e Pashkëve, duke ardhur rreth kishës me qiri të ndezur në duar dhe duke drejtuar prozhektorët nga ana jonë. Megjithëkëtë, populli i këtij fshati, s’donte të dinte fare. Vetëm 8 plaka mbajtën kreshme dhe vetëm në tre familje u ngjyen vezë të kuqe për Pashkët.

Më 20 prill, posta greke u vizitua nga një grup vajzash të degjeneruara, të veshura me fustane shumë të shkurtëra, të cilat kërcyen dancin halahup, me ushtarët monarkofashistë. Kjo u bë me rastin e Pashkëve. Pikërisht këtë ditë, populli i Kakavijës filloi dhe mbuloi me tjegulla shtëpinë e kulturës, të cilën ai e ndërtoi brenda 6 ditëve, mbi një kodër të fshatit, jo shumë larg nga posta greke.

Data e 21 prillit u bë ditë pune. Në shumë fshatra dualën në punë aq kooperativistë, sa edhe ditë të tjera. Duke parë kooperativistët e Kakavijës, grekërit thërrisnin: “Pse punoni, sot që është Pashkë”?!, por fshatarët s’pyesnin, përkundrazai, punonin dhe më shumë. Ato ditë, populli i fshatit, Ajnikollë, që në orën 4 të mëngjezit, së bashku me kufitarët, hapte gropa për të vendosur shtyllat e dritave.

Ditën e Pshkës, populli i Sotirës transportoi shtyllat për dritat që do të marri së shpejti. Në punë në bujqësi, dual të gjithë fshatarët e Dropullit, të Rëzës së Zezë dhe të Pogonit. Vetëm në disa fshatra, kish mungesa në punë. U konstatua se një pjesë e tyre, punonin në kopshtin personal, midis tyre kish edhe disa me moshë jo të kaluar, që festuan Pashkën.

Data e 24 prillit u gdhi në festë. Në 10 fshatra të minoritetit u ndezën dritat. Kjo ishte një festë e vërtetë. Në ceremonitë që u zhvilluan me këtë rast, muarrën pjesë edhe të dërguar të Komitetit Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv. Gëzmi ishte i madh. Në këtë festë, në Ajnikollë, u bë propozimi që ky emër fetar, t’i hiqet fshatit dhe ai të quhet fshati “Drita”. Në Kakavijë, kur u çelën dritat e shumta dhe në pikën kufitare ato neon, rojet greke, thyen poçin e vogël të llampës në postën e tyre.

Më 25 prill, u zhvillua përsëri festë. Në pikat e kufirit nuk u grumbulluan vetëm fshatrat përkatës, por atje shkuan mijra të tjerë. U bënë vizita jo vetëm në fshatrat minoritarë, por edhe në zonat e tjera të rrethit edhe nga qyteti. Kishte programe artistike, aktivitete të përbashkëta me kufitarë, biseda mbi historinë e forcave të kufirit etj.

Festa e Kufirit nga pikpamja e organizimit, e aktiviteteve dhe e masivitetit, ishte më e mirë se çdo vit tjetër. Ajo jo vetëm zëvëndësoi festën e Pashkës, por shërben edhe si një aksion i madh për edukimin patriotik të masave, sidomos në vijën dhe brezin kufitar.

Nga organizimi i punës për t’ju kundërvënë Pashkës, në prill të këtij viti, ne mësuam se kështu dhe akoma më mirë ne do të luftojmë edhe në të ardhmen. Eksperjenca na tregoi se, me aksion konkret, festat fetare mund dhe duhen të zëvëndësohen me festat të reja socialiste. Tani do të bëjmë traditë që, në në vënd të Pashkës, të festojmë Ditën e Kufirit. Kështu do të studjojmë edhe për festa, rite dhe besime të tjera fetare.

SEKRETARI I-rë I KOMITETIT PARTISE RRETHIT

(Rrapo Dervishi)

Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit të Enver Hoxhës me sekretarët e Komitetit Qëndror të PPSh-së, lidhur me luftën kundër fesë dhe prishjen e kishave dhe xhamiave

–Çështja e kishës dhe e xhamive-

Shokë, me gjithë udhëzimet e shumta që u janë dhënë rretheve, gjatë gjithë këtij muaji, për çështjen delikate të besimit në popull, shumë rrethe vazhdojnë ta marrin lehtë këtë problem dhe të veprojnë “në garë” e, në mënyrë administrative. Për prishjen e kishave dhe xhamive nga disa fshtara të Elbasanit, më kanë ardhur letra, në Mallëngjesh, shokët e vëndit janë rrahur nga besimtarët.

Udhëheqja e rrethit, këtë mëndjelehtësi, ja u ngarkon ndonjë provokatori dhe nuk e shef punën më thellë, në mungesë të punës politike të saj.

Në disa fshatra të Dibrës, ku ka fanatizmë, më thonë se fshatarët, thonë xhaminë ta bëjmë depo, por minaren të mos e rërzojmë. Shokët sekretarë dhe që nuk bëjnë një punë politike të dëndur, kanë frikë të mos e prishin minaren “se mos mbeten pas” nuk durojnë 10 muaj, kurse kemi duaruar 14 shekuj.

Nuk mendojmë, se deri sa xhaminë e kemi bërë depo, 3/4 e rezistencës i kemi thyer, mbetet 1/3 e anës materiale, që mund ta zhdukim nesër, por shokët harrojnë kryesoren, se xhaminë mund ta zhdukin shpejt, por besimin se zhdukin dot as menjëherë, dhe as me dekrete, por me bindje dhe me punë politike dhe ideollogjike intensive, dhe të vazhdueshme.

Në minoritetin grek në Jug, natyrihst çështja e fesë është akute. Mendova se shokët e rrethit, do të kishin mirë parasysh vetë këtë çështje delikate, sidomos atje.

Sidoqoftë më ra nëdërmënd, t’i lajmëroj njëherë shokët e Gjirokastrës, mund t’i “rrëmbejë entuziazmi”. Por arriti vonë këshillimi im, ata e kishin mbaru punën me kishat dhe me priftërinjtë.

Sot më lajmërojnë se në Finiq të Sarandës, sekretari i partisë dhe kryetari i kooperativës, vanë vetë të hiqnin ikonat e kishës, dhe gratë kundërshtuan dhe i goditën, filluan 2-3 gra, por në fund u bënë 40 gra.

Sa keq, dhe prapë sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit që na lajmëron, na thotë si pa gjë të keq se, kjo është vepër e ndonjë provokatori.

Provokator ka patjetër, po 40 gratë s’janë provokatore, dhe një provokator, kur arrin të vërtitij fshatin, kjo do të thotë se, jo vetëm çështja e besimit është një gjë e thëllë, por Partija atje, nuk zotëron gjëndjen.

Prandaj, duhet absolutisht, të jepen udhëzime të reja, të dërgohen poshtë shokë, t’i sqarojnë, të mos bien në konflikte me popullin, ta bindin, të punojnë me të me durim, me durim, pse kjo punë nuk është një punë dite dhe muaji, por vite dhe vite të tëra.

T’ja u shpjegojmë problemet, t’u marrim krahët, të konsolidojmë sukseset e arritura në këto çështje dhe të ecim me kujdes, këtu nuk është çështje kohe dhe shpejtësie, këtu është çështje ç’rrënjosje, të këqijavet, dhe thellimit të revolucionit.

Të fundit

Spiropali merr pjesë në Samitin e Paktit të Qyteteve të Lira

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, mori pjesë sot në Samitin...

Berisha zbulon detajet udhëtimin në Berlin: Në Gjermani presin me padurim fitoren e PD-së

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zbuloi detaje nga udhëtimi në Berlin. Ai u shpreh se në Gjermani presin me padurim fitoren e PD-së në...

Disa tërmete godasin Napolin në zonën pranë vullkanit

Zona përreth qytetit jugor italian të Napolit u godit nga disa tërmete sot në mëngjes, njoftoi Instituti Kombëtar për Gjeofizikën dhe Vullkanologjinë (INGV). INGV tha...

Çela takon Prodën, masa për hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore

Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela është takuar ditën e sotme me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela...

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, sanksionet deri në 10 milionë euro

Ligji i ri “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” përcakton rregullat për mbrojtjen e personave fizikë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale...

Lajme të tjera

Web TV