14 maji/ SFIDA e Berishës për Ramë: Hajde përballemi në studio, merr ç’të kesh për mua

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Librazhdi, prezantoi kandidatin e koalicion ‘Bashkë Fitojmë’, Shefki Çota.

Gjatë fjalës së tij Berisha i drejtohet Ramës për një përballje.

I them Edi Ramës hajde dalim bashkë në studio dhe merr ç’të kesh për Sali Berishën dhe unë ç’kam për ty.

Nuk ia mban, jo vetëm nuk del vetë, por nuk le asnjë prej kandidatëve të tij. Nuk ia mban se i dalin qindra milionë euro të fshehura offshorë, i dalin qindra tendera të baxhanakut, thjeshtrës, i del vëllai i implikuar në shumë afera.

I del firma e tij në 420 milionë euro për djegësat, i del firma për Durrësin. Më ka thënë njëherë një avokat i famshëm amerikan: kam pasur shumë klientë që kishin vjedhur nga 1 miliard dhe duhej t’i mbroja, por secili ishte i gatshëm të vidhte edhe 1 miliard tjetër. Ua thashë këtë sepse këta nuk kanë të ngopur në asgjë.

FJALA E PLOTË E BERISHËS:

Le të marrim realitetin si është sot! Ne jemi vendi me rrogat më të ulëta në rajon. Sot ne jemi vendi me varfërinë më të dhimbshme në rajon. Por ama në vitin 2013 ishim vendi me rrogat më të larta në rajon.

Ato rriteshin vit pas viti dhe me rritjen e tyre, rritej shpresa. Kurse sot, ndaj them ju votoni për veten tuaj, sot ndodhi që rrogat u ngrinë, por çmimet nuk u ngrinë. Çmimet në kushte tregu nuk i ngrin dot njeriu.

Çmimet u rritën nga viti në vit dhe sot është shumë e dhimbshme. Vetëm nga rritja e çmimeve vitin e kaluar, çdo pensionist ka lënë dy pensione për ushqime më shumë se dy vite më parë. Ka shpenzuar, sipas ekonomistëve të pavarur, 430 mijë lekë ushqime më shumë. Sepse është dyfishuar çmimi i djathit, qumështit, mishit, zarzavateve, etj. Çdo qytetar ka lënë një rrogë më shumë. A ju kujtohet ju premtimi i Edi Ramës për rrogën e 13-të. Jo vetëm që nuk ua dha rrogën e 13-të, por u mori edhe rrogën e 12-të.

Të mbështesësh më 14 maj përfaqësuesit e Edi Ramës, mbshtet varfërinë! Çdo qytetar me integritet voton për veten e tij. Sepse ne shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, e dimë se ç’do të thotë pushtet i përqendruar në një dorë. Çfarëdo qoftë ajo që përqendron pushteti, diktator komunist, diktator teokrat, diktator ushtarak, diktator bandit siç është rasti në Shqipëri, ai vetëm të këqija krijon për shtetasit e tij.

Po sot, cili është ai që më thotë se Edi Rama nuk ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij. Në disa aspekte, absolutisht më shumë se vetë Enver Hoxha.

Ju mund të thoni pse krahasoni? Shiko, Edi Rama nuk ka skuadra pushkatimi, nuk ka kampe përqendrimi, por Edi Rama ka përzënien nga Shqipëria. Edi Rama po përzë shqiptarët nga Shqipëria me politikat që ndjek.

Po i përzë vetëm se e di që nuk e votojnë! Ky njeri që ka të gjitha pushtetet, si u soll me ju? Së pari dyfishoi taksat e biznesit. Së dyti, çfarë bëri për fermerët e fshatit? Ekziston një shprehje e studiuesve të diktaturave dhe ata thonë se diktaturat ndalojnë kohën në kuptimin e moszhvillimit. Librazhdi po ta shohësh është një rreth me pyje, me ujë, me gjelbërim shumë të fuqishëm. Nuk ka rreth më të bekuar se Librazhdi sepse pasuria e pasurive është uji. 

Çfarë ka ndodhur me ujin? Ka 10 vite në pushtet. Më thoni pak, si është furnizimi me ujë i Librazhdit? Keq e më keq. Si është i Tiranës? Si e më zi. Çarë ndodh, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Unë mendoj se çdo qytetar duhet të votojë për veten e tij.

 Edi Rama nuk e meriton votën kurrë në këto zgjedhje. Për shkak të dyfishimit të taksave, ai ka inkasuar në arkën e shtetit, 5.8 miliardë euro në vit. Në vitin 2013, me gjysmën e taksave kemi inkasuar 3.8 miliardë.

Pra, dy miliardë euro më shumë në vit ka marrë nga taksat. Ku shkuan ato? Deri në vitin 2013, rrogat u dyfishuan, dolëm në krye të vendeve të rajonit. Po pse dolëm? Sepse qytetarët e meritojnë sepse Shqipëria është një vend shumë i pasur.

Dhe përsëri me ato 3.8 miliardë u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë, qindra ujësjellësa, 1300 objekte arsimore. Por prapë u dyfishuan rrogat dhe pensionet. Ku shkojnë këto para? Këto vetëm vidhen.

Ndërtohet rruga me 24 milionë euro kilometri, ndërkohë kur në të gjithë Europën, ajo ndërtohet me 2 maksimumi 3 milionë euro. Ju e dini autostradën Elbasan-Tiranë dhe e dini që u inaugurua në vitin 2013 përveç një segmenti 7 kilometra Ibë-Farkë. Rruga u prokurua e tëra për t’u dorëzuar përfundimisht me 255 milionë euro, përfshi tunelin.

Rruga ka shkuar 430 milionë euro. Ato 7 kilometra kanë kushtuar 180 milionë euro. Pra, ndokush që mendon se ato nuk janë paratë tona, gabon fatalist.

Ato janë vetëm tuajat. Qeveria nuk prodhon para, ajo mbledh taksat tuaja, mundin tuaj, djersën tuaj dhe është e detyruar ta kthejë në rrugë, shkolla, ujësjellësa, kanalizime. Ju votoni për veten tuaj, vota për Edi Ramën është një votë për t’u vjedhur më shumë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, ish-kreu se ai do ikë me siguri, deklaron se ka mbjellë 1 milion fidane. Parku i madh i Tiranës ka gjithsej 32 mijë pemë.

Është 57 hektarë. 1 milionë hektarë duan një sipërfaqe nga 600 deri në 900 hektarë. Ka vjedhur me faturën e fidaneve. Ka blerë fidane me 5500 euro një pishë. I them Edi Ramës hajde dalim bashkë në studio dhe merr ç’të kesh për Sali Berishën dhe unë ç’kam për ty.

Nuk ia mban, jo vetëm nuk del vetë, por nuk le asnjë prej kandidatëve të tij. Nuk ia mban se i dalin qindra milionë euro të fshehura offshorë, i dalin qindra tendera të baxhanakut, thjeshtrës, i del vëllai i implikuar në shumë afera. I del firma e tij në 420 milionë euro për djegësat, i del firma për Durrësin.

 Më ka thënë njëherë një avokat i famshëm amerikan: kam pasur shumë klientë që kishin vjedhur nga 1 miliard dhe duhej t’i mbroja, por secili ishte i gatshëm të vidhte edhe 1 miliard tjetër. Ua thashë këtë sepse këta nuk kanë të ngopur në asgjë. Tani duhet të bashkohemi. Të votojmë Shefki Çotën. Ai është një përfaqësues i denjë i juaj, një menaxher i shkëlqyer, një familjar shembullor, një njeri i aftë, një qeveritar i vërtetë.

Por edhe një qytetar njëlloj si ju. Vërtet ju votoni për veten tuaj dhe në këto zgjedhje, të votosh Edi Ramën, do të thotë të votoni për thellimin e varfërisë, për dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Por përsëri, qeverisja vendore ka shumë në dorë të ndryshojë për mbarë jetën tuaj. Ka shumë në dorë të nxisë lulëzimin e biznesit, të përgjysmojë taksat.

Kjo do të thotë dyfishim punësimi. Të bëjë gjithçka për ndarjen e drejtë të buxhetit deri në zonat më të largëta. Çfarë bën ky para jush, në vend që të paraqesë se çfarë ka bërë për Librazhdin në 10 vite në pushtet, ky vjen me zorin qorre në gojë dhe kërkon t’u mashtrojë ju. Ai le ta mbajë për veten e vet, po këtu një njeri normal vjen dhe jep llogari.

Qytetarët presin se çfarë ke bërë ti dhe çfarë do bësh për vitet e ardhshme. Duke pasur si trashëgimi vjedhjen e tmerrshme të qytetarëve, dëbimin e 1 milion shqiptarëve në tetë vite, duke pasur si trashëgimi arrestimin e 38 mijë shqiptarëve për një vit, ai nuk del dot përpara jush. I bëri premtimet, ju kujtohet. Ujë 24 orë dhe legalizime brenda mandatit. Ja ku është uji, ja ku janë legalizimet. Vetëm mashtrime.

Tani përpiqet që të gjithë kërkesën e llogarisë që çdo njeri ia bën atij, ta bllokojë me banalitet, me vulgaritet. Ndaj ne ta lëmë atë me atë në gojë dhe të votojmë për veten tonë, të votojmë për Shefki Çotën.

Të fundit

Milani zhgënjen sërish në Serie A, kuqezinjtë ndalen në barazim ndaj Cagliarit

Milani nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 përballë Cagliarit në javën e 20-të të Seria A. Një rezultat...

Stuhi dimërore në jug e lindje të SHBA, ndërpriten fluturimet në disa aeroporte

Mes një numri të madh fluturimesh të anuluara, zyrtarët në disa shtete jugore paralajmëruan të shtunën qytetarët të mos udhëtojnë për shkak të rrezikshmërisë...

I zuri vendin Luizit, brenda 24 orëve kaq ndjekës në lnstagram ka arritur të marrë Gjesti

24 orë nga futja në Big Brother VIP Albania, Gjesti ka arritur një shifër rekord ndjekësish në Instagram. Me më shumë se 300,000 ndjekës, ai...

Donald Trump emëron Elise Stefanik si ambasadore të tij në Kombet e Bashkuara

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi ligjvënësen e Nju Jorkut, Elise Stefanik për të shërbyer si ambasadore e tij në Kombet e Bashkuara. Korrespondentja e...

Fundjavë dimri! Ministria e Mbrojtjes apelon: Priten shtrëngata shiu e reshje bore

Në akset rrugore Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth, reshjet e borës vazhdojnë me intensitet të ulët. Rrugët janë pastruar dhe kriposur. Qarkullimi i...

Lajme të tjera

Web TV