Djali i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Danilo Vuçiç, i është bashkuar serbëve në festën e Vidovdanit në Graçanicë. Sipas mediave vendase mësohet se djali i presidentit është parë duke përshëndetur serbët të cilët po marrin pjesë në festime. Mirëpo, ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve ka qenë bluza që Danilo Vuçiç ka zgjedhur që të veshë.
Në bluzën e tij shkruhet : Dorëzimi s’është opsion!
Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në Manastirin e Graçanicës janë mbledhur serbët, për të shënuar të ashtuquajturën “festën e Vidovdanit”. Më herët Policia e Kosovës tha se janë në monitorim dhe kanë marrë një sërë masash për menaxhimin e situatës dhe për mos lejimin e tensioneve.
Ndërkohë, ditën e djeshme qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut dhe në Graçanicë çuan një mesazh kërcënimi ndaj autoriteteve në Kosovë, që në rast se ata do të vazhdojnë arrestimet, atëherë serbët do përgjigjen.
Mesazhi u përcoll drejt autoriteteve kosovare nëpërmjet dokumentit “Deklarata e Vidovdanit”, i cili lexua të martën nga ish kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviç gjatë protestave në Mitrovicën e Veriut.