Ese nga Bujar Meholli
Stimujt e potencës kreative në epokën e sotme, që po e quajmë digjimoderniste sipas emërtimit të Alan Kirby-t, paracaktohen nga “kultura” e teknologjizimit si predominancë e konvencioneve artistike.
Duke shndërruar në lehtësi të paimagjinueshme komunikimin dhe aksesin në internet – teknologjia dhe interaksioni marramendës që provokon ka gjunjëzuar shoqërinë, të cilën e kontrollon përmes konsumit shfrenues.
Prandaj secila ndërmarrje që praktikisht ndodhet jashtë itinerarit përcaktues është e predestinuar të ngelet “inferiore” dhe rrezikon të goditet nga arma e fortë, të cilën e shfrytëzon dinakërisht digjimodernizmi për gjërat që i lufton – heshtjen!
Po të flasim me terma politikë aura që e rrethon aktivitetin e epokës do t’i shkonte për bukuri anarkisë, de facto, mirëpo ulërimat e saj proklamojnë gjoja demokracinë dhe lirinë e shprehjes (mendimit).
Ritmi marramendës me të cilin operon e kërkon gjithmonë risinë, pra, gjeneron gjëra që vijnë e shkojnë shpejt për t’ia lëshuar vendin një tjetre, tjetre e tjetre… kështu në vorbullën e konsumit të lartë nuk mund të ekzistojë durimi për venerim më të hollësishëm a për gjykim objektiv, kritikë konstruktive, ngase shkrimet e panumërta që qarkullojnë para syve e “humbin” potencën tok me kohën që ikën – sepse orvatja priret përherë rreth së resë.
Po qe aktuale, fjala vjen, festa e flamurit, dhe ti vendos që një shkrim patriotik ta publikosh diku një javë më vonë, ehoja e tij do të jetë e zbehtë, pse ka kaluar ritmi, trendi i festës, tashmë kërkesat drejtohen gjërave tjera, të themi drejt vitit të ri që vjen e bëhet aktualitet.
Ndaj po pate miq të bollshëm virtualë, (nga ata që japin like për hatër) do të mund t’i marrësh ca për “poezinë” tënde për vitin e ri, pa çka se mund të jetë tekst i pavlefshëm dhe i cili “skadon” shpejt.
Këto janë konvencat primordiale të shkrimit në rrjetet sociale që kanë marrë hov aq të madh sa duket sikur në një kohë jo fort të largët do ta zëvendësojnë krejtësisht librin dhe njerëzia, autorët, do të vendosin që komunikimin artistik ta bëjnë përmes postimeve facebookiane, duke shmangur letrën dhe shtëpinë botuese.
Konsumi sjell kënaqësinë, pamjen, aktivizimin në rrjet, por venit pasionin, hulumtimin intelektual e leximin sistematik; sot këto gëlltiten, siç shprehet Erich Fromm-i: “Të gjitha këto konsumohen, gëlltiten. Bota është objekt i madh për ta kënaqur oreksin tonë, një mollë gjigande, një shishe gjigande, një gjoks gjigand nëne.
Të gjithë thithim, të gjithë presim vazhdimisht diçka, shpresojmë vazhdimisht – dhe zhgënjehemi përjetësisht. Personaliteti ynë është përshtatur që të shkëmbejë e të marrë, të konsumojë e tregtojë.
Të gjitha gjërat, si ato shpirtërore, edhe ato materiale, bëhen objekt i shkëmbimit dhe i konsumit. Ky karakter social i njeriut modern nuk mund të mos shfaqet edhe kur bëhet fjalë për dashurinë.” (E. Fromm, nga “Arti i të dashuruarit”, në shqip Vullnet Muço)
Në këtë ese vendosëm ta trajtojmë, aq sa mundemi, assesi ta shterojmë, tranzicionin që po pëson poezia në epokën e digjitalizimit. Por le ta shtrojmë diskutimin kështu: pse vallë kemi më tepër shkrim poezie nëpër rrjete sociale sesa zhanre tjera? Shembull, prozë e shkurtër, pjesë teatrale, ese, apo novelë?
Arsyet mund të jenë të ndryshme. Ndër to, mbase edhe leverdia që ofron zhanri! Poezia ngërthen bukur momentumin, ofron lehtësira në shprehje, s’para duhet ndonjë mendim i thellë e praksisi letrar arrihet veçse me disa ndërthurje fjalësh sipas temës (aktuale) që do ta trajtosh.
(Dhe që është e predestinuar jo në mendim, por në prekjen e ndjenjave edhe kur për këtë i duhet ta absorbojë banalitetin) Pra, në këtë formë të re tekstualiteti, poezia nuk absorbon doemos mendim, gjuhë të lëmuar, figuracion të pasur, trung të fortë mbi të cilin ndërtohen sugjestionet, mesazhet e koduara, aluzionet, kritika, vizionet poetike idealiste – ajo banalizohet në atë masë duke i shëmbëllyer një të folure rruge, kafeneje a takimi mes miqsh.
Zakonisht çarjen përpara e fiton kur personalizohet gjer në atë farë feje, saqë poeti tregon, sikur në bisedë intime me dikë të afërm, sa zor po e ka ta kryejë këtë apo atë punë në baza rutine, se çfarë barnash ka blerë për të sëmurin që e ka në shtëpi apo si i ka dhënë ndonjë kacidhe lypsarëve në qytet…
Poezia e sotme është, në masë të madhe, e shfytyruar. Priret drejt delirantes, pezhoratives, të neveritshmes, shkruhet pa nerv, pa gjuhë, pa mendim e sistemim idesh. Një nga karakteristikat e shkrimit digjimodernist është përsëritja e vazhdueshme deri në banalitet e gjërave të stërthëna, motiveve krejt naive, komfor krizës së shprehjes.
Mesazhi, gjegjësisht ideja a kuptimi është vetëm miniaturë. Këta stimuj po ndërtojnë një sistem të tillë tekstor që degradon autenticitetin, kultivon shijen e rëndomtë, reprezenton shkarravinat artistike dhe merr gjithçka për “poezi” mjaft disa ulërima sentimentale tek-tuk, dy-tri vargje delikate të renditura dosido dhe mandej kriteriumi i “pëlqimeve” që e determinon vlerën e tekstit. Jo vetëm tekstin, makineria e “pëlqyeshmërisë” është determinuese edhe e famës, relevancës së aksh artistit.
Nocioni i të qenurit i famshëm në epokën digjimoderniste është karakteristik: ata që portretizohen si të tillë, në fakt, janë anonimusët e implikuar në rendjen pas trendit, në definimin e asaj që shkon a s’shkon – pra, një paradigmë e virulencës që trason rrugën drejt famës duke paracaktuar itinerarin që duhet ndjekur apriori, por që në suaza tjera do të ishe anti-famë. Kjo pra është estetika e realitetit të rremë që përmes shprehjes tekstuale shënjon vdekjen sociale të kompetencës.
Digjimodernizmi e ka relativizuar shprehjen artistike minimaliste. Masmedia me ornamentet e saj të reality show-it, stimujt psiko-sociologjikë të televizionit, krijon terren të favorshëm ekspozimi. Th. W. Adorno shkruan: “Efekti i televizionit nuk mund t’i determinojë në mënyrë adekuate termet e suksesit a dështimit, pëlqimit a mospëlqimit, miratimit a mosmiratimit. Përkundrazi.
Duhet bërë orvatje, me ndihmën e kategorive thellësisht-psikologjike dhe dijeve të mëhershme për mass median, për të kristalizuar sërë koncepcionesh teorike me anën e së cilave arrihet efekti i mundshëm i televizionit – ndikimi i tij në shtresa të ndryshme të personalitetit të spektatorit ofron mundësi studimi.
Hetimi me kohë, në mënyrë sistematike, i stimujve socio-psikologjikë, tipikë për materialin televiziv si nga niveli përshkrues ashtu edhe nga ai psikodinamik, analizon presupozimet e tyre si dhe modelin totalitar dhe gjykon efektin që mund të prodhojnë. (Th. W. Adorno, nga “Si të shihet televizioni?”, në shqip Bujar Meholli).
Këto narrativa delirante për sukses të shpejtë e famë, kanë krijuar trillin e përgjithshëm halucinativ që aplikohet përmes lehtësirave në komunikim, gjegjësisht në të shprehur. Sot, pa qenë nevoja të presësh përgjigjen nëse teksti yt e ka kaluar filtrin e vlerësimeve nga profesionistë para se të publikohet, mund ta hedhësh duke i marrë përsipër të gjitha vetë.
Kjo i shkon përshtat hegjemonisë kulturore e mbizotërimit që mëton digjimodernizmi duke e marrë primatin për “sitjen” e vlerave, bërjen e normave e konvencioneve standarde të shprehjes (jo vetëm artistike).
Akademiku Alfred Uçi do të shkruante: “Mohimi i çdo thelbi estetik të veprës artistike, mohimi i çdo baze estetike të artit nga modernistët dëshmon se sa poshtë ka rënë ndërgjegjja estetike e modernistëve movistë, që kanë humbur çdo aftësi për ta dalluar artin nga jo arti.
Konkretizim i “antiidealit” estetik të përsendëzimit u bë sidomos i ashtuquajturi “antiart” që shënon ngadhënjimin e shijeve më vulgare, degradimin e idealeve estetike dhe përthimin e një natyralizmi barbar”. (Alfred Uçi, Labirintet e modernizmit, Sh. B. “Naim Frashëri”, 1978, citimet janë nga i njëjti botim) Kritika që autori i bënë modernizmit dhe prirjeve moviste që e çojnë poezinë në një stad tjetër duke e ndryshuar, thelbësisht, substratin e saj artistik, po të shihej me parametrat e sotëm e tejkalon krejtësisht modernizmin sepse sot shprehja artistike luan krejtësisht “rol” tjetër. Ajo s’është më as antiart.
Është trivialiteti më banal që mund të hasësh. Poezia që shkruhet ndodhet në margjinat e një pseudomodernizmi që reflekton krizën shprehëse, poetikën e rrëgjuar dhe fragjilitetin e klimës së re kulturore. Implikimet e digjimodernizmit japin e marrin me të vërtetën, me vetëbesimin e tepruar, me (a)logjikën e përfaqësimit në rrjet porsi skra virtual.
Tutje, Uçi shkruan për platformën e purizmit: “Në emër të çlirimit të poezisë nga “papastërtitë” u kërkua që ajo të shpëtojë prej “tiranisë” së arsyes, imagjinatës, ndjeshmërisë, gjuhës, kuptimit të fjalëve, logjikës, u kërkua të shpëtojë nga “presioni i kohës”, nga subjekti, rrëfimi, përshkrimi, u kërkua të mbetet “poezi e kulluar” e ndërtuar vetëm me mjetet ekspresive jofigurative”.
Komfor kritikës që, natyrshëm, autori i bënte lëvizjeve avangarde moderniste ngase ishte i shtrënguar të shkruajë nën censurën komuniste enveriste, le ta shtrojmë pyetjen përkitazi me aktualitetin: po sot çfarë i kërkohet poezisë? Autori vazhdon dhe shkruan: “Përmbajtjes së shëmtuar në art, sipas modernistëve, duhet t’i përgjigjet edhe një formë adekuate d.m.th. e shëmtuar.
E shëmtuar është jeta, e shëmtuar duhet të jetë përmbajtja e artit, e shëmtuar duhet të jetë forma e tij, pra, edhe arti në përgjithësi – kjo është kredoja moviste e modernistëve. Ata i kundërshtojnë ligjet e krijimit të formës artistike të bukur, kundërshtojnë veprimtarinë artistike që u nënshtrohet ligjeve të së bukurës.”
Natyrisht nuk është kjo ekzaktësisht “kredoja moviste” e modernistëve; kjo duket sikur më tepër i shkon “kredos” së digjimodernistëve që krijojnë pa e vrarë mendjen – duke u shndërruar në krijesa me motiv afektiv, siç shprehet Freud-i, që veprimin intelektual e kanë të dobët dhe që të kenë vlerë më vete duhet të sforcohen tek presin që konfirmimi t’ju vijë nga përsëritja identike te tjetri. T. S. Eliot-i do të shkruante: “Vargu i keq mund të gëzojë autoritet gjatë kohë, kur poeti shpreh një qëndrim të popullarizuar të një momenti – por poezia e vërtetë mbijeton.”
Mund të themi se digjimodernizmi e ka shfytyruar në masë të madhe poezinë brenda një gjendjeje mjerane delirante, regresive, naive, primitive, ku “poeti” i Facebook-ut me pompozitet u bënë jehonë gjërave mediokre, kuturis vargje pa kripë, pa sens, pa nerv, pa sistem poetik, e pa përvojë të mjaftueshme leximi duke u lëshuar fre shprehjeve patetike, sentimentalizmit subversiv e turbofolklorizmave. T. S. Eliot-i tutje thotë se “është e mundshme që ndjenjat që përbëjnë materien e poezisë të zhduken kudo”.
Kjo është maksima e poezisë së ideve. Është krejt e qartë që poezia e vërtetë jeton apo, të themi, mbijeton, edhe në këtë epokë të përçudshme shkrimi e ekspozimi – ajo vazhdon të shkruhet, të ekzistojë, veçse, mjerisht, tashmë gjendet në skutat e fshehura, në heshtjen e egër që ia imponon banaliteti zulmëmadh – ndaj është detyrë dhe mision intelektual i epokës sonë të punohet për ta vënë në pah, për ta nxjerrë nga llumi, nga poza snobiste e poetërve që kanë probleme elementare drejtshkrimore dhe synojnë sheshimin e shterpësisë së tyre me poezinë.