Nga Sazan Goliku
Puna mbi dyzetvjeçare e mbledhësit të shquar të folklorit, Fatos M. Rrapajt nga Gumenica e Vlorës, na flet sa për një pasion e vullnet të fuqishëm e jetëgjatë, aq dhe për një dashuri të madhe e përkushtim të vetëdijshëm për thesaret e artit e të kulturës së popullit tonë. Në hojet e arkivit të tij gjen mijëra vargje, faqe proze e materiale gjuhësore, historike e etnografike të qëmtuara e grumbulluara me durimin e bletës, në të katër anët e Shqipërisë, në fshatra e qytete, në male e fusha.
Një pasqyrë e pjesshme e kësaj pasurie na jepet në librin voluminoz “Këngë popullore nga Çamëria”, botim i Institutit të Kulturës Popullore. Vlera e kësaj pune shumëfishohet po të kemi parasysh se kjo krijimtari shpirtërore është vjelë nga njerëz që kanë qenë të detyruar të emigrojnë nga trojet e tyre shekullore dhe të vendosen në vende të ndryshme të Shqipërisë. Si e tillë ajo vërtet është konservuar në kujtesën e çamëve të moshuar, po njëkohësisht do të humbasë shkallë-shkallë në kushtet e reja, ku jetojnë bartësit e trashëgimtarët e saj.
Nga përmasat gati enciklopedike, nga pasuria autentike, nga larmia e shumanshmëria tematike e gjinore, ky libër është deri më sot thesari më i plotë i artit popullor të Çamërisë. Fatos Rrapaj nuk ka ngurruar të mbledhë nga goja e popullit me aftësi e kompetencë profesionale, material artistik e kulturor me një diapazon të tillë që nis me fjalë e shprehje tipike çame, me toponiminë e antroponiminë dhe mbushet me rrëke gati të padukshme ritualesh, lodra fëmijësh, nina-nina, këngë rinie, argëtimi e dashurie, rite e valle dasmash, këngë humoristike e satirike, për të kaluar pastaj te legjendat e baladat, te këngët për ngjarje të njohura e të panjohura historike, për figura të shquara të historisë, për luftëtarë e martirë. Kësisoj na përfytyrohet në plan të gjerë të poetizuar jeta çame.
Nga kënga në këngë, nga faqja në faqe na shpalohet njëhershi si kronikë e si dramë, historia sa heroike aq edhe tragjike e Çamërisë, e pandarë nga përpjekjet e luftërat e mbarë popullit tonë. Shpirti liridashës i shqiptarëve rrezaton në çdo këngë, i gërshetuar me ndjenjat atdhetare që janë motivi bazë i frymëzimit popullor edhe në epikën historike të kësaj treve. I kudondodhur ky motiv gjen shprehjen e sintetizuar në lajtmotivin “u shkrinë për liri, për flamurin kuqezi ose “për vatan, për Shqipëri”. Pasqyrimi në vargje i luftërave të panumërta, i planeve, i diplomacisë e intrigave të pushtuesve përshkruhen gjersisht dhe nuk harrohen as qëllimet e pikësynimet e hapura e të fshehta politike dhe ekonomike të armiqve. Ideja e unitetit të popullit ka gjetur mishërim në mjaft këngë të periudhave të ndryshme historike. Si qortim e paralajmërim i hidhur tingëllojnë vargjet e këngës “Medet për vezir Alinë”, ku tregohet se si Marko Boçari këshillon Ali Pashë Tepelenën “të mblidhej me Bushatllinë për të bërë Shqipërinë” se “po s’u bëmë me ata/ Shqipëri për ne nuk ka/… /do grihemi lakra, do këndojë qyqeja”. Përvoja popullore fliste me gojën e trimit të Sulit. Kurse në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thotë kënga nga Paramithia, i bën bashkimi edhe në Çamëri në sajë të përpjekjeve të atdhetarëve të tillë si Ibrahim Parga, i cili luajti një rol të rëndësishëm në atë krahinë për pajtimin e gjaqeve e hasmërive nën parullën “Çdo hasëm ta bëjmë vëlla”. Rapsodi popullor si shprehës i zërit të masave popullore u drejtohet këtyre me thirrje të zjarrtë për t’i shtrënguar radhët si vëllezër. Ai dënon përçarjen e vëllavrasjen që e nxit dhe e ushqen armiku, duke u mbështetur sidomos në ndasitë fetare. Motoja e atdhetarit Lol Rrepani: “S’e vret vëllai vëllanë”/ gjithë jeni shqiptarë” ushtonte në ndërgjegjen e çamëve si thirrje luftarake.
Këngët që i bëjnë jehonë luftës së përbashkët të shqiptarëve e të grekërve kundër të njëjtëve armiq, solidariteti i tyre, ndihma e pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjen greke, përshkohen nga respekti e ndjenja e miqësisë për popullin fqinj, për trimërinë e shpirtin e tij liridashës, kurse shpërngulja e çamëve nga trojet shekullorë është një temë e motiv i dhimbshëm në këngët popullore të Çamërisë. Në çdo varg kullon gjak e lot, dashuri e urrejtje, mall e brengë e pashërueshme: “Mos e dhëntë Perëndia/ Të ikim kah Çamëria/ Ç’ish të ikim kah shtëpia?/ Ç’ish t’i lëmë gjushrit në varre/ Me kurmet pa tretur fare”. Terrori e masakrat e gjeneralit fashist Napolon Zerva, armik i tërbuar i shqiptarëve, po dhe i popullit grek, ishin më tepër se shtazore: “E pa dinjaja me si/ Ç’bë Zerva në Çamëri:/ Mbilli njerëzit në shtëpi/ I theri si bagëti/ Dhe grave që ishin me barrë/ Me thika në bark u ranë/ Ua morën jenët (fëmijët) gjallë/ Dhe ata me thikë i vranë”. Dhe tablove tragjike ua zë vendin kujtimi i dhimbshëm për vendin e dashur.” Çamët duke ikur/ E duke luftuar/ Ngarkuar me plaçka/ Dhe foshnja në duar,/ Hodhën sitë prapa,/ Shtëpitë përvëluar,/ Ka gjylet e topit,/ Ullinjtë copëtuar./ Çamëri e shkretë/ Shumë u përvëlove,/ Çdo pëllëmbe tokë/ Me gjak e lëshove”.
Pas legjendës së Pirros së Epirit (një material ky i panjohur e me interes studimor për të parë vjetërsinë e shtrirjen e saj, si dhe vlerat folklorike e artistike) të bien veçanërisht në sy këngët për Ali Pashë Tepelenën e luftëtarët shqiptarë si Marko Boçari e Hasan Çapari, Ali Farmaqi e Bubulina, Zejnel Husa e Maksut Veliu, Tahir Meta e Sabri Preveza, Spiro Çallëka e Alush Taka dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Me respekt e nderim të veçantë u këndohet edhe figurave të grave luftëtare si Merushe Ismailit (“E shkove jetën hajdute,/ Nat’ e ditë palla mbi supe), Daije Sakos (“Daije moj vetëtimë… /Daije të lumtë dora/ sa plumba të shkrep revola/ aq dushman rrokullon”), ose mësueses pa emër, që populli e quan “Bila abetare” dhe “Lulja shqiptare”. Këto figura janë konceptuar të pashkëputura nga masat popullore, atyre u këndohet pikërisht si udhëheqës të masave, si shprehës të aspiratave e idealeve të popullit kryengritës. Krahas luftërave për çlirim kombëtar një vend të dukshëm e të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve zënë dhe përpjekjet për drejtësi e përparim shoqëror, revoltat e ndeshjet klasore, që kanë qenë të pashkëputura nga aspiratat për liri. Muza popullore ka qenë mjaft e ndjeshme ndaj dukurive të tilla. Për këtë flasin këngët e forta e dramatike, sidomos për “hajdutët”, ose “firanët” e maleve. Në këtë vëllim, këngët për Bilbilejtë e Labërisë, Lul Mankën, Met Zhotin, Zeqo Kipën, Mehmet Hysenin, Lul Çaparin e shumë të tjerë, flasin hapur për karakterin klasor të revoltës së tyre, qoftë dhe individuale: “Bilbilenj more firarë/ s’latë belerë pa vrarë/.
Një nga vlerat e veçanta të kësaj përmbledhjeje qëndron te këngët që pasqyrojnë marrëdhënie shoqërore. Kështu në mjaft këngë gjejmë ngjarje të jashtëzakonshme e më se të zakonshme, të dhimbshme e për të qeshur, fatkeqësi natyrore, shakara e ndodhi të çuditshme. Me krenari i përgjigjet Hajrija Milazimit turk që i binte më qafë e donte ta mashtronte: “Shko dhromit (rrugës) more aga/ u jam vajzë fukara/ rriturë me lakra/ dhe nuk shitem për para… Ti në je burrë me mendë/ ik e shko në dhromin tënde./ Ndryshe t’ hedh trutë në erë/ të venë ment dhe të tjerë”. Qëndrimi i prerë sa moral aq dhe klasor i popullit në këngën “Lirë ti na jesh, po bakër u bëre” duket në frymën shpotitëse e përbuzjen ndaj një vajze që pranoi të bëhet “jarane” e beut dhe imitonte zakonet e parisë. Zemërimi i rapsodit arrin deri në mallkim: “Të raftë një pikë,/ turpërove fshanë!”. Një ushtar shqiptar nga Tetova “për një bacë që i ra” oficeri turk, ngre pushkën dhe e vret në vend. Dhe zinxhiri i këngëve vazhdon e të duket se s’ka fund.
Megjithëse kemi të bëjmë me këngë të krijuara e të kënduara në Çamëri, në to hyjnë pothuaj të gjitha trevat shqiptare. Përmenden natyrshëm Korça e Vuçiterni, Tetova e Tivari, Berati, Shkodra e Vlora, ashtu si hyn emra vendesh e qytetesh të botës ku ka shkuar, luftuar ose jetuar shqiptari ose jepen si informacion për ngjarje e ndodhi të ndryshme që kanë tërhequr vëmendjen e rapsodit popullor. Kjo shtrirje, ashtu si në mbarë poezinë popullore shqiptare edhe në atë çame, është shprehje e vetëdijes së rrënjosur kombëtare, e faktit se populli shqiptar ka qenë historikisht një popull, një komb. Tiparet e veçanta të folklorit çam dhe ato të përbashkëta me folklorin e trevave të tjera shqiptare janë kushtëzuar e përcaktuar nga veçoritë vendore të kësaj krahine dhe të unitetit etnik e shpirtëror të mbarë popullsisë shqiptare. Për këtë flasin hapur motërzimet e legjendave, të ritmeve e këngëve, mendësia e zakonet e njëjta, konceptimi e strukturat poetike të përbashkëta, deri te “klishetë” dhe frazeologjia unike.
Lirika e kësaj përmbledhjeje vezullon si një mozaik shumëngjyrësh, që ashtu si mbarë lirika e folklorit tonë, të mahnit me freskinë e gjallërinë jetësore, me transparencën e sensibilitetin e rrallë poetik, me pasurinë gjinore e tematike, që janë reflekse të një bote të begatë shpirtërore, e cila buron vlera të vërteta jetësore dhe estetike.