Nga Kadri Tarelli
Në qytetin e Durrësit, në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”, më: 17, të vjeshtës së dytë, 2023, në prani të shumë qytetarëve artdashës durrsak, u hap ekspozita e një grupi piktorësh, me simbolikën “Pëllumbat e PAQES”, ku kryesues ishte artisti i njohur Jetullah Haliti, artisti i ri Blendi Zogaj dhe tê tjerë nga hapësirat mbarë-shqiptare, të cilët na sollën tablo e punime, ku shprehej nëpërmjet ngjyrave, poezia e shpirtit, dëshira e popullit dhe e kombit shqiptar, për paqe e ringritje shpirtërore.
Një orë më pas, në sallën “Odeon”, në mjediset e Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, të qytetit të Durrësit, nga OBVL në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të qytetit, u përurua libri “Vuajtja e Qytetit, Shkodra”, me autor Mark Zadeja, anëtar i Akademisë Evropiane.
Në këtë kuvend libri, në prani të shumë qytetarëve dhe intelektualëve tw Durrësit, së bashku me artistët piktorë nga Dardania, përshëndetën: Shpendi Topollaj, Fatmir Minguli, Arben Kristani, Jetullah Haliti, Merita Kuç-Thartori, Myzejen Konduri, etj.
Me këtë rast edhe unë Kadri Tarelli, munda të jap vlerësimin tim për këtë vepër të rrallë, me peshë të madhe në mendimin historik e filozofik shqiptar.
Shkrimin tim e titullova: “Vuajtja e qytetit, si histori, psikologji dhe filozofi”
Kujtesa, heshtja, humori dhe e qeshura, që mbajti gjallë një qytet
Në vështrim të parë, duke lexuar titullin: “Vuajtja e qytetit. Shkodra”, mendova se me këtë libër do të pasuroj dijen time me vuajtjet e qytetarëve shkodran, si rrëfime të pa njohura më parë.
Madje me vete thashë: “Përsëri do të futem në përjetim të atyre ngjarjeve që kanë fillim, por jo fund, ngjarje plot vuajtje e dhimbje njerëzore, të ndodhura e të shkaktuara çuditërisht jo nga pushtuesi, por me shqiptarët nga shqiptarët.
Isha i gabuar. Ky libër i vogël në dukje, përcjell vuajtjet e dhimbjet njerëzore të një qyteti, jo konkretisht në formë klasike (rrëfim apo kujtim të përjetuar në kohë dhe vend, me personazh vuajtës dhe xhelat, siç jemi mësuar në të gjitha shkrimet e kësaj tematike.
Autori nuk merret me këtë lloj letërsie. Sepse sot, të gjithë i dinë këto, pasi ka 30 vjet që është shkruar dhe vazhdon të shkruhet, prandaj Marku nuk rri t`i numërojë ato. Kanë shkruar për to, pena të shquara të letrave shqipe: Arshi Pipa, At Zef Pllumi, Uran Kalakula, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Maks Velo e plot të tjerë, të burgosur të ndërgjegjes ose fare pa faj, që me rrëfimet e tyre të trishta e plot dhimbje, kanë sjellë të gjallë atë pjesë të shëmtuar, të nëmur e të mallkuar të historisë shqiptare, që na dhemb, na tmerron dhe na turpëron njëherazi, duke pyetur veten: Pse…Pse pse? Pa kërkuar përgjigje, të cilën e mban gjallë heshtja dhe kujtesa.
Autor Marku, nga ana e tij, gjen një formë të re, të pa ndeshur më parë, të paktën nga unë si lexues i hershëm. Ai bën zbërthimin shpirtëror, zbulon fenomenet që ngjasin në ndërgjegjen e tij dhe të bashkëqytetarëve, studion deri ku të çon durimi dhe si mundet që njeriu para këtyre llahtarive të mbetet përsëri njeri dhe qytetar.
Ai, më konkretisht, merret me dukurinë e kujtesës individuale e kolektive, si proces mendor e më pak fizik, duke e trajtuar në ndjesitë psikologjike, më pas të përgjithësuar në mendim historik e filozofik. Diçka vërtet për t’u përgëzuar e admiruar.
Besoj se jam i saktë, se në rastin e parë, libra të tillë vlerësohen nga mjeshtëria e shkrimtarit për të rrëfyer bukur artistikisht, ndërsa në këtë libër, duhet një njohje e thellë në fushën e psikologjisë individuale dhe kolektive, për të hyrë në thelb të çështjes. Pra një shkallë e lartë e të menduarit dhe të shkruarit, madje kërkohet edhe një nivel i lartë edhe i lexuesit. Kam ndjesi se duke dëgjuar këto fjalë, cilitdo nga ne i lind e drejta të mendojë e të gjykojë, se ky libër është i vështirë për t’u lexuar e kuptuar.
Mendoj se gabohet, pasi është shkruar më gjuhë e fjalor të thjesht, të kuptueshëm nga të gjithë, pa fjalë të mëdha, apo të ngjeshura me fjalë “të jashtme”.
I vështirë është si të rroket e përthithet mendimi në rrafshin e një analize teorike, njëherazi edhe praktike. Bie fjala: si përjetohet e përballohet vuajtja e mbarë qytetit, si durohet durimi, poshtërimi dhe mjerimi!
Si përcillet dhunimi, pushkatimi, internimi, heshtja dhe pikëllimi, jo për një apo pak individë të thjeshtë apo të shumë njohur si personalitete të qytetit, jo një herë, apo një ditë, por në vazhdimësi me dekada, duke i mbështjellë me shpresën dhe zhgënjimin, jo thjesht për të mbijetuar por për të rilindur e ringritur.
Përfundimi: Dhe, qyteti mbijetoi falë kujtesës, si fillim, heshtjes si durim dhe shkrimit në vazhdim. Ah heshtja….. Ky thesar mbrojtës i trupit dhe shpirtit. Heshtja, kujtesa dhe humori, armët më të fuqishme të qytetit dhe qytetarëve për të mbijetuar dhe rilindur. Këtu nuk them gjë të re për lexuesin, që e njeh sado pak Shkodrën dhe shkodranët, që dhimbjen e përtypnin dhe e gëlltisnin përherë me buzëqeshje, por shoqëruar me humor të hidhur, që shponte sistemin, por mbante gjallë një shpirt të trazuar e të mbushur me mllef për diktaturën dhe shërbëtorët e saj.
Qyteti përqeshte dhe tallte diktaturën, që nuk ngopej me persekutimin dhe hakmarrjen ndaj një qyteti, nga më të bukurit, më të diturit, më të qeshurit, që përherë rrezatonte kulturë dhe art të mirëfilltë. Ne ende mbajmë në kujtesë barcaletat me theks politik të shkodranëve, që i përsërisim duke u gajasur së qeshuri, edhe sot pas kaq vjetësh. Çudi… të mbijetosh vetëm duke qeshur…!?
Nuk është e vështirë të kuptohet, se libri fillon me “Murrin e gjakut”, pra Shkodra në prag-fundi i vitit 1944 dhe fillim i vitit 1945, kur fjala pushkatim ishte bërë e zakonshme, ndërsa vuajtja përjetohej me lot dhe heshtje.
Kështu me radhë, historia vazhdon edhe me ngjarje, që kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit dhe mbarë Shqipërisë, duke mos kursyer dukuri edhe të ditëve tona. Bie fjala “letërsia e realizmit socialist”, ose “Revolta e Spaçit”, ndërkaq edhe në ditët e sotme, korrupsioni në administratë e deri te mjeku……. Etj, etj.
Si zakon i imi, nuk merrem me analizë të përmbajtjes. Atë e lexon, e njeh dhe e gjykon vetë lexuesi.
Pa përmendur poezitë, thurur nga vetë autori, si përjetim dhe përforcim i vuajtjes dhe dhimbjes: Ja disa tituj: “Mbas vorrezës”: “Kufomat ngrihen sodisin,/ mbas vorrezës, te muri i gjakut…”, “Muri i gjakut”, “Dom Ndre Zadejes”, “Luftë klasash”… nata kërkon të vrasë/ jetë e zhgënjyeme, luftë klasash/ prej shpirtit të hanës kullon loti…”, “Qyteti im-Gravurë e përjetshme”, etj, etj. Veç dua të shtoj diçka që e vlen të thuhet: Shprehje dhe fjali që bartin mendim të ngjeshur e përgjithësues historik, psikologjik dhe filozofik.
Shprehje, që duhen futur në kujtesë, për t’u përdorur në fjalime, në takime, në biseda në odat e burrave, pse jo edhe për ilustrim shkrimesh. Po rendis disa. Gjykoni vetë për forcën dhe përmbajtjen e tyre:
-Marrim përsëri mendimin e kohës, për kohën: qëllimi qëndron te realiteti: etja për të vërtetën krijon rrjedhojën për të shtjelluar ato çfarë ndodhën.
-Gjithnjë duhet të flasë njeriu me mendimin, pastaj vjen shkrimi. Shkrimi duhet të jetë i saktë për të dhënë atë çfarë ka ekzistuar, ndodhur, por kurrë atë çfarë ndokush aludon, fantazon apo trillon.
-Heshtja, ky element bazë i jetës sime, më ka dhuruar të domosdoshmen, “shpëtimin e qenies”.
-Historia e qytetit ishte shume më e vjetër se liria e tij.
-Shkodra ime, qytet i vuajtur, me lotët e saj bashkonte njerëzit pa asnjë dallim feje apo ideje.
-Mbijetesa e qytetit tim është një mrekulli e vërtetë…….
-Durimi është cilësi që të jep mundësinë e arritjes, por kur shpërthen, nuk dihet se çfarë ndodh.
-Duhet të njohësh çelësin e së drejtës, për të parë (vlerësuar) më mirë të vërtetën, në qoftë se ti do të arrish të krijosh.
-Burim i ndjenjës është baza (bërthama), që krijon mundësinë, lirinë shpirtërore, art, finalizim i pasqyrë e së vërtetës, me përqafimin e së drejtës.
-Krijimi për momentin nuk e percepton kahen, por instikti i ndjenjës i jep vrull, guxim, kap thelbin e saj për t’u ngjitur lart… Vrullin për të evoluar vazhdimin, frymën, ndjenjën shpirtërore, përparësinë për të arritur… etj, etj.
-Urime i nderuar Mark! Ke sjellë një libër të rrallë për nga forma, por të ngjeshur në mendime, vuajtje, përjetime dhe zhgënjime! Sikur ta kishe kripur me pak humor shkodran, libri do të ishte edhe më i bukur. Do na bënte të qeshim përsëri!