Vëllai i Lridona Ademajt, ka reaguar sërish për vrasjen e 30-vjeçares me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, i cili është tashmë i arrestuar.
Në postimin e tij në Facebook, Leonard Ademaj po ashtu thekson se familja do drejtësi dhe se ka besim te institucionet se do ta marrin atë.
Ai shprehet gjithashtu se familja e tij shpreh mirënjohjen për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonën dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.
Vrasja e Liridonës ka tronditur opinionin publik në Kosovë edhe në Shqipëri, duke bërë që të organizohen disa marshime në nder të 30-vjeçares, jeta e së cilës u ndërpre në mënyrë mizore e në lule të rinisë.
POSTIMI I PLOTË:
Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.
Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi.
Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.
Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave.
Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet.
Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi./ S.M