Nga Kriton Kuci
David Harvey thotë se dy vjecari 1978-1980 do të konsiderohet stacion në historinë politike dhe ekonomike globale (Harvey, 2005). Janë pikërisht 2 vitet që shënjojnë një ndryshim në boshtet ideologjike mbi të cilat ishte ndërtuar ekonomia politike në periudhën e pas luftës së dytë botërore.
Dhe janë pikërisht këto ndryshime në bazën e filozofisë së ekonomisë politike dhe reformat që do të fillojnë njëkohëisht gjatë këtyre 2 viteve në Kili, SHBA, MB dhe Kinë dhe që në dhjetëvjecarët në vazhdim do të marrin përmasa globale që sot i njohim rëndom me termin “neoliberalizëm”.
Neoliberalizmi nuk mund të linte të paprekur edhe mënyrën se si arsimi i lartë filloi të konceptohet, të ndryshojë dhe të riformatohet për tu përshtatur me elementët bazë që e karakterizojnë praktikën ekonomike neoliberale: privatizim, liberalizim dhe derregullim (Stromquist, 2002).
Efektiviteti i neoliberalizmit, në lidhje me përhapjen globale të tij, spjegohet me brendësimin e tij, riprodhimin dhe provomimin e tij nga organizatat e mëdha ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregëtisë, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Bashkimi Evropian (Harvey, 2005) (Stiglitz, 2002). Ndikimi i vendimeve dhe politikave të këtyre organizatave, në drejtimin që zhvillimi i arsimit të lartë do të marrë, është shumë i rëndësishëm.
Kështu BB është sot kreditori më i madh i programeve arsimore në botë dhe gjithmonë në bashkëpunim me FMN; OBT nëpërmjet GATS promovon zhdukjen e barrierave fiskale dhe kufizimeve jo vetëm të tregëtisë por edhe të shërbimeve (pjesë e të cilave konsiderohet edhe arsimi); OECD nepërmjet programit PISA për vlerësimin e performancës së nxënësve ndikon në mënyrë rrënjësore në reformat arsimore që ndërmerren nga shtetet; dhe BE nëpërmjet Procesit të Bolonjës dhe krijimit të “hapësirës arsimore evropiane” ndikon në drejtimin që sistemi i arsimit të lartë do të marri në të gjitha vendet anëtare si dhe në ato që hyjnë në rrugën e integrimit evropian (Νίκα, 2016).
Neoliberalizmi manifestohet kryesisht nëpërmjet tre trendeve në arsimin e lartë. Këto janë privatizimi i tij (pra mos konsiderimi i ofrimit të arsimit të lartë si detyrim i shtetit), komercializimi (pra konsiderimi i arsimit si një produkt i cili nënshtrohet rregullave të tregut) dhe korporatizimi (pra futja e praktikave menaxheriale në funksionimin dhe administrimin e tij) (Kezar, 2004).
Këto trende kanë ndikuar në një sërë aspektesh të arsimit të lartë ku mund të përmendim ri shtresëzimin e disiplinave akademike (Gumport, 2000) nëpërmjet uljes të financimit së shkencave sociale dhe humane dhe rritjes për ato egzakte dhe atyre të aplikuara (Slaughter, 1998).
Në këtë mënyrë disiplinat akademike ju nënshtrohen tërësisht logjikës së tregut ku shkencat e aplikuara, teknologjia e informacionit dhe mjekësia shohin një rritje të vlerës së tyre kurse shkencat sociale dhe ato humane zhvlerësohen gjithnjë e më shumë (Rhoades, 1998).
Megjithëse sistemet e arsimit të lartë konsiderohen se janë ende domein i shteteve kombe, ndryshimet dhe dinamikat e sistemit ndërkombëtar si pasojë e globalizimit gjatë 40 vitëve të fundit, kanë ndikuar në mënyrë rrënjësore në natyrën dhe në qëllimin e arsimit e lartë.
Masivizimi i arsimit të lartë, privatizimi i tij, inkorporimi i praktikave dhe i logjikës së tregut, ndërtimi i konceptit të “tregut arsimor”, decentralizimi, llogaridhënia, futja e praktikave menaxheriale në administrimin e institucioneve të arsimit të lartë janë vetëm disa nga ndikimet që procesi i globalizimit ka sjellë (Kandiko, 2020).
Procesi i globalizimit lidhet me arsimin e lartë kryesisht nëpërmjet komponentit neoliberal të tij, që me fokusimin te aspektet politike dhe ekonomike jep edhe ndikimet më të rëndësishme (Morroë & Torres, 2003). Brenda këtij “universi neoliberal” zhvillohen edhe pritshmëritë që studentët kanë në lidhje me studimet e tyre dhe njëkohësisht edhe arsyet mbi të cilat përzgjedhja e studimeve universitare kryhet. Studenti i ardhshëm mësohet ti përzgjedhi studimet e tij si një “subjekt sipërmarrës” (Foucault, 2010).
Studenti i ardhshëm ndërtohet si një “subjekt sipërmarrës” si një sipërmarrës i vetes, i cili është prodhues i kapitalit të tij. Ky kapital i vetes merr formën e pagesës dhe pagesa supozohet se varet nga cilësitë që dikush ka në lidhje me punën që bën. Këto cilësi janë ajo që konsiderohet rëndom si kapital human, pra cilësi të përftuara për të cilat një individ paguhet dhe në këtë mënyrë mund të zhvillojë aktin e konsumit që në fund prodhon kënaqësinë individuale (Foucault, 2010).
Me fjalë të tjera përzgjedhja e studimeve universitare vështirë se mund të konsiderohet një akt që është i lidhur eksluzivisht me “prirjet” e kandidatit për student. Duhet që “prirjet” ti përshtaten qëllimit kryesor që një subjekt neoliberal duhet të ketë në një kohë si kjo e sotmja. Dhe ky qëllim nuk mund të jetë tjetër përvec se investimi në kapitalin human të vetes. Duhet që prirjet ti nënshtrohen logjikës së tregut.
Neoliberalizmi është shndërruar në një formë diskursi dhe mbi të gjitha përgjatë 30 viteve të fundit në diskursin mbizotërues. Dhe është pikërisht ky diskurs që formëson edhe mënyrën se si “prirjet” ndërtohen. Sjellja shoqërore mund të zhvillohet vetëm brenda kornizave të imponuara nga neoliberalizmi si diskurs. As përzgjedhja e studimeve universitare nuk mund të zhvillohet në një vakum diskursiv.
Neoliberalizmi është shumë më shumë se një ideologji. Është një mënyrë të mënduari e cila nëpërmjet të shprehurit, nëpërmjet diskursit, vendos individin në një pozicion të caktuar në lidhje me realitetin shoqëror. Është një kornizë nëpërmjet së cilës i japim kuptim realitetit. Ashtu sic ndodh me cdo formë diskursi dominant, edhe neoliberalizmi është shndërruar në “logjikën e thjeshtë” (Harvey, 2005) të kohës sonë dhe komponentët e tij nuk vihen në dyshim por konsiderohen si të mirëqëna.
Është brenda kësaj kornize konceptuale të imponuar nga neoliberalizmi që kandidati për student duhet të bëjë përzgjedhjen e tij të studimeve universitare.
Pra cdo përpjekje për të kuptuar arsyet e përzgjedhjes së një dege të caktuar nga ana e kandidatëve për studentë, duhet të niset nga premisa se procesi i përzgjedhjes nuk zhvillohet në një vakum social por ndërtohet brenda kontekstit social, politik dhe ekonomik. Dhe ky kontekst për të paktën 50 vitet e fundit është ndikuar nga neoliberalizmi më shumë se nga cdo ideologji tjetër.
Kjo është edhe arsyeja se pse cdo ditë e më shumë fusha të tëra studimore (sic janë kryesisht ato sociale dhe humane) vijnë duke u zhvlerësuar dhe duke mos u futur në “preferencat” e kandidatëve për studentë. Kjo nuk është një rrjedhojë “e natyrshme” por rezultat i politikave të ndjekura në nivel global.
Sigurisht që një gjë e tillë nuk është pa pasoja social-ekonomike dhe kryesisht politike. Fakultetet e shkencave sociale janë hapësirat sociale par excellence ku zhvillohet mendimi kritik, ku hidhet “fara e dyshimit” e cila frytet e saj të domosdoshme do ti japi në gjithë shoqërinë.
Brenda këtyre hapësirave sociale (kuptohet që jo eskluzivisht vetëm brenda tyre) ndërtohet njeriu politik, solidar, ai që gjithmonë vendos cdo gjë në dyshim, ai që dekonstrukton mitet kombëtare dhe sociale dhe në analizë të fundit ai që është njëkohësisht ndërtues por edhe bartës i progresit.
Cdo zhvlerësim i mëtejshëm këtyre hapësirave sociale do jetë me pasoja (edhe më) të rënda për vetë shoqërinë demokratike. Dhe fatkeqësisht këto pasoja janë të dukshme sot në nivel global.