Në Feti Borova u zhvillua “OTR Fight Club”, një event i cili mblodhi boksierët më të spikatur shqiptar.
Sfida kryesore e mbrëmjes që ishte ajo mes Neraldo Ymerit dhe Jorge Moya përfundoi me fitoren e boksierit shqiptar. Ishte një ndeshje që vlente titullin WBC Youth World, titull që tashmë do të mbahet nga Ymeri i cili lajmëroi se karrierën do ta vijojë në Angli.
Ndeshja e parë e mbrëmjes ishte ajo e Kajoshit që mposhti me K.O kolumbianin Ortiz. Në raundin e tretë, boksieri kundërshtar nuk mundi ta përballonte furinë e Kajoshit dhe u detyrua të dorëzohej.
Ndeshja e tjetër ishte ajo mes Ardit Murjes dhe gjeorgjianit Edgari Sarkisiani. Boksieri që përfaqëson Teutën e fitoi sfidën teksa ishte trupa e arbitrave që vendosi në favor të tij. Murja ishte gjatë gjithë kohës në avantazh duke sulmuar vazhdimisht kundërshtarin dhe në fund fitorja ishte mëse e merituar.
Në sfidën e radhës, Ervis Lala mposhti Xhulianon, një tjetër boksier shqiptar. Një sfidë që kjo që zgjati vetëm një raund teksa Xhuliano u tërhoq dhe ai që triumfoi ishte Lala.
Ndërkaq, Alban Beqiri u përball me Joel Julio. Një sfidë e cila pa në avantazh përgjatë gjashtë raundeve boksierin shqiptar ndërsa edhe juria vendosi në favor të Beqirit.
Zgjat pak ndeshja e Nelson Hysës përballë kolumbianit Caceres. Kampioni shkodran e mbylli sfidën nê raundin e parë me kundërshtarin që u tërhoq pas disa goditjeve.