Pse NATO ka frikë nga Rusia?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Victor Rud “The Hill

Pse aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë botërore dështoi të parandalonte pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2014 dhe zgjerimin e luftës vitin e kaluar? NATO përbëhet nga 31 vende (së shpejti 32), të cilat përfaqësojnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së botës, duke përfshirë 3 fuqi bërthamore.

Popullsia e Rusisë është më pak se gjysma e popullsisë së Amerikës, dhe ekonomia e saj është sa ajo e qytetit të Nju Jorkut. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, është tashmë në vitin e saj të nëntë, duke e shkatërruar “rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, për të cilin kemi luftuar me aq guxim në shekullin e kaluar dhe që nga ajo kohë e në vazhdim.

Kjo nuk është vetëm një luftë kundër një vendi që së pari në Luftën e Dytë Botërore pagoi koston më të lartë në jetë njerëzore se çdo vend tjetër në botë për atë “rend”; së dyti, pavarësia e të cilit në vitin 1991 siguroi shpërbërjen e Bashkimin Sovjetik, duke e bërë Amerikën “sërish të madhe”; së treti, ne u detyruam t’i dorëzonim Rusisë arsenalin e tretë më të madh bërthamor në botë (dhe armatimin konvencional, përfshirë MANPADS, për të cilin ne ndihmuam në shkatërrimin e tij); dhe së katërti që po lufton me të njëjtin Kremlin që rreshtoi terrorizmin islamik kundër Amerikës dhe Perëndimit.

Ajo është gjithashtu një luftë gjenocidale në qëllimin e saj të shpallur, një manual që kopjon gjenocidin e vetë Stalinit në Ukrainë në vitet 1932-1933. Përballë të gjithave, si është i mundur ky dështim? Krahasoni 51 vendet e NATO-s dhe ato aleate (përfshirë Ukrainën) që u angazhuan në Afganistan dhe 35 vende të koalicionit që çliruan Kuvajtin.

NATO ndali masakrat e serbëve në Ballkan. Tani analizoni pak frikën tonë nga “lufta me Rusinë”, nga “Lufta e Tretë Botërore” dhe “bërthamore”. Në samitin e saj vjetor në Vilnius, ishte frika arsyeja e refuzimit që NATO i bëri anëtarësimit të Ukrainës derisa (në mënyrë të pakuptimtë) “aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”.

Ose thënë ndryshe “derisa të përfundojë lufta”. I njëjti refuzim u vu re edhe në samitin e Bukureshtit të vitit 2008 (ku u hodh poshtë edhe kërkesa e Gjeorgjisë). E njëjta frikë shpjegon refuzimin e NATO-s për të vepruar në përputhje me “konceptin e saj strategjik origjinal, i cili ishte i përkushtuar për të ndalur konfliktet dhe luftërat që kërcënonin sigurinë dhe stabilitetin e shteteve të saj anëtare”.

Dhe ishte po frika që e detyroi NATO-n t’i shmangej llojit të ndërhyrjes humanitare në Ukrainë, ndërhyrje që ajo e ka praktikuar në të kaluarën tek vendet jo-anëtare të NATO-s.

Frika qëndron gjithashtu pas ndihmës ushtarake të druajtur ndaj Ukrainës, kufizimeve në mënyrën e përdorimit të armëve, nxitjes së Kievit për të hyrë në negociata me Moskën dhe për të arritur një marrëveshje konsensuale mbi konfliktin.

E njëjta frikë ushqen edhe frikën nga fitorja e mundshme e Ukrainës dhe kolapsit të Rusisë. Refreni i vazhdueshëm mbi skenarin e rrezikshëm të “shpërbërjes” së Bashkimit Sovjetik futi në panik Uashingtonin edhe në vitin 1991, ndonëse më pas ne rimorën lidershipin global (që më pas e shpërdoruam menjëherë).

Kjo qasje është nga ana tjetër hipokrite, edhe sepse fitorja e Ukrainës do të forconte “rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, të cilin e kemi dobësuar me qëndrimin tonë prej vitesh dhe me të cilin shpresojmë që të kufizojmë rritjen e Kinës si një fuqi globale. Për më tepër, fitorja do të siguronte ekzistencën e Ukrainës si komb.

Në aspektin konceptual, shqetësimi mbi Luftën e Tretë Botërore apo se Rusia mos përdor armët bërthamore është një sjellje e kujdesshme. Por maturia është gjithashtu joshëse, dhe në këtë rast shumë provokuese. Përmes kësaj qasjeje ne i japim Putinit parashikueshmëri. Duke hequr nga tavolina të vetmen gjë me të cilën Putin nuk do të rrezikonte të përballej – ndërhyrjen e NATO-s në çdo nivel – Putini nuk ka frikë që të “përshkallëzojë” situatën. Frika jonë nxit gjithashtu edhe parandalimin e ndërsjellë dhe e dobëson besueshmërinë e NATO-s në lidhje me angazhimi e saj për “mbrojtjen e çdo centimetri” të aleancës.

Lexo edhe :  Andrew Tate dhe vëllai i tij 'korrin' fitore të rëndësishme në Gjykatë

Atëherë pse nuk do të kishim frikë nga Lufta e Tretë Botërore dhe armët bërthamore për të mbrojtur le të themi, Luksemburgun, por jo vendin më të madh në Evropë? Pse jemi ne që e frenojmë veten, por jo Putini? Ukraina po kryen punën e NATO-s, duke e frenuar Rusinë, por nga ana tjetër ne kemi frikë të pranojmë anëtarësimin e saj?

Akoma më tej: Përse e vlerësojmë rrezikun e “luftës me Rusinë” si më të madh sesa sigurinë dhe rrezikun e asaj frike të institucionalizimit të shantazhit bërthamor? Vetë Putin shkroi në vitin 2013: “Nëse ke bombën, askush nuk do t’ju prekë!”. Nëse Putin pengohet nga NATO, duke qenë se ai nuk ka sulmuar një anëtar të NATO-s, atëherë pse ky shqetësim se pranimi i Ukrainës do të nxisë me siguri një luftë të re botërore?

Pse siguria e anëtarësimit të Ukrainës nuk do ta ndalonte Putinin? Pse nuk patëm frikë

nga “lufta me Rusinë” kur dërguam trupa në terren dhe kryem operacione të drejtpërdrejta ushtarake në Siri, një klient i Rusisë, por jemi të vetëpërmbajtur në Ukrainë?

Në fakt në vitin 2018, lufta jonë ndaj Wagner pas sulmit të tij kundër një prej bazave tona në Siri nuk çoi në një përshkallëzim të tillë. As rrëzimi i avionit rus SU-24 nga Turqia (një anëtare e NATO-s) me një avion F-16 të blerë nga Amerika.

Akoma më keq, kushtëzimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO me përfundimin e luftës, i jep mundësinë Rusinë që të mos i japë fund luftës. “Sot, vetëm një vend vendos nëse Ukraina do të anëtarësohet në NATO. Dhe kjo është Rusia – shkroi një bloger i Forcave Ajrore Ruse.

Dhe si mund të bashkëjetojë ky parakusht me kërkesën e njëkohshme që Ukraina të negociojë një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit? Meqenëse kjo do të përmbushte parakushtin për anëtarësimin në NATO (që ne pretendojmë se është frika kryesore e Putinit), nuk do të ketë kurrë ndonjë marrëveshje të tillë.

Frika se anëtarësimi i Ukrainës do të provokonte Rusinë, nënkupton që ne e pranojmë pretekstin e Rusisë se NATO përbën një kërcënim për të. Por kjo është një përmbysje e realitetit. Nëse Rusia arrin ta nënshtrojë Ukrainën, ajo do të kufizohet me 4 anëtarë të tjerë të NATO-s.

Dhe nëse lëmë mënjanë këtë ankesë të përsëritur, fakti është se Rusia ka një histori të moskundërshtimit të NATO-s. Kohët e fundit, ajo e kundërshtoi sa për sy e faqe pranimin e Finlandës në aleancë. Putini luan mirë me kërcënimet bërthamore dhe lojën e hedhjes së fajit tek të tjerët.

Megjithatë, ai ka frikë të përballet me NATO-n. Pyesni Ukrainën, ose Poloninë ose vendet baltike. A kemi ne më shumë përvojë se ata? Nga cilido kënd që ta analizosh, frika nga “lufta me Rusinë” ushqen një logjikë të gjymtuar që e dobëson besueshmërinë e mekanizmit të parandalimit dhe e institucionalizon shantazhin bërthamor.

Me sa duket, Uashingtoni nuk e ka pranuar asnjëherë se anëtarësimi i Ukrainës do ta frenonte Putinin dhe do të siguronte më mirë parandalimin e një lufte të re botërore. Qasja jonë strategjike sot për këtë çështje është e njëjta me dorëzimin e epërsisë sonë bërthamore, të cilën pavarësia e Ukrainës na e risolli pas shembjes së BRSS.

Në atë kohë Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes, Graham Allison, tha se “problemi i sigurisë së Ukrainës do të zgjidhet sapo Ukraina të heqë dorë nga arsenali i saj bërthamor”. Shkatërrimi i armatimit konvencional të Ukrainës ishte gjithashtu “për sigurinë e popullit ukrainas” u shpreh në vitin 2005 Barack Obama, asokohe senator. Refuzimi i parë i NATO-s ndaj anëtarësimit të Ukrainës në vitin 2008 ishte një paralajmërim i katastrofës që ndodhi në vitin 2014. Pasojat e të dytit do të jenë shumë më të rënda.

Shënim:Victor Rud, kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Shoqatës së Avokatëve Ukrainas-Amerikanë dhe këshilltar në Qendrën për Demokracinë e Evropës Lindore.

Të fundit

Durim Bami para gjykatës në Dubai, pritet vendimi për ekstradimin në Shqipëri

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, Durim Bami vijon të mbahet i arrestuar në Dubai prej më shumë...

Bombardimet në Gazë, Papa Françesku: Kjo është mizori, nuk është luftë

Papa Françesku përsëri i ka dënuar bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë të shtunën se kjo nuk është luftë, por “mizori”. Një ditë...

Sulmi terrorist në Magdeburg, qytetarët vendosin lule në shenjë nderimi për viktimat

Në qytetin qendror gjerman të Magdeburgut, njerëzit dhe shërbimet e urgjencës janë mbledhur në numër të madh për të vendosur lule për ata që...

Mbyllja e ‘TikTok’ në Shqipëri, kryeministri Rama: Ja sa zgjasin procedurat

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë në takim me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të masave për sigurinë në shkolla. Ai...

Protesta e PD, policia nuk pranon kërkesën: Rrugët mos bllokohen, përbën vepër penale

Organizatorët e protestës së opozitës më 23 dhjetor, kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë. Policia e...

Lajme të tjera

Web TV