Kryeministri Edi Rama në Granada të Spanjës, ka folur për tensionet në Kosovë, ndërsa bëri thirrje për vijimin e dialogut me Serbinë, duke nënvizuar faktin se duhet të merren masa sa nuk është vonë, pasi situate sipas tij është shumë e rrezikshme
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar situatën në veri të Kosovës si “shumë të rrezikshme”. Këto deklarata, kreu i qeverisë i bëri gjatë takimit të Komunitetit Politik Europian që mbahet në Spanjë. “Jam shumë i shqetësuar, të gjithë jemi të shqetësuar sepse është një situatë shumë e rrezikshme dhe tani, në pikën ku jemi, potenciali i rrezikshmërisë është rritur vit pas viti. Aktiviteti kriminal në atë pjesë ku minoritet serb jeton më së shumti, janë tani krejtësisht të bashkuar me agjendën politike dhe shumë nacionalizëm dhe është shumë e rrezikshme”, tha Rama. Ai tha se për Bashkimin Europian do të duhet të ishte e mjaftueshme për ta dënuar Serbinë, për aq kohë sa vendosën që të shpallin ditë zie për vdekjen e terroristëve që vranë policin në Kosovë. “Për herë të parë, në të paktën 10 vite, Shqipëria nuk është në një mendim me BE-në, specifikisht për këtë (ndëshkimin e Serbisë), ne kemi qenë gjatë gjithë kohës me BE-në që autoritetet e Kosovës të jenë konstruktive në dialog dhe të marrim më të mirën e planin franko-gjerman, sepse është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë, kur Republika Serbe mban ditë zie për vdekjen e kriminelëve që vranë policë, ishte mjaftueshëm për BE të thonë që kjo nuk është europiane dhe e papranueshme dhe e ndëshkueshme”, shtoi kreu i qeverisë.
I trembet luftës Kosovë-Serbi?
Nga Spanja, Kryeministri Edi Rama tha se duhen marrë masa që të mos nisë lufta mes Kosovës dhe Serbisë. Ai këmbëngul që dialogu mes 2 vendeve duhet të vijojnë. “Luftë është fjalë e madhe, por para se të jetë tepër vonë, masa duhen marrë. Ne po e ndjekim situatën nga shumë afër dhe e rëndësishme është që ka një vullnet të mirë, është gjë e mirë që NATO ka shtuar prezencën KFOR-in në Veri sepse kufiri atje është bërë shumë transparent dhe shpresojmë që dialogu do të vijojë”, është shprehur Rama. Këto deklarata, kreu i qeverisë i bëri gjatë takimit të Komunitetit Politik Europian që mbahet në Spanjë. Pyetur për situatën në veri të Kosovës, ai tha se është “shumë i shqetësuar për shkak se rreziku sa vjen dhe shtohet nga viti në vit”. Nga ana tjetër, u ndal të fliste dhe për qëndrimin e tij kundër Bashkimit Europian, sipas së cilit tha se Serbia duhet të ndëshkohej nga BE për ngjarjen e 24 shtatorit.
Qëndrimet e Ramës për veriun e Kosovës
Të djathtët dhe të majtët përplasen me qëndrime
Seanca e kësaj të enjteje në Kuvend nisi me përplasje mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit për kreun e grupit parlamentar të demokratëve. Ndërkohë, Sali Berisha e zhvendosi vëmendjen te qëndrimet e kryeministrit Edi Rama për ngjarjet në veri të Kosovës. Ai i quajti deklaratat e Ramës si antishqiptare. Sali Berisha u shpreh nga foltorja e Kuvendit dhe akuzoi Edi Ramën si antishqiptar për qëndrimet e tij pas ngjarjeve në veri të Kosovës. “Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë deklarata skandaloze se veriu i Kosovës është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, më të shpifur se kjo deklaratë. Pse e fali jetën Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, që aty të sundojë ligji. Çfarë mund t’i quash këtij “krim-ministër” të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij Aleksander Vuçiç dhe tani kërkojnë ta mbulojnë këtë me deklarata të turpshme”, tha Berisha. Qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në “The Financial Times” se veriu i Kosovës është tokë e askujt, nxitën debat e akuza në parlament, ndërsa socialistët u munduan ta amnistonin Kryeministrin.
“Kryefjala e parlamenti duhet të jetë deklarata super skandaloze e Paniçiç shqiptar, se Kosova e Veriut, apo Veriu i Kosovës është toka e askujt”, tha Sali Berisha. “Nuk ka shqiptar dhe askënd në këtë sallë që nuk është me Kosovën dhe ballë lart me Kosovën”, tha Lindita Nikolla. “Nuk ka deklaratë më antishqiptare ndaj edhe e nderuar zonjë, këtu debati duhet tëfillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën vetëm Aleksandër Vuçiç, pore bën edhe pengu i tij argati i tij që quhet Edvin Kristaq Rama”, u shpreh Sali Berisha. Si për të treguar se çështja e Kosovës është çështje e rëndësishme, maxhoranca ftoi demokratët për të unifikuar qëndrimet në rezolutën që do të miratohet në 12 tetor. “E lamë kohën e debatit me shpresën për mos ta kthyer në pazarin e rëndom politik por ta kthejmë në një seancë ku t’i japim një ndihmë të madhe Kosovës”, tha Bledi Çuçi. “Po ta harroni që ne të bashkojmë qëndrimet në rezolutën e kuvendit të Shqipërisë me atë të Serbisë. Në të do të pasqyrohet vetëm qëndrimi i Republikës së Kosovës”, tha Gazment Bardhi. Lulzim Basha që u rikthye aktiv në seancën plenare, do të duhet t’i kërkojë minutazh Gazmend Bardhit në seancën e posaçme të 12 tetorit, në kushtet kur interpelanca e kërkuar prej tij është shkrirë me mocionin me debat, ku minutazhi i diskutimeve ndahet midis grupeve. “Ku e keni interpelancën e kërkuar nga PD, e varrosët bashkë me kryetaret e Kuvendit, sepse nuk doni që kryeministri të vij e të jap llogari. Se çfarë do të thotë deklarata e tij që KFOR të marrë në zotërim veriun”, tha Lulzim Basha. Përplasjet mbi qëndrimet për Kosovën stopuan momentalisht nga deputetët në pritje të seancës plenare të 12 tetorit, ku palët shpresojnë që të dalin me një rezolutë të përbashkët ndonëse kanë paraqitur dy drafte të ndryshme.