Spektakël, eurogola dhe gafa në miqësoren e luksit Milan-Real Madrid. Dy skuadrat me më shumë trofe në Champions League, u përballen mes tyre në SHBA, në “Rose Bowl”, Pasadena, aty ku u zhvillua finalja e Botërorit 1994.
Skuadra e Carlo Ancelottit fitoi 2-3 me përmbysje. Pjesa e parë foli për kuqezinjtë e Stefano Piolit. Fikayo Tomori zhbllokoi takimin pas një asisti të Ivan Pulisic, ndërkohë që Luka Romero debutoi me një eurogol.
Më pas Federico Valverde “show” në fraksionin e dytë. Mesfushori uruguaian shkurtoi diferencën falë ndihmës së portierit Sportiello, teksa dy minuta më vonë barazoi rezultatin me një goditje potente.
Golin e fitores për “Los Blancos” e realizoi Vinicius Junior 6 minuta përpara fundit të takimit. Braziliani mori një top nga Luka Modric dhe e dërgoi atë në rrjetë, për t’i dhuruar Realit suksesin në këtë sfidë.
Për skuadrën italiane debutuan Sportiello, Loftus-Cheek, Pulisic, Romero dhe Reijnders, teksa në krahun tjetër erdhi debutimi i anglezit Bellingham. Goditja e madhe e Realit në merkato.
https://youtu.be/nOblBnVR1Po