Në nisjen e vrullshme të fushatës, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, komentoi takimet e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ai ironizoi numrin e vogël të mbështetësve ndërsa riktheu edhe një herë dyshimin se “paratë ruse” mund të shërbejnë për fushatën e Berishës dhe Metës.
Në vijim takimeve në çdo njësi, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj u ndal në Pezë, ku mbolli edhe disa pemë me banorët e zonës. Ai e krahasoi Partinë Socialiste me një traktor të ri, modern, që i çon punët e qytetit përpara, kurse çiftin Berisha-Meta si një traktor të vjetër, që mezi lëviz. “Këtij zetorit blu, i ka rënë goma, është prodhim sovjetik, mezi e kemi sjellë me karrotrec deri këtu, se ecte më shumë mbrapa se sa para. Kurse, ky zetori perëndimor, me mijëra kuaj fuqi, ka takat të punojë toka, të ecë përpara, ta zhvillojë terrenin, të japë prodhim e të sjellë bereqet. Kjo është diferenca këtu në fshat, midis zetorit blu dhe traktorit tonë, që ecën përpara dhe çan rrugë të reja, sjell prodhim për tokat tona, për familjet tona, për fshatin tonë. Ndaj, miqtë e mi, bëni krahasimin: Nëse doni dikë që t’ju punojë tokën, t’ju sjellë prodhim, t’ju sjellë bereqet, të ketë produktivitet, do zgjidhni produktin sovjetik? Do zgjidhni Saliun, që i ka dalë rrota? Do zgjidhni Ilir Metën që i merr lekët nga rusët? Apo traktorin perëndimor që ka fuqi, që ka mbështetje, që mund të na çojë përpara?”, tha Veliaj. Duke komentuar hapjen e fushatës së Berishës dhe Metës, Veliaj tha se ka më shumë njerëz në këtë fushë kalçetoje në Pezë, se sa ishin në stadiumin “Arena Kombëtare” të shtunën. “Saliu kishte harruar që militantët nuk duhet t’i paguash vetëm për të ardhur, por duhet edhe për të ndenjur. Kurse ne e kemi falas dashurinë. E kemi falas shoqërinë, e kemi falas këtë kontribut sepse e bëjmë aty ku kemi zemrën. Siç thotë kjo kënga jonë: ‘ku është shoqëria, ku është dashuria, aty është Shqipëria’. Aty është forca jonë, aty është frymëzimi ynë, aty është fitorja jonë”, tha Veliaj. Mandej, ai shtoi: “E patë stadiumin? Ishte e trishtueshme ta shikoje Saliun që u mbante fjalim sediljeve. U kënaqën sediljet bosh me fjalime, kurse Saliu fliste sikur po u fliste turmave. Qartazi i ka ngelur ora në vitet ’90-të, ku ca njerëz e hëngrën sapunin për djathë. Në vitet ’90-të ca njerëz thane: ‘Piramidat janë e ardhmja! Sudja është e ardhmja! Xhaferri, “Populli”, Vehbiu, janë e ardhmja!’. I ka ngelur mendja tek ato vite, ku njerëzit gënjeheshin. Por ne të gjithë e dimë, dilte Saliu me Suden thoshte: ‘Falas, falas, falas’, kur në një moment doli Sudja tha: ‘Mbaruan lekët!’. Njerëzit humbën shtëpinë, humbën tokat, humbën kursimet. Falas ishte për ca kohë, por pastaj mbaroi gjithçka! Historitë me falas, e me pa lekë, kap ç’a të kapësh, secili për vete, zgjasin, por zgjasin shumë pak, nuk janë afatgjatë. Ky zetori këtu është falas, por nuk ke ç’e do, se nuk ecën një metër, nuk punon asnjë tokë, nuk hap dot asnjë kanal, nuk mbjell dot asnjë bimë. Këtij traktorit tjetër duhet të hipësh, duhet ta drejtosh, duhet ta mbushësh me naftë, ama garancinë për ta punuar tokën e ka vetëm ky që ecën përpara, që ka takat, që ka kuaj fuqi dhe që është perëndimor dhe që ecën përpara”, përfundoi Veliaj.
Ironia e Veliajt
Erion Veliaj ka ironizuar kandidatët për zgjedhjet e 14 majit duke thënë se shumica janë të majtë që hiqen si të djathtë. Sipas Veliajt, nuk merret me ata që i quan ‘pjellat e PD’ se janë humbje kohe. “Poshtërimi që iu bë Berishës është mungesë etike. Si mund të kishte stadiumi më shumë njerëz për Ilir Metën. Bëhet burri lolo për të shpëtuar hallin e vet. Thonë halli ynë u bëftë i të gjithëve. Ne themi hallet u bëfshin zgjidhje. Këtu e majta është forcë dominuese. PS ka dhe një këshill të vetëm, ne s’kemi kompleks për drejtuesit. Ti ke sot kandidat komunist, marksist, shumicat e kandidatëve janë të majtë e hiqen si të djathtë. Vendi dominohet nga e majta. Unë dua të avancoj kauzat e majta, është gëzim kur kërcejnë nga e djathta e shkojnë në leninizëm. Kur thonë falas e falas, janë përtej Enverit. Kur sheh kandidatët që thonë liri demokraci, është fyerje për të përndjekurit. Në këtë situatë, të merresh me të gjithë pjellat e PD është humbje kohe. Ti pa fituar gjë e të ka hipur tangërlliku për t’u futur me autobus në stadium. Nuk dua të them marrëzi që si besoj as vetë”, tha Veliaj.