Ish-kryeministri Sali Berisha ka “premtuar” se pas zgjedhjeve të 14 majit vendi do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohëshme. Ndërsa ka bërë këtë deklaratë, thuajse në të njëjtën kohë, kryetari i PD-së zyrtare Enkelejd Alibeaj, e ka krahasuar Berishën me Enver Hoxhën përsa i përket qëndrimeve ndaj SHBA-ve.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka premtuar dje se pas zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe fitores sipas tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, do të ketë zgjedhje të parakohëshme të përgjithshme. Këtë deklaratë e bëri gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar të Bashkisë Krujë, Agron Loka. “Ju garantoj këtu se pas 14 majit asgjë nuk do të ndalojë ortekun e fitores brenda disa muajsh në zgjedhjet e përgjithshme, largimin e Edi Ramës përfundimisht nga jeta politike”-tha Berisha. Sipas tij ky premtim do të jetë mëse I realizueshëm pasi qytetarët shprehin besim tek forca që drejton, duke përfshirë edhe Metën. “Kudo që shkoj e ftoj të dalim para qytetarëve, e kemi detyrim sepse janë ata që paguajnë e shprehin besim për ne. Tu japim llogari, t’i raportojmë për çdo gjë, edhe për jetën personale. Ai nuk del kurrë. Fshihet e ikën”, tha Berisha. Për ndërsa kreu de facto I PD-së Berisha ka ngritur pretendimet kaq lart, deri në bindjen se do ketë zgjedhje të parakohëshme, pjesa tjetër e PD zyrtare të drejtuar de jure nga Enkelejd Alibeaj mendon për të “ardhmen”, duke krijuar grupin e “keshilltarëve”. Ai ka sjellë si risi vendimin për të kriejuar “Këshillin Euroatlantik” me disa prej ish-figurave të njohura të PD-së ndër vite. Ndërsa duket se përfundimisht janë ndarë me Sali Berishën, ku kryetari I komanduar nuk ka ngurruar ta krahasojë me diktatorin Hoxha. “E pra, qëndrimi që mban sot Sali Berisha ndaj Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve, është i njëjti si qëndrimi që mbante Enver Hoxha anglo-amerikanëve. Në fakt, ajo se çfarë realisht Sali Berisha kërkonte të bënte në Shqipëri, ishte të krijonte një lëvizje anti-amerikane. Për herë të parë në tre dekada demokraci dhe për herë të dytë pas Enver Hoxhës, në historinë e shtetit dhe të kombit shqiptarë, fillonte kjo lëvizje. Që prej shpalljes non grata nga SHBA-të, inkurajues i korrupsionit madhor dhe minuesi i demokracisë, Sali Berisha ka provuar të godasë Amerikën herë me shpatë të madhe, herë me biçak, herë me qitje të largët e herë me baltë_tha Alibeaj. Më pas ai ka prezantuar nismën për krijimin e Këshillit Euroatlantik. “Me qëllim realizimin e objektivave tona të përbashkëta, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe kompetencave që më jep statuti i saj, kam kërkuar formimin dhe ngritjen e një organi këshillimor, i cili do të quhet Këshilli Euroatlantik pranë Partisë Demokratike”, tha Alibeaj. Sipas tij, ky këshill, do të ketë funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike. Përsonat që do e drejtojnë janë figura të njohura si Edmond Trako, Eduard Prodani, Fatos Hoxha, Gjergji Hani, Marcel Hila, Neli Demi, Nevila Nika, Omer Stringa, Preç Zogaj , Rushdi Keci dhe Vasil Gjika. Alibeaj këtë nisma e ka konsideruar si një element domethënës për të ardhmen e PD-së, duke ruajtur identitetin thelbësor që kjo forcë politike lindi. “Sot është një ditë e rëndësishme për mua personalisht, për Partinë Demokratike , për rrugën tonë të përbashkët dhe të ardhmen e kësaj partie. Sot ,ne ndërmarrim një nismë , e cila është një hap tjetër për të garantuar ecurinë e Partisë Demokratike drejt vlerave dhe parimeve për të cilat ajo u formua dhe mbi të cilat do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik edhe në të ardhmen. Një nismë ,e cila do t’i shërbejë Partisë Demokratike në sfidat dhe betejat politike që ajo ka përpara në funksion të një Partie më të fortë, më të sigurt dhe më të bindur drejt të ardhmes së saj. Për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne, një forcë politike që ka në themel të saj lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, që ka në themel të saj vlerat perëndimore dhe euroatlantike. Një Parti Demokratike pra, që do të jetë padyshim alternative qeverisëse e së nesërmes dhe për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë”-tha Alibeaj.