Megjithë përmirësimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, bashkitë e zonave malore në veri të Shqipërisë vazhdojnë të përballen me ritme më të ulëta zhvillimi dhe probleme social- ekonomike krahasuar me pjesën tjetër të vendit.
Në konferencën “Barazia gjinore në Veri të Shqipërisë”, mbajtur në Shkodër, drejtuesja e organizatës “Gruaja tek gruaja”, Denada Shpuza tha se kjo situatë ka reflektuar në pjesën më të madhe tek gratë dhe vajzat që jetojnë në këtë pjesë të vendit.
“Kërkesat e grave dhe vajzave vazhdojnë të jenë bazike si; furnizimi me ujë të pijshëm, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe kryesisht ndriçimit, përmirësimi i infrastrukturës në shkolla, përmirësimi i sistemit të kanalizimeve. Duket sikur janë problematika që shqetësojnë të gjithë komunitetin, por më së shumti në fakt shqetësojnë gratë dhe vajzat”, tha ajo.
Problemet social-ekonomike shpesh herë manifestohen me dhunë brenda familjes, thotë Lindita Gjeçaj, një grua e divorcuar 12 vite më parë për shkak të dhunës. Lindita thotë se, zonat malore janë lënë disi jashtë vemendjes, si përsa i përket nevojës së informimit të grave dhe vajzave, ashtu edhe mbështetjes së tyre. Kjo situatë, thotë Lindita, e bën gruan inferior në familje, ndaj edhe një pjesë e madhe e grave, në bashkitë veriore të Shqipërisë, nuk tentojnë të marrin urdhër mbrojtje në gjykatë në rastet e dhunës në familje.
“Ne, si gra të dhunuara, jemi shumë të painformuara në lidhje me urdhërin e mbrojtjes. Ku do të drejtohemi si në gjykatë, në prokurori? Hasim shumë probleme, sepse një grua e dhunuar do të dalë në rrugë bashkë me fëmijët. Ajo do të marrë parasysh që të paguaj ujin, dritat, qeranë e shtëpisë, t’i ushqejë fëmijët. Me çfarë do t’i ushqejë? Sepse kushtet ekonomike janë shumë të vështira”, thotë ajo.
Ndërsa dejtuesja e organizatës “Gruaja tek gruaja”, Denada Shpuza, thotë se adresimi i këtyre problematikave nuk mund të bëhet vetëm nga burrat pa pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje. Në bashkitë në veri të Shqipërisë nuk ka asnjë grua kryetare bashkie dhe as në krye të njësive administrative. “Pavarësisht se kemi një përmirësim të situatës përsa i përket përfaqësimit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre në këshillat vendore apo kemi një numër të shtuar të grave në administratën publike, ajo që unë mund të them është se ka një problematikë edhe më të hershme në Bashkinë e Shkodrës sepse, në krye të njësive administrative nuk ka asnjë grua. Dhe, pa dyshim, adresimi i çështjeve nuk mund të bëhet njësoj si nga burrat, ashtu edhe nga gratë”, thotë Denada Shpuza.
Në studimin që organizata “Gruaja tek gruaja” ka kryer në 4 bashkitë veriore të Shqipërisë; në Shkodër, Malësi e Madhe, Fushë-Arrëz dhe Has, është arritur në përfundimin se, mungesa e grave dhe vajzave në vendimmarrje lidhet më së shumti me mentalitetin e banorëve të kësaj zone si dhe me vështirësitë që gratë dhe vajzat hasin në jetën e tyre të përditëshme.
Burimi: voa
———————
Kina dhe Gjermania – më shumë rivalë se sa partnerë
Strategjia e re Gjermanisë ndaj Kinës është një kthesë nga politika e ish-kancelares Angela Merkel.
Strategjia e Kinës është një përpjekje për të reduktuar varësinë e madhe të Gjermanisë nga ky Kina, pa hequr dorë nga kontaktet. Volumi i tregtisë mes dy vendve tregon se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet ekonomike për të dyja palët: Kina ka qenë partnerja tregtare më e rëndësishme për të shtatën herë radhazi në vitin 2022. Në vitin 2022, shkëmbimi i mallrave arriti në pothuajse 300 miliardë euro.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, nga SPD, dhe shoqatat gjermane të biznesit janë përpjekur që strategjia të mos ketë shumë kufizime, edhe pse Të Gjelbrit, kanë kërkuar vazhdimisht një kurs më të ashpër ndaj Kinës dhe shpërndarje të tregtisë edhe në vendet tjera aziatike.
Kthesë nga politika e ish-kancelares Angela Merkel
Ndryshe është sjellë Gjermania ndaj Kinës në kohën e kancelares Angela Merkel (2005-2021). Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin aq të mira, saqë në vitin 2014 ato arritën deri në nivelin e “partneritetit strategjik gjithëpërfshirës”. Ndërsa tani po flitet gjithnjë e më shumë për rivalitet, e jo partneritet. Shkaqet janë të shumta, si “miqësia e patundur” e Pekinit me Moskën me gjithë luftën e Rusisë në Ukrainë, tensionet në rritje në Tajvan, shkeljet e të drejtave të pakicës uigure në Kinë, apo largimi i teknologjisë nga Gjermania.
Ekonomia dhe Ekspertët e mirëpresin strategjinë e re
Thorsten Benner, drejtori i institucionit kërkimor Global Public Policy Instutute, me qendër në Berlin, i tha DW se “ky distancim i qartë nga politika e ish-kancelares Angela Merkel, ishte i nevojshëm dhe urgjent”. Siegfried Russwurm, President i Federatës së Industrive Gjermane, tha se në parim e mirëpret këtë distancim, por paralajmëron për ekzistencën e rrezikut të kufizimit të nismave sipërmarrës të kufizohet shumë larg, duke penguar kështu në mënyrë të panevojshme gjenerimin e pasurisë dhe inovacionin.”
Peter Adrian, Präsident i Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë së Gjermanisë është skeptik ndaj këtij distancimi nga epoka e kancelares Merkel: Kur jemi në marrëdhënie tregtare, mund t’i kuptojmë më mirë të tjerët dhe të përcjellim pjesë të vlerave dhe kulturës sonë”, tha ai. Ne duhet të kemi kujdes të mos marrim rolin e misionarit.
Në samitin e NATO-s në Vilnë të Lituanisë, Olaf Scholz theksoi para gazetarëve se nuk bëhet fjalë për shkëputje nga Kina, por për minimizim të rrezikut (“de-risking” dhe jo “de-coupling”).
Reagimet nga Kina të rezervuara
Qeveria kineze ka reaguar me kujdes ndaj strategjisë së Kinës të miratuar nga Kabineti Federal. Kina shpreson se Gjermania do ta shohë zhvillimin e saj në mënyrë “racionale, të përgjithshme dhe objektive,” tha ambasada kineze në Berlin. Kina është partnere e Gjermanisë në kapërcimin e sfidave, e jo një rivale. “Minimimi i rrezikut, bazuar në paragjykime ideologjike dhe frika nga konkurrenca është i kundërprodhues dhe i përkeqëson rreziqet në mënyrë artificiale,” thuhej në deklaratën e ambasadës.
Burimi: dw