Silvio Berlusconi, oligarku që e ktheu politikën një “basic instinct”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ylli Pata

Ikja nga kjo jetë e Silvio Berlusconit ka sjellë një reagim të madh jo vetën në vendin e tij, Italinë, por në mbarë botën. E natyrisht jo vetëm në botën politike, por edhe atë kulturore, mediatike e mbi të gjitha sportive.

Nga Papa Françesku te Vladimir Putin, nga Van Basten te Ronaldo-fenomeni, kanë ngushëlluar me fjalë simpatie e respekti për ikjen nga kjo jetë, të një nga personazhet që kanë shënuar një epokë të rëndësishme në historinë italiane dhe europiane.

Silvio Berlusconi nuk ishte vetëm një personazh, një VIP me ndikim të paparë për kohën që jetoi, por arriti të kthehej në një model të vërtetë që u imitua në mënyrë transversal nga Paqësori në Atlantik, nga Mesdheu në Detin e Egje, e madje deri në kufinjtë e botës orientale ku është shumë e vështirë të hyjnë idetë e zakonet e jetës perëndimore.

Silvio Berlusconi ishte një ikonë tipike e kapitalizmit botëror, një njeri që të gjithë historinë e tij nuk e tregoi në mënyrë kronologjike, ashtu siç kishte ndodhur. Por si një imazh të kuruar, të përgatitur nga një ushtri e tërë mjeshtrash të lustrimit të imazhit që sot quhet PR.

Ai theu imazhin e politikës klasike, siç ishte njëherë e një kohë dhe ktheu atë model që kemi sot: politikën teatrale dhe televizive. Përpara Berlusconit, politikanët ishin përfaësues të mërzitshëm, konvencionale, që flisnin një lloj gjuhe tipike, por që bëheshin në interesantë vetëm kur kishte votime.

Ndërkohë sot, politikani është një lloj VIP-I, ku për të ka gossip e barcaleta, sharje e sulme, por edhe lavdërime, dit për ditë e natë për natë. E kjo nuk erdhi rastësisht, por këtë model, këtë kallëp e shpiku një person që sot ndërroi jetë e që quhet Silvio Berlusconi.

Po kush ishte njeriu që bëri epokë në Europë e botë, të cilin e imitoi me detaje edhe Donald Trump për të kapur Shtëpinë e Bardhë?

Eh, dhe për këtë ka disa histori. Biografia e kuruar e korporatës së Berluscës e ka nxjerrë një herkul që arriti të bëhej një miliarder nga hiçi. Kurse rivalët e tij politik e kanë vizatuar krejt kundërt-natyrisht.

Sipas tyre, Silvio Berlusconi u bëa q i pasur sa u bë me ndihmën e Cosa Nostras siçiliane, e cila ja dha parët e saj për t’i pastruar dhe shumuar në kryeqytetin e financës italiane-Milano.

Por si gjithmonë, e vërteta është diku në mes, me dritën e hijet e veta, ku faktet janë në shumicën e rasteve të dyzuara dhe të ndërthurura me shumë kleçka.

I lindur në vitin 1936 në Milano në një familje të mesme; babai bankier e nëna shtëpiake, Silvio ishte një fëmijë i boom-it ekonomik europian, atij që u ndërtua me miliardat e Planit Marshall të SHBA-së për vendet e Perëndimit.

Në biografinë zyrtare thuhet se Silvio ishte një djalë çapkën që këndonte në tragete e anije, por dhe shiste nëpër shtëpi tenxhere e tharëse flokësh, e rastësisht u takua me miqtë e jetës së tij që ishin Adriano Galliani, Fedele Confalonieri dhe Marcello del Ultri.

Por “rastësisht”, ata ishin njëri dhe më i fuqishëm se tjetri, njëri më misterioz se tjetri. Confalioneri ishte djali i një familje shumë të rëndësishme të borgjezisë milaneze e jo rastësisht sot është presidenti Veneranda Fabbrica del Duomo di Milano.

Përkatësisht institucionit më të rëndësishëm të Arqipeshvisë së Milanos, e cila ka qenë historikisht një nga shtyllat e Vatikanit, lob nga ku kanë dalë e janë mbështetur Papë në gjithë hitorinë e Kishës Katolike.

Tjetri, Adriano Galliani, po “rastësisht” ishte drejtuesi i një ndërmarrje që prodhonte antenna televizive e që u bë më pas aseti për krijimin e perandorisë mediatike. i treti dhe më misteriozi, Marcello del Ultri, nuk ishte milanez, por një siçilian me rrënjë e me degë. Që sot e kësaj dite është i dënuar për “grup të të strukturuar mafioz” e lidhje me mafian siçiliane Cosa Nostra.

Berlusconi u bë i famshëm në Milano pasi ndërtoi një nga suborget periferike “Milano 2”, një qytet i tërë me ndërtime, infrastrukturë, që brenda kishte edhe spitale, shkolla, kopshte, e natyrisht roje e qetësi.

Me një fjalë si këta periferitë e të kamurve të Tiranës që jetojnë në vende ku nuk kanë kontakt me popullin. “Milano 2” e ktheu Silvion një biznesmen të madh dhe të njohur në qytetin më të rëndësishëm të industrisë dhe financës italiane.

Ai ju dha të pasurve dhe stresës së lartë, një lagje të denjë. Por ende nuk ishte shumë i njohur. Jemi në vitet 70 të shekullit të shkuar. “Milano 2” që strehoi 10 mijë banorë u fut në funksion në vitin 1979. Në vitin 1977, Berlusconi dha një intervistë në gazetën “La Repubblica” ku thoshte se “Italia po shkon shumë majtas”.

Po ku i mori lekët Silvio për të ndërtuar një qytet? Biografia zyrtare thotë se ishin kredi bankare, akuzat, ku ka edhe procese penale thonë se ato para erdhën nga Siçilia, nga arka e trafikut të heroinës.

Në shtëpinë e Berlusconit në periferinë e pasur të Brianza-s, e vamshmja Villa Arcore jetonte edhe një person i çuditshëm: Vittorio Mangano. Zyrtarisht ai ishte stallier e kujdesej për kuajtë e familjes, por në realitet ai ishte pjestar i një prej bosëve të kupolës së Cosa Nostra-s, Stefano Bontade-s.

Edhe pse stallier, Mangano hante së bashku me familjen e Silvios, fëmijët e tij shkonin në të njëjtën shkollë të shtrenjtë me fëmijët e padronit dhe nuk jetonte në ndonjë kthinë, porn ë një nga apartamentet e Arcore-s.

Pasi u bë i pasur me Milano 2, pra si ndërtues, Berlusconi donte të bëhej i famshëm dhe influent. Kështu bleu aksionet e një prej gazetave më të rëndësishme të vendit, Il Giornale që kryeredaktor kishte as më pak e as më shumë, por mitikun Indro Montanelli, si dhe bleu dy televizione të vegjël lokalë. Pasi bëri tre televizione lokalë, me ndihmën e një sistemi antenash të fuqishme arriti të lidhë televizionet lokalë të Milanos me disa prej televizioneve të vegjël lokalë në të gjithë Italinë, që u ngritën si kërpurdhat pas shiut.

Po kush ishte “shiu” që ngriti kërpurdhat është gjithmonë pyetja. Fakt është që në fund të viteve 80, pra në prag të rrëzimit të murit të Berlinit, Berlusconi krijoi tre rrjete televizive private kombëtare e komerciale.

E kështu nisi të blejë një nga një të gjithë yjet e televizionit Italian RAI. Bleu së pari Mike Buongiornon, mbretin e quizit televiziv, një nga njerëzit më me influencë në vend. Siç e ka treguar vetë i ndjeri Mike, Berlusca i tha: “Mike sa e ke rrogën”?

Lexo edhe :  Po sulmojnë kryq-udhët apo vetë Krishtin?!

Ai ja tregoi. “Shumëzoje me 4”! Kështu bleu Rajmondo Vianellon dhe të shoqen Sandrën, Maurizio Costanzo-n, Enrico Mentana-n e të tjerë e të tjerë. Deri sa mori të gjithë yjet e televizionit për kanalet e tij.

E kështu krijoi një perandori televizive komerciale ku arriti të marrë shumicën e audiencën. Në krye të kësaj perandorie vuri aristokratin milanez Fedele Confalonieri.

E kështu arriti të vendosë në duart e tij reklamën televizive të industrisë italiane nëpërmjet kompanisë së tij të reklamave: Publitalia që e drejtonte siçiliani Marcello del Ultri, që për Silvion ishte një “bibliotekofil”.

Publitalia e ktheu reklamën në një industry, duke punësuar në të gjenitë e socialogjisë europiane, ku përveçse përgatisnin spote e shpërndanin publicitet, bënin sondazhe të përditshme se çfarë donte, kërkonte, pëlqente audienca italiane.

E kështu krijuan audiencën-elektorat, që do të ishte në momentin e duhur baza zgjedhore e Silvio Berlusconit-politikan. Por i ndjeri Silvo, nuk se kishte marrëdhënie të këqia me politikën edhe para se të hynte në të. Miku më i afërt i tij ishte një kalë rrace i politikës italiane.

Ai quhej Bettino Craxi, kryeministër, ministër i jashtëm, përveçse lideri i Partisë Socialiste Italiane. Përndryshe një milanez me rrënjë e me degë. Craxi, ishte dëshmitari kryesor në martesën e dytë të Berlusconit me Veronica Larion, aktoren bukuroshe të teatrit që e rrëmbeu pasi la gruan e parë, Carla Elvira Dall’Oglio, me të cilën ka dy fëmijë: Marinën, sot kreu i shtëpisë botuese Mondadori dhe Pier Silvion, kreun e Mediaset, korporatës që ka tre televizionet më të mëdhenj komercialë në vend: Canale 5, Italia 1, Rette 4, portalin TG com dhe rrjetin digjital të kësaj korporate që shet programe me pagesë.

Ndërkaq, nuk mund të ketë Berluscon pa një nga xhevahiret e gjenialitetit të tij-Milanin. Ai e bleu klubin e famshëm të qytetit, i cili kishte lavdinë e vjetër, por prej kohësh kishte ngecur. Berlusconi caktoi biznesmenin e antenave, që kishte edhe një klub futbolli, atë të Monza-s, Adiano Galliani, si drejtues i klubit të Milanit. i cili në pak vjet u kthye në një nga legjendat e futbollit botëror.

Gjithçka nisi nga blerja e tre holandezëve magjikë: Marco Van Basten, Rud Gullit e Frank Rijkaard, të cilët ishin bërthama virtuoze e një klubi që fitoi më shumë se të gjithë ekipet italiane në arenën e futbollit botëror.

Në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, Italia përfshihet në operacionin gjigand të prokurorisë së MIlanos, “Mani Pulite”, ku shënjestra kryesore ishin politikanët e korruptuar dhe oligarkët që merrnin favorizime prej tyre. i pari në listën e Antonio di Pietros me shokë ishte Bettino Craxi, e natyrisht miku i tij i ngushtë Silvio Berlusconi.

I cili, gjen momentin dhe hyn menjëherë në politikë, pasi kishte ngritur legjendën e imazhit të tij. Ishte biznesmeni që nga hiçi ishte kthyer në një nga njerëzit më të pasur dhe më influentë të Italisë. Njeriu i televizioneve dhe shefi i Milanit të madh.

Prej vitesh, ndërmjet Publitalia-s kishte targetuar elektoratin, kishte gati idenë e luftës kundër “komunistëve” dhe prokurorëve, e kështu hyri në politikë, apo siç e quajti: “Zbritje në fushë”.

E kështu krijoi edhe partinë me temë nga futbolli: “Forza Italia” siç ishte sllogani i tifozëve të kombëtares italiane të futbollit. Në partinë e tij Berlusconi mori disa kuadro të njohur të ish-Partisë Demokristiane italiane, por shumica ishin djem të pashëm e mbi të gjitha vajza e gra të bukura që vinin nga ndërmarrjet e tij.

Madje ka një legjendë se “bibliotekari” Del Ultri i zgjidhte në menzën e Publitalia-s dhe Mediaset-it.

E si për çudi të të gjithëve po jo të Silvios, “Forza Italia” fitoi zgjedhjet 3 muaj pas themelimit. Berlusconi e kishte llogaritur gjithçka në mënyrë shkencore. Por e gjithë historia e re e tij nis pikërisht këtu.

Kur fiton zgjedhjet e bëhet Kryeministër i Italisë, si oligarku i parë europian që merr pushtetin politik, pasi kishte në dorë atë ekonomik.

Politika e Berlusconit është një histori krejt e ndryshme nga politika konvencionale. Ai nuk mban fjalime, por tregon barsaleta, nuk flet për programe por bën batuta.

Madje edhe me liderët e mëdhenj botërorë. Mbahen mend gallatat e Silvios me Obaman, Merkelin, batutat pa takt me Sarkozy-në për të shoqen e tij italiane Carla Bruni etj etj. Deri edhe shakatë për femrat shqiptare me Sali Berishën në Tiranë, që e sikletosën kryeministrin e atëhershëm të Shqipërisë.

Ishte një mënyrë politike e re, e cila edhe pse u sulmua, u tall dhe u kritikua, dalë nga dalë u kthye në një model të një politike gjithnjë e më shumë globale.

Një politikë që nuk ka një format, por vetëm personazhe që bëhen virale; përgjithësisht burra të famshëm e gra të bukura që kthehen në fenomene televizive.

Një politikë që një nga filozofët e njohur europianë e ka quajtur “Basic Instict”. Si filmi mitik i fillim viteve 90 i Paul Verhoeven me protagonistë: Sharon Stone e Michael Dugllas.

Një politikë që krijohet në laborator dhe merret më shumë me formën sesa përmbajtjen, me imazhin e propagandën sesa me thelbin e saj. E kështu Berlusconi u kthye në një mit, në një vulë e Italisë moderne që i ka dhënë firmën e tij përveç bukurive të mëdha e emrave legjendarë të artit, shkencës por edhe kulturës botërore.

I martuar tre herë me 5 fëmijë dhe 10 nipa, Silvio Berlusconi ndërroi jetë në spitalin privat San Rafaello të Milanos, ku kurohen vetëm VIP-at, nga një formë e rrallë e leuçemisë. i transformuar fizikisht prej operacioneve të shumta plastike, vitet e fundit ishte kthyer në një hije të vetvetes.

Por partia e tij Forza Italia u shkërmoq vit pas viti, pasi Silvio nuk krijoi asnjë pasardhës. Ish-bashkëpunëtori e më pas armiku i tij, Cianfranco Fini do të thoshte për partinë e Berlusconit: “Ajo është një monarki që do të vdesë me të zotin”.

I dënuar disa herë, i hetuar për vite e vite për disa vepra penale, që nga raportet me minorene e deri te lidhjet me mafia-n, Berlusconi megjithatë po përcillet me nderim zyrtar. Funerali shtetëror do të mbahet në katedralen e Milanos “Duomo”, ku do ta nderojnë që nga Presidenti i Republikës, Sergio Matarella, kryeministrja Giorgia Meloni, që politikën e nisi si minister e Berlusco-s dhe e gjithë klasa politike italiane.

Në lidhje me Shqipërinë, Silvio Berlusconi do të mbahet mend për një gjest tejet fisnik të kryer kur ishte lider i opozitës italiane. Në vitin 1997, kur anija ushtarake italiane Sibilla shkaktoi mbytjen e anijes shqiptare Kateri i Radës e çoi në vdekjen e 57 personave, Berlusconi takoi të mbijetuarit e tragjedisë me lot në sy, shprehu ngushëllimet dhe dënoi fort këtë akt të rëndë të ushtrisë italiane

Të fundit

Kthjellime dhe vranësira lokale/ Parashikimi i motit për sot, 25 dhjetor 2025

Pjesa e parë e ditës do të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike në të gjithë territorin, duke sjellë alternime kthjellimesh dhe...

Zvicra mbetet pa ambasador shqiptar, Mustafa Nano jep dorëheqjen

Presidenti i Republikës se Shqipërisë ka pranuar të gjitha propozimet e qeverisë Rama për të emëruar disa diplomatë shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar ata...

“Do të kenë sukses financiar në 2025″/ Ja cilat shenja do të marrin rrogën e ëndrrave

Astrologu Evan Nathaniel Grim deklaroi se disa shenja të zodiakut do të kenë një sukses financiar në vitin 2025. 1. Binjakët Lidhja Jupiter-Venus aktivizon shtëpinë e tetë...

Ja cilat fruta të thata duhet të konsumoni, nëqoftëse keni mungesë hekuri

Nëse keni marramendje të shpeshta apo ndiheni të lodhur e të dobët, atëherë trupi juaj mund të jetë i mangët në hekur. Hekuri është një nga...

Lajme të tjera

Web TV