Nga: Bujar Meholli
Avangarda që e përligji artin modern, sidomos gjatë pjesës së parë të shekullit XX, shtriu itinerarin në secilën ndërmarrje artistike, përfshirë animacionin.
Parizieni dandy, karikaturisti Émile Cohl, i konsideruar si pionier i animacionit solli filmin e shkurtër “Fantasmagorie”, të vitit 1908, si trasim rruge për animacionin që do të arrijë zhvillim të hovshëm viteve në vazhdim. Teknika mekanike e stop-motion me të cilën animoheshin objektet ishte risi dhe prurje e jashtëzakonshme për kohën.
Megjithatë, sikurse në letërsi, muzikë e pikturë, artistët vizionarë do ta luftonin konformizmin e “moralit” publik, shabllonet, kiçin që rëndom ndërton stimujt psikologjikë të zakonshmes, delirantes, banales, të njëtrajtshmes, rrjedhimisht, duke kërkuar përherë të renë, zhbirilimin, teknikat novatore që përsosën zhanrin.
Fundi i viteve ’20 në Amerikë paralajmëronte industrinë që më vonë do t’i thyente të gjithë kufijtë – e njohur si Epoka e Artë e animacionit. Që nga lansimi i “Steamboat Willie”, një aradhë e tërë personazhesh animatore, e stripave komikë, Mickey Mouse, Popeye, Betty Boop, Tom & Jerry, Daffy, Donald Duck, e shumë të tjerë do të përjetësohet jo vetëm në ditët e lumtura fëmijërore, por do ta globalizojë animacionin si mjet artistik, madje mjaft të leverdishëm, edhe për mesazhe që dalin përtej qëllimeve didaktike e botës fëmijërore; duke përsosur personazhet për nga cilësia & planet e kamerave për ta krijuar “realitetin” e një bote të tillë, të animuar, maskohen edhe ide politike, stereotipa shoqërorë, lufta ndaj fashizmit, racizmi, barazia gjinore, seksualiteti, dashuria, bota materialiste – e fokusuar kryekreje në terme monetare – që po kërcënonte idealet humane të trashëguara nga iluminizmi.
(Mjaft t’i hedhësh një sy episodit “Blue Cat Blues” të Tomy & Jerry-t, i konsideruar ndër episodet më të errëta ku hapur shfaqet jeta materialiste, gjegjësisht hendeku i madh social, blerja e dashurisë, interesi si mjet kryesor për marrëdhëniet ndër njerëzore… një kritikë e mprehtë që po e shikove me vëmendje si fëmijë të bën të mendosh për egërsinë e jetës, botën e të rriturve që s’është edhe aq easy).
Një antikonformist që dilte krejt në kundërshtim me puritanizmin e animacionit të gjer atëhershëm ishte Tex Avery, novatorizmin dhe stilin e të cilit dua ta analizoj në këtë artikull. Sentimenti i Avery-t s’mund të binte pre e klisheve dhe shablloneve artistike të kohës.
Ai nuk ishte si të tjerët, ishte i veçantë, vizionar, avangard, eksperimentues, kontrovers, i adhuruar, i përfolur, i imituar, por edhe i pranueshëm nga shumëkush si titan e gjeni, stripat e të cilit krijuan normë në zhanër dhe ushtruan impakt të madh te filmat e më vonshëm (edhe te kundërshtarët e tij). Lindi në shkurt të 1908’ës në Taylor, Texas. Shpikjet, karakteret e shumta që mbajnë vulën e tij janë abc-ja e animacionit amerikan, atij klasikut, të periudhës së artë.
I angazhuar në studiot Warner Bros. dhe Metro-Goldwyn-Mayer, të cilat i transformoi, Avery krijoi personazhet më ikonike dhe u shndërrua në regjisorin më të famshëm e të paarritshëm të kësaj industrie.
Tex Avery e përsosi filmin e animuar me inovacionet teknike, stilin regjisorial që mban të stampuar emrin e tij në seritë legjendare të Looney Tunes. Humori është krejtësisht avery-ian, origjinal.
“Për të prodhuar humor, individi duhet të përpunojë mendërisht informacionin nga mjedisi socio-kulturor a nga dijet e mëhershme, duke luajtur me idetë, fjalët a veprimet në mënyrë kreative, shtrembëruese, rikrijuese, në këtë mënyrë gjeneron perceptimin qesharak nga tjetri”, shkruan akademiku kanadez Rod Martin. (The Psychology of Humor: An Integrative Approach, Department of Psychology, University of Western Ontario, 2007).
Stripat që krijonte Avery, galeria e personazheve nga Droopy, Bugs Bunny, Daffy Duck, Elmer Fudd, te Red Miss Vavoom, Cecil Turtle, Butch e Big Bad Wolf, binin ndesh me puritanizmin, rregullat strikte, “humorin e bardhë”, moralin e rendin publik.
Ashtu si Baudelaire e Chaplin-i të cilët kritikoheshin për prishje të moralit publik, i pari, e për promovim të komunizmit, i dyti, Avery shihej si figurë kontroverse që përmes animacionit bënte shkarje për sa i përket didaktizmit dhe materialit të papërshtatshëm për moshat e reja. Filmat sikur krijojnë një iluzion ndryshe te fëmijët për botën, kapitalin, kafshët, femrat, shoqërinë, familjen.
Ndaj humori i tij konsiderohej si, le të themi, oponent me oficialitetin e Walt Disney-t dhe karikaturat tjera konvencionale, familjare, të kohës. Kreacioni i Tex Avery-t është i mbrusur me tone sarkastike, ironi, absurditet, vese, e ngandonjëherë ekspozim seksual; skenat e filmave të tij precizojnë imazhe të papërshtatshme, humor të zi e ngandonjëherë të dhunshëm, surrealist, dinamizëm trandës, stereotipa racore e gjinore, peizazhe të çuditshme; një pikëtakim interesant i Avery-t me publicistin dhe mjeshtrin e ironisë Nonda Bulkën janë shakatë me vjehrrat…
Eksperimentues krejt i veçantë, novator, thyerës i tabuve dhe konvencioneve të “murit të katërt”. Avery e shfrytëzon animacionin për ekspozimin e implikimeve socio-psikologjike që sendërtojnë mekanizmat e efektit përmes manierave animatore.
Duke shmangur kiçin, sipërfaqësinë e rutinën monotone të oficialitetit, Avery sugjeron një perspektivë tjetër të humorit që mbruset nga kritika, objektivizmi, sensibilizimi, krijimi i vetëdijes për veprimet e aktivizmin qytetar; për vëzhgimin e jetës, për ekzistencën.
Humori i Avery-it është i thellë dhe psikologjik, shpesh zor i kapshëm. Fjala vjen, kur parodizon automobilin e televizionin e së nesërmes…
Në vitin 1941 largohet nga Warner Bros. pas mosmarrëveshjeve me Schlesinger-in. Ky i fundit s’mundi dot ta akceptoi konceptin e Avery-it për të folurën e kafshëve; ndaj u largua duke mos e pranuar cenzurën.
Frika nga humbja e parave ishte gabim i madh i kompanisë. Avery do të vazhdonte te MGM, si drejtor, ku do t’i krijonte personazhet ikonike; largohet krejtësisht nga formulat e Walt Disney-t, kërkon guxim më të madh, ekzagjërime, pamje më të ashpra, narrativa të shtrembëruara, fjala vjen si te kësulëkuqja.
Një ndër personazhet më të famshëm, qeni Droopy, krijohet si model i të urtit, të drejtit, të zgjuarit, atij që është gjithmonë “i lumtur” sepse është vetja, kështu mposht çdoherë kundërshtarët, veçanërisht bulldogun Spike (Butch) që manifeston dinakërinë e forcën.
Në “Blitz Wolf”, Avery ndërfut edhe mesazh politik anti-nazist, te ujku me mustaqet spic hitleriane që bie nga lartësia – kurse në “Red Hot Riding Hood” kemi të bëjmë me një projeksion alla avery-ian, klasik, ku ujku lakmitar që gulçon nga hovet erotike, epshore, kthen ca gota në një mbrëmje të bukur me swing-xhaz dhe flirton me kësulëkuqen seksi që performon sensualisht e thërret “Oh, Wolfie”, kënduar nga Connie Russell, pasuar nga vërshëllimat karakteristike të ujkut; këto implikime të kafshëve janë krejtësisht novatore dhe kruciale në hovin e rritjes së shikueshmërisë hollivudiane.
Tex Avery, siç shprehej, nuk i mendonte fare fëmijët në atë që ofronte – animacioni i tij “i gjallë” mund të konsiderohet më tepër për të rriturit. Si pionier i industrisë së animacionit amerikan, Tex Avery ka dhënë kontribut kolosal.
Humori i tij në pasazhe të ndryshme është i lidhur kronologjikisht – një gag e përcjellë një gag tjetër, karakteret reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar, fjala vjen, kur e mbajnë të qeshurën, kur lëndohen, kur grinden, veprojnë intensivisht dhe ngutazi; manipulimi me kohën dhe hapësirën të magjepsë, muzika është katalizator i gjithë skemës gazmore dhe ngjizjes me audiencën.
Tex Avery e ngriti në piedestal filmin e animuar, i iku klishesë, propozoi modele të reja përbrenda zhanrit dhe me kreativitet të pashtershëm e humor autentik krijoi skenat më ikonike me personazhet legjendare që përcjellin jetë e gjenerata të tëra.