Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se “do të krijojmë një strukture të re në Policinë e Shtetit, për t’i dalë para nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike”.
Në fjalën e tij në një takim për bilancet e sezonit turistik veror 2023, Balla tha se “ajo do të quhet “Forca Kombëtare e Sigurisë Publike”. E di shumë mirë se Policia lokale e Sarandës, për shembull, e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit. Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë plus”.
“Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.
Më tej Balla theksoi se “mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 8.3 milionë deri më 30 shtator, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion evropian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse”.
“Në një pjesë të mirë të artikujve që u shkruan e u shfaqën në televizionet, gazetat, revistat gjatë kësaj vere për këtë sekret të rizbuluar në mes të Evropës, e që laget nga dy ndër detet më të lakmuar të Mesdheut, nënvizohej edhe fakti se në Shqipëri turistët e huaj gjetën një siguri mbresëlënëse e që s’kishte asnjë lidhje me legjendat e zymta që kishin dëgjuar për Shqipërinë e pasigurtë”, theksoi Balla.
Ministri Balla informoi se gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës së disponueshme policore.
Ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit ai veçoi ngritjen e funksionimin e 6 stacioneve provizore policore në zonën turistike, krijimin e Njësisë Policore Detare, me mbi 100 punonjës.
“Janë trajtuar telefonata/ankesa nga publiku në zonat turistike/plazhe 2905 raste, janë trajtuar mosmarrëveshje të ndryshme në 1134 raste (për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të turpshëm të Mihal Kokëdhimës, katër vite më parë) dhe janë arrestuar autorët në 124 raste”, deklaroi Balla.
Më tej, Balla kërkoi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore investime për sinjalistikën rrugore në rrugët që të çojnë në zonat bregdetare, si në ato kryesore, ashtu dhe ato në dytësore./E.T