”Asnjë qytetar të mos shesë votën”/ Kim monitoron procesin e votimit në Vlorë

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka mbërritur në Vlorë për të parë nga afër procesin e votimit në këtë bashki.

Diplomatja amerikane ka hyrë në njërën nga qendrat e votimit ndërsa dëgjohet duke pyetur vëzhguesit nëse kanë pasur ndonjë problem apo trysni nga persona të caktuar.

Nga Vlora, ajo ka përcjellë edhe një mesazh teksa ka thënë: “Kam vizituar disa qytete. Kam qenë në Nivicë, Selenicë, këtu.

Jam duke ndjekur edhe situatën në Himarë. Dhe do të jem e pranishme në shumë qytete të tjera. Natyrisht që jam një nga vëzhgueset e shumta në këto zgjedhje”.

Më herët gjatë ditës së sotme ambasada amerikane dha një mesazh për zgjedhjet.

“Shpresojmë që të gjithë qytetarët 🇦🇱 të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

🇺🇸 Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”, thuhet në postim.