Në 6 mars të vitit të kaluar në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje.
Aktet e tij kundër PD nuk përfundojnë këtu! Edhe pse ish-kryetari Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mos e vazhduar përçarjen, me pretendimin logjik që të njëjtën gjë ta bënte dhe Sali Berisha, me qëllim që demokratët të shkonin drejt një procesi dhe të ndalej kjo përçarje dhe dhuna e brendshme verbale ose fizike, Sali Berisha vazhdoi veprimet e tij të njëanshme.
Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme duke u zgjedhur apo vetëzgjedhur kryetar i PD-së dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike. Ai, vazhdoi duke mashtruar demokratët se është njeriu që do ti çonte në fitore, dhe kush?! Ai që humbi në vitin 2013!
Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti prej qeverisë konservatore britanike u shpall non-grata. Dhe ajo nuk ishte qeveri soroiste, ishte qeveri e partisë sonë simotër, ishte qeveri anti-soroiste dhe e shpalli me të njëjtat terma non-grata Sali Berishën, tashmë me një dosje të plotë të vënë përpara syve të tij.
Duke pretenduar se do të rrëzonte për disa ditë qeverinë apo Edi Ramën, por në koordinim të thellë me të, ai organizoi procesin e njëanshëm të primareve duke manipuluar dhe gënjyer demokratë për shanset për pushtet të një partie të udhëhequr nga non-grata, shanse të cilat thjesht nuk ekzistojnë.
Megjithatë, qëndrimin tonë të arsyeshëm për bashkim ai e refuzoi duke bërë një proces të njëanshëm primaresh. Negociatat Bardhi – Paloka dështuan sepse Sali Berisha nuk pranoi asgjë, sepse kërkonte jo bashkim por imponim, jo fuzion por nënshtrim dhe asimilim.
Kulmi i veprimit shkatërrimtar të tij ndaj Partisë Demokratike qe pas 3 marsit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, vendim i mbajtur peng gjatë nga qeveria e Edi Ramës.
Gjëja më absurde, që dëshmon qartë se qëllimet e Sali Berishës që nuk janë për demokratët, nuk janë për shqiptarët, nuk janë për simpatizantët, por janë për të krijuar një moment imponues për hallin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është refuzimi nga Sali Berisha i ofertës sonë zyrtare që kandidatët e primareve të ishin kandidatë të Partisë Demokratike dhe të vinin të kandidonin në shtëpinë e tyre, me logon e tyre”, tha Alibeaj.