Dëshmia e ish-ushtarit: Ja pse e qëllova me breshëri automatiku shkelësin e kufirit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dokumentet sekrete / Proces-vebalet e marrjes në pyetje të komisarit të postës kufitare Rifat Çokaj dhe ushtarit D.M., që morën pjesë në vrasjen e ushtarit nga Bajza, nga hetuesi i Shkodrës, Sokol Puto. Deponimi i kufitarit D. M.: “Kur e pashe se largohej, unë kam drejtuar armën dhe kam qëlluar disa herë, me breshëri. Në këtë moment, kam dëgjuar përballë meje, një “oh”!

Nga DASHNOR KALOÇI

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, nëpërmjet dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, u njohëm me një pjesë të ngjarjes së 2 tetorit të vitit 1986, ku dy shtetasit, Sokol Ndue Vreshti (me banim në fshatin Bajzë të Koplikut) dhe Gjelosh Fran Gega, (nga fshati Bogë i Malësisë së Madhe) në një tentativë për të kaluar kufirin shtetëror në zonën e postës Bashkim të Vermoshit, ranë në pritën e njësitit kufitar të asaj poste dhe si rezultat, Sokol Vreshti mbeti i vrarë nga plumbat e automatikut që u zbrazën mbi të, kurse shoku i tij, Gjelosh Gega, u zbulua nga qeni i kufirit dhe u kap i gjallë nga ushtarët e atij njësiti kufitar, vetëm pak minuta më vonë e, disa metra me tej në një shkurre, ku qëndronte i fshehur. Në atë kohë që Sokoli me Gjeloshin, ndërmorrën aventurën e tyre të rrezikëshme, ata ishin ushtarë në një repart xhenjë në fshatin Vërmik të Vlorës dhe pasi kishin biseduar gjerë e gjatë me njëri tjetrin e, kishin siguruar disa ditë leje nga reparti i tyre, në datën 20 shtator të atij viti, kishin marrë rrugën për në drejtim të kufirit. Por fatkeqsisht, që ditët e para të lëvizjes së tyre nëpër pyje, ata u pikasën nga dy banorë të asaj zone, të cilët njoftuan menjëherë forcat e kufirit dhe si rezultat, u dha kushtrimi (alarmi) e në ndjekje të tyre, u vunë forcat e Batalionit të Kufirit që mbulonte atë zonë, ato të Ushtrisë, të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe ato vullnetare, (Pushkatarët), duke nisur operacionin e kërkimit, për kapjen ose asgjesimin e tyre, i cili vazhdoi për dhjetë ditë me rradhë. Për më shumë rreth kësaj ngjarje të bujshme, do njihemi në këtë pjesë të dytë të këtij shkrimi, ku ndodhen dëshmitë e protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, si: Gjelosh Gega që u kap i gjallë, komisarit i postës kufitare Bashkim, Rifat (Jakupi), Çokaj, si dhe ushtari D.M., i cili qëlloi dhe vrau Sokol Vreshtin. Të gjitha këto janë pjesë e dosjes hetimore, të firmosura prej tyre dhe hetuesit Sokol Puto të Hetuesisë së rrethit të Shkodrës, (që u ngarkua me hetimin e asaj ngjarje), të cilat publikohen për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA.

DOKUMENTI SEKRET ME PROCES-VERBALET E MARRJES NË PYETJE TË PANDEHURIT GJELOSH GEGA, NGA HETUESI I RRETHIT SHKODËR, SOKOL PUTO

Proces-verbal i marrjes në pyetje të pandehurit Gjelosh Gega, më datën 5.10.1986, unë Sokol Puto, hetues i Hetuesisë së rrethit Shkodër, në bazë të nenit 78 të Kodit Procedurës Penale, pyeta të pandehurin Gjelosh Gega i biri i Franit dhe Terezinës, datëlindja 1965, vëndlindja, Bogë Koplik, me kombësi shqiptare, gjëndja shoqërore kooperativist, arsimi 8 klasë, anëtar i Bashkimit të Rinisë, është duke kryer shërbimin ushtarak në Repartin Ushtarak 3502 në Vlorë. Nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar. Qëndrimi politik i familjes gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ka qenë indiferent. Vëndbanimi i përershëm Bogë-Koplik. Nuk është zgjedhur asnjëherë në organet e Pushtetit.

Pyetje: Ju i pandehur, akuzoheni se në bashkëpunim me Sokol Vreshtin, keni tentuar të arratiseni jashtë shtetit, në Jugosllavi, vepër kjo e parashikuar nga neni 47 gj+13+11 të Kodit Penal, çfarë keni për të thënë?

Përgjigjie: Lidhur me akuzën që më bëhet, unë atë e kuptoj dhe kam për të thënë se atë e pranoj plotësisht dhe kam për të dhënë këto shpjegime. Unë jam nga fshati Bogë i Koplikut të rrethit Shkodër. Në familje, unë kam babën tim Franin, që punon në kooperativë, nënën time, Terezën, që është shtëpiake, katër vëllezër, Palin që është bari, Sokolin që është në shkollë në klasën e shtatë, Aleksin që është në klasën e pestë. Unë jam djali i madh. Gjithashtu kam edhe katër motra, që janë të martuara të gjitha dhe janë më të mëdhaja se unë në moshë. Nga farefisi im, unë kam axhën, Nik Gega, që është arratisur jashtë shtetit në vitin 1965, së bashku dhe me disa të tjerë dhe sot jeton në Amerikë. Para dy vjetësh, ai na ka dërguar neve një letër dhe babai im i ka kthyer përgjigjie. Tjetër gjë më gjatë për të, nuk di. Unë vetë jam mobilizuar ushtar në vitin 1985 dhe kam qenë efektiv në Repartin Ushtarak 3205 në Vlorë. Ky është repart punimesh dhe unë kam punuar në vënde të ndryshme dhe tani së fundmi, në Vërmik të Vlorës. Në repartin që isha unë, në Vërmik dhe që kishte numrin 8799/5, kemi qenë rreth 17 ushtarë nga Shkodra. Nga të gjithë këta persona, unë jam shoqëruar më shumë me Sokol Vreshtin. Nga muaji maj i këtij viti, një ditë kur po rrija në repart me Sokolin, ai më thotë se kishte një vëlla të arratisur jashtë shtetit dhe që banonte në Amerikë, dhe se kishte edhe ai ndërmënd që të arratisej dhe që të shkonte te i vëllaj në Amerikë. Kur më ka bërë këtë bisedë ai, më ka propozuar edhe mua, që të arratisesha me të. Unë fillimisht nuk kam pranuar, duke thënë se kisha shtëpi dhe njerëz të familjes. Pas kësaj, rreth një muaj më vonë, Sokoli ma ka bërë përsëri këtë propozim dhe unë fillova të lëkundesha në mendimin që kisha dhënë herën e parë. Para një muaji, në një bnisedë që kam bërë me të, më në fund unë i kam pranuar atij që të arratiseshim bashkë. Për kohën se kur do të arratiseshim, ai më tha se kur të ishte gati, do më njoftonte dhe mua. Pas kësaj, në muajin shtator, Sokoli martonte motrën e tij në Bajzë dhe komanda i ka dhënë leje, por se sa ditë, nuk e di. Një apo dy ditë pasi Sokoli kishyte ikur me leje, më ka takuar komisari i Batalionit, Sotir Dema dhe më tha se; do të më niste disa ditë me leje, pasi kishte ardhur një telegram, që kisha vëllanë të sëmurë. Që atë ditë, ai ka plotësuar lejen time dhe unë kam ikur në shtëpi. Kur kam shkuar në shtëpi, kam parë se të gjithë njerzit e shtëpisë ishin mirë dhe se nuk kisha njeri të sëmurë. Atëhere mua më shkoi mëndja se, telegramin ma kishte nisur Sokol Vreshti. Kjo për faktin, se një javë para se të ikte me leje Sokoli, më kishte thënë se, do shkonte në shtëpi se martonte motrën dhe se po të gjente mundësi, do më njoftonte që të shkoja edhe unë në shtëpi, me qëllim që të arratiseshim bashkë. Për këtë, ditën e djelë më datën 21.10.1986, unë kam shkuar nga Boga në Bajzë, ku kishte shtëpinë Sokoli dhe e kam takuar atë. Aty ai më tha se kishte vendosur që të ikte, për t’u arratisur të nesërmen, pra ditën e hënë. Unë e kam kundërshtuar, duke i thënë se nuk na duhej gjë ajo punë, se do të na kapnin. Sokoli më tha se, kishte shpresa se do kalonte kufirin. Pas kësaj ai më ka pyetur se; kur do të nisesha për në repart dhe unë i kam thënë se do të nisesha për ditën e mërkurë. Pas kësaj, unë kam shkuar përsëri në shtëpi. Ditën e mërkurë, rreth orës 10.00, unë kam zbritur në Koplik, me qëllim që të shkoja për në repart. Aty tek restoranti, unë kam takuar edhe Sokolin, i cili më ka takuar dhe përsëri dhe më ka thënë se; ishte i vendosur për t’u arratisur dhe kërkonte që të shkoja edhe unë me të. Unë kam pranuar dhe që të dy bashkë, atë natë jemi kthyer përsëri në drejtim të Bogës, ku atë natë kemi fjetur jashtë në mal. Me vete kemi pasur një bukë, të cilën e kemi blerë në restorant në Koplik. Neve kemi shkuar në atë drejtim, duke menduar të kalonim nëpër bjeshkë me dalë në Kelmend, pasi kemi fjetur atë nat në mal, sipër Bogës. Aty Sokoli, më tha mua që të shkonim nga Thethi, por unë i thashë se; nuk e dija rrugën dhe ai më tha se do të shkonim nga Kelmendi, se e dinte ai rrugën. Ditën e dytë, kemi ecur tërë ditën dhe natën kemi fjetur përsëri jashtë në mal. Këtë ditë, pra ditën e enjte, duke ecur nëpër mal, kemi takuar një burrë rrugës dhe Sokoli e ka pyetur atë se nga ishte rruga për në Qafën e Bordolecit. Ai na ka treguar me dorë, për në drejtim të një qafë mali. Gjatë bisedës me të, morrëm vesh se ai burri ishte nga Vukli, por emrin nuk ja mësova. Ai na ka pyetur se ku donim të shkonim dhe Sokoli i ka thënë; tek një mik në Lëpushë. Sokoli i ka treguar atij burrit, edhe emrin e mikut, por unë tani se kujtoj se kush është. Gjithashtu ai burri, na ka pyetur se nga ishim dhe neve i kemi thënë; nga Bajza dhe nga Boga. Pas kësaj, ai burri na ka thënë që të prisnim dhjetë minuta, sa të merrte një sëpatë dhe do të na shoqëronte, por ne nuk e kemi pritur dhe jemi larguar. Neve kemi vazhduar rrugën dhe pas një ore apo më tepër, kemi ndjerë nga prapa një krismë pushke dhe kur jemi kthyer, unë kam parë poshtë në brinjë, disa pushkatarë, të cilët na thirrën për të ndaluar. Në këto momente, Sokoli ka nisur të vrapojë dhe unë kam vazhduar, duke vrapuar pas tijë. Duke vrapuar, jemi futur në një pyll, duke u fshehur dhe aty kemi kaluar natën. Gjatë natës, kemi dëgjuar zhurmë njerzish, që na kërkonin. Gjatë kësaj kohe, me njëri tjetrin, kemi bërë biseda të ndryshme, se mos na kapnin, na vrisnin, etj. Të nesërmen, kemi ecuar përsëri gjatë maleve dhe nuk kemi takuar njeri gjatë rrugës. Edhe këtë natë, kemi fjetur jashtë. Të shtunën, duke ecur përsëri nëpër male, kemi hasur në një grua me dele dhe ajo na ka pyetur se, ku donim të shkonim dhe ne i thamë; në Qafë të Bordolecit. Ajo, na ka pyetur për leje, por ne i kemi thënë se, nuk kishim. Pas kësaj, ajo gruaja na ka shoqëruar deri afër repartit dhe u ka thirrur ushtarëve poshtë. Në këtë moment, Sokoli ka ikur përsëri me vrap dhe pas tij kam ikur dhe unë. Unë pashë se pas nesh, janë vënë disa ushtar me vrap, por ne jemi fshehur në pyll dhe ata, megjithëse na kanë kërkuar, nuk na kanë gjetur. Atë natë, kemi fejtur jashtë dhe ditën e djelë dhe të hënë kemi ecur përsëri në mal, por pa takuar njeri. Të hënën, kemi dalë në mal, sipër një fushe dhe Sokoli tha se, ishin shtëpitë e Vermoshit. Aty afër kemi hypur në një pemë, ku kemi ngrënë kumbulla dhe pasi kemi kaluar një përrua, jemi ngjitur përsëri lart në mal. Të martën, duke u ngjitur lart në mal, kemi hasur në disa roje, ku ishte dhe një ndërtesë. Ata na kanë parë dhe na kanë thirrur prej larg, por neve kemi ikur përsëri me vrap. Atëhere, ata kanë qëlluar disa herë me pushkë. Pas rreth një ore, duke ecur nëpër mal, kemi parë shumë drita larg, poshtë malit dhe Sokoli më tha se, ishte Gucia e Jugosllavisë dhe kemi vazhduar rrugën në drejtim të dritave. Duke zbritur poshtë, kemi dëgjuar një zë që na ka bërtitur: “ndal”! Në këtë kohë, Sokoli ka qenë duke ecuar para meje 15 metra, megjithëse nuk e shikoja, se ishte errësirë e plotë. Pas pak filluan krismat e automatikut dhe unë pashë flakën e tij. Unë, menjëherë jam shtrirë në tokë përmbys dhe nuk ka lëvizur fare. Pas 10 minutash, unë kam dëgjuar dikë duke folur: “Ja ku është njëri, këtu”. Gjatë kësaj kohe, unë kam lëvizur pak nga vëndi, por pa u larguar, se hidheshin rraketa që bënin dritë. Pas pak, mua më shtë afruar një qen kufiri dhe bashkë me të, ishte dhe një oficer. Pas pak, kanë ardhur dhe njerëz të tjerë dhe mua më kanë dërguar në postën e kufirit. Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin e lexoj dhe e firmos.

Lexo edhe :  Burgu i Spaçit/ Ekspozohen foto dhe dëshmi nga ish-të dënuar: Dhimbjen deri në...

    I PANDEHURI                           HETUESI

  (Gjelosh Gega)                        (Sokol Puto)

PROCES-VERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Në shkodër, sot me datën 9.10.1986, unë hetuesi i HetuesIsë së rrethit Shkodër, Sokol Puto, rimarr në pyetje, të pandehurin Gjelosh Gega:

Pyetje: I pyetur në hetuesi, dëshmitari Nik Gj., ka deklaruar se është takuar me ju, afër fshatit Vukël, ditën e premte, kurse ju i pandehur, keni thënë se e keni takuar me të, ditën e enjte, si është e vërteta.

Përgjigjie: E vërteta është se me këtë person, ne jemi takuar ditën e premte në mëngjez, pra ashtu siç thotë ai vetë. Natën e parë kemi fjetur mbi Bogë, kurse natën e dytë, të enjten në darkë, kemi fjetur jashtë në mal, kurse të premten në mëngjez, kemi takuar atë fshatarin nga Vukli.

Pyetje: Lidhur me qëllimin tuaj për t’u arratisur jashtë shtetit, a keni biseduar me njeri tjetër?

Përgjigjie: Unë kam për të thënë se, muhabetet që kemi bërë me Sokol Vreshtin, nuk i kemi biseduar me asnjë njeri tjetër, por vetem me njëri-tjetrin, neve të dy.

Pyetje: Cili ishte shkaku, që ju të dy donit të arratiseshit jashtë shtetit?

Përgjigjie: Unë nuk kam pasur asnjë shkak, që tentova të arratisem. Gjatë kësaj kohe që mendova me Sokol Vreshtin për t’u arratisur, kam menduiar të shkoja tek axha im, që banon në Amerikë. Kurse Sokoli, më thoshte se edhe ai donte të shkonte tek i vëllaj i tij, që e kish të arratisur dhe që jetonte edhe ai në Amerikë.

Pyetje: A biseduat me njeri tjetër ju i pandehur, se si do të shkonit deri në Amerikë?

Përgjigjie: Neve me njëri tjetërin, kemi biseduar vetëm për t’u arratisur, por nuk kemi menduar fare, se si do shkonim deri në Amerikë. Pra, neve kishim si qëllim, të shkonim deri në Amerikë, por se si do të shkonim deri atje, nuk e kishim menduar fare këtë punë.

Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexoj, e firmos.

    I PANDEHURI                           HETUESI

  (Gjelosh Gega)                        (Sokol Puto)

PROCES-VERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Në Shkodër, sot me datë 10.10.1986, unë hetuesi i Hetuesisë së Shkodrës, Sokol Puto, rimarr në pyetje të pandehurin Gjelosh Gega.

Pyetje: Ju i pandehur, akuzoheni edhe për veprën penale të shmangies përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, të kryer në bashkëpunim, vepër kjo e parashikuar nga neni 139 + 11 i Kodit Penal. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigjie: Unë këtë akuzë që më bëhet e dëgjova, e kuptoj dhe kam për të thënë se e pranoj. Unë me veprimin tim, jo vetëm që kam dashur të arratisem, por i jam shmangur përgjithmonë shërbimit të deturueshëm ushtarak, që isha duke kryer. Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexoj, e firmos.

    I PANDEHURI                           HETUESI

  (Gjelosh Gega)                        (Sokol Puto)

PROCES-VERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Në Shkodër, sot me datë 20.10.1986, unë hetuesi i Hetuesisë së Shkodrës, Sokol Puto, rimarr në pyetje të pandehurin Gjelosh Gega.

Pyetje: Përfundimisht ju i pandehur, akuzoheni se në bashkëpunim me persona të tjerë, keni tentuar të arratiseni jashtë shtetit në Jugosllavi si dhe i jeni shmangur përgjithmonë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në bashkëpunim, vepra këto të parashikuara nga neni 47 gj.11+13 dhe 139+13 të Kodit Penal. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigjie: Të dyja akuzat që më bëhen, unë i pranoj plotësisht dhe jam penduar për fajin që kam bërë dhe kërkojë mëshirë.Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexoj, e firmos.

    I PANDEHURI                           HETUESI

  (Gjelosh Gega)                        (Sokol Puto)

DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARIT RIFAT JAKUPI, KOMISAR I POSTËS SË KUFIRIT BASHKIM TË VERMOSHIT, NGA HETUESI SOKOL PUTO

Në lidhje me çështjen, shpjegoj si më poshtë: Para nja dy ditësh, postës sonë i është dhënë një situatë, se dy ushtarë të ardhur nga thellësia, janë nisur për t’u arratisur jashtë shtetit. Ne kemi marrë të gjitha masat në sektorin tonë, duke vëë në shërbim, edhe banorë të zonës. Gjatë këtyre dy ditëve, neve kemi vazhduar shërbimin pa ndërprerje. Dje pasdite, rreth orës 18.00, janë dëgjuar rreh 10-12 krisma pushke, nga mali i Bojës, në vëndin e quajtur “Gropat e Ujit”. Unë kam nxjerrë disa njësite përforcuese në drejtim të vijës së kufirit, dhe kam shkuar edhe vetë pas tyre. Rreth orës 24.00, unë isha bashkë me dy civila të njësitit dhe kam dëgjuar krisma automatiku, dhe pashë xhaketën e hedhur. Vetë, menjëherë jam kthyer në drejtim të krismave. Më pas meje, ka ardhur edhe shoqëruesi i qenit. Unë jam afruar tek vëndi ku kisha lënë njësitin dhe takoj ushtar, D.M., i cili më tha se njërin nga shkelësit e kishte vrarë dhe tjetri kishte ikur prapë. Unë kam shkuar në drejtim të vëndit, ku më tregoi ushtari dhe kam parë një ushtar të shtrirë, duke dhënë shpirt. Unë e kam pyetur; “Sa veta jeni”, dhe ai më ka thënë “dy”. Unë e kam lënë atë aty dhe jam kthyer të takoj njësitet e tjerë të bllokimit. Kur ka ardhur shoqëruesi i qenit, bashkë me të, jemi vënë në ndjekje të shkelësit të dytë, duke vënë qenin në gjurmë. Rreth 8-9 metra, më duket, qeni është hedhur sipër një personi, që ishte strukur tek disa shkurre. Unë bashkë me njësitin, e pashë që ishte një person, ushtar i shtrirë, përmbys. Vetëm e kam kthyer dhe e kam pyetur, nëse kishte plagë dhe ai më tha se nuk kishte. Pas kësaj, e kemi nxjerrë në rrugë dhe e kemi nisur në postë, bashkë me të plagosurin, i cili kishte vdekur. Kur kam ardhur në postë, kam mësuar se ushtari quhej, Sokol Vreshti, kurse ai që ishte gjallë, Gjelosh Gega. Ky i fundit, i thotë jam nga Boga, kurse i vrari, nga Bajza. Kur i kemi kontrolluar, u kemi gjetur dokumentet personale, një sasi lekësh, një fotografi, etj. Të vrarit, i kemi gjetur edhe një adresë personi për në Amerikë. Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin e lexoj dhe e firmos.

   Dëshmitari                                Hetuesi

  (Rifat Çokaj)                             (Sokol Puto)

DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË USHTAR D.M., I NJËSITIT KUFITAR TË POSTËS BASHKIM, NGA HETUESI SOKOL PUTO

 

Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit

 

Sot me datën 2.10.1986, në Vermosh, unë Sokol Puto, i hetuesisë së rrethit Shkodër, marrë në pyetje si dëshmitar i postës kufitare Bashkim, D. M., i datëlindjes 1965, me arsim 7 klasë, me vënd-banim në……., me detyrë ushtarë në postën kufitare Bashkim. Në lidhje me çështjen, shpjegoj si më poshtë: Unë jam ushtar i vitit të dytë në postën kufitare Bashkim. Para dy ditësh, na është dhënë një situatë që dy ushtarë, të ardhur nga thellësia, donin të arratiseshin. Për këtë, unë kam dalë në shërbim si gjithë shokët e tjerë, rreth orës 18.00 dhe jam kthyer nga shërbimi dje, pas 24 orësh. Në orën 17.00, na është dhënë pësëri situatë, se dy shkelësit, po ecnin drejt vijës së kufirit. Unë kam shkuar përsri në shërbim, kësaj rradhe, së bashku me një burrë të moshuar nga fshati Vermosh, që quhet M. Të gjithë shokët e mi, kishin dalë nëpër vënde të ndryshme bllokimi. Unë bashkë me atë burrin, kam marrë rrugën në drejtim të “Përroi të Shurdhët” dhe kishim urdhër për të zënë vënd në livadhin me fier. Kur kemi shkuar atje, kemi zënë vënd poshtë rrugës. Duke ndenjur në pritje, pas dy orësh, unë kam ndjerë një zhurmë, që vinte nga maja e malit, duke zbritur poshtë, në drejtim tonë. Pas nesh, rreth 500 metra, ishte vija e kufiri. Në këtë kohë, unë i kam dhënë plakut që kisha me vete, pistoletën shënjedhënëse dhe i thashë se; kur unë të bëja ndaljen, ai të qëllonte lart, për të ndriçuar vëndin. Kam pritur se po më afrohej, unë kam folur me zë të lartë: “ndal, parrullën”. Menjëherë, dëgjova hapat që po largoheshin dhe qëllova një herë në ajër. Pas kësaj, zhurma përsëri po largohej, dhe atëhere unë kam drejtuar armën nga fieri dhe kam qëlluar disa here, me breshëri. Në këtë moment, kam dëgjuar përballë meje, një “oh”. Unë kam filluar të afrohem barkas, në drejtimin nga kisha qëlluar. Në atë moment, ka ardhur aty tek ne, komisari i postës, të cilit i thashë se njërin e kisha vrarë, kurse tjetri, ka ikur. Bashkë me të jemi afruar me dritë tek personi i shtrirë dhe pashë që ishte një nga shkelësat i vrarë. Aty, komisari i ka afruar dritën dhe pamë që ishte akoma gjallë. Komisari e pyeti; “sa veta jeni”, dhe ai me gjysëm zëri është përgjigjur për “vetë i dytë”. Neve e kemi lënë atë të shtrirë dhe jemi vënë në ndjekje të tjetrit. Në këtë kohë, ka ardhur aty edhe kujdestari me qenin e kërkimit dhe kemi vënë qenin në gjurmë. Rreth 7-8 metra më lart, kemi parë të strukur në shkurre, një person tjetër, edhe atë ushtarë. Atë e kam parë që ishte gjallë dhe e kemi çuar vetë. Pastaj kanë ardhur edhe shokë të tjerë, të cilët kanë marrë kufomën me vete dhe kanë ardhur në postë. Shtoj se, kur kanë prurë kufomën, konstatova se ajo, ishte rreth 10 metra larg vëndit ku kam qëlluar unë. Shkelësin e kapur, e kemi pyetur për emrin dhe ay tha se quhej Gjelosh, dhe ishte nga Boga. Tjetër gjë nuk kam për të thënë. Procesin e lexoj dhe e firmos.

   Dëshmitari                                Hetuesi

 

       (D.M.)                           (Sokol Puto)

 

                  Vijon numrin e ardhshëm

 

 

Të fundit

VIDEO/ Interi nuk gabon, zikaltërit tregohen “cinikë” në shtëpi ndaj Comos

Interi vijon serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Komon me rezultatin 2 me 0...

Si të shmangni shtimin në peshë gjatë festave?

Festat e fundvitit janë sinonim i tryezave plot ushqime, pijeve të pafundme dhe ëmbëlsirave joshëse, por bashkë me këto kënaqësi vijnë edhe disa kalori...

Dalin analizat për mandarinat e importuara nga Shqipëria, ja rezultatet

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar sot rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e dyshuara për mbetje të pesticideve mbi nivelin e...

Moti i keq në vend/ Mbeten pa energji elektrike Kukësi dhe Gramshi

Moti i keq në vend ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike. Sipas informacioneve bashkia Kukës ka mbetur pa energji elektrike. Mendohet që të jenë stakuar...

Presidenti i zgjedhur Trump përsërit thirrjen për të blerë Groenlandën

Presidenti i zgjedhur ka përsëritur kërkesën që bëri gjatë mandatit të parë që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën nga Danimarka. Kërkesa zgjeron listën...

Lajme të tjera

Web TV