Edhe pse Kushtetuta e Kosovës ua garanton të drejtën për pronë të gjithëve, janë më pak se 20 për qind e pronave të paluajtshme që janë të regjistruara në emër të grave.
Shukrija me vite kishte kërkuar nga bashkëshorti i saj që shtëpinë e ndërtuar bashkërisht në Prishtinë, ta regjistronin në emër të të dyve, por kot.
“Sipas tij, ka mjaftuar të jetë në emrin e tij. Nuk e di nëse ka pasur presion nga familjarët apo zakonet”, thotë pensionistja 68-vjeçare, dikur punonjëse në sektorin publik.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se ka mbetur e ve nga viti 2003. Atëkohë thotë se i është dashur të largohet edhe nga shtëpia e saj, për shkak të presionit të familjarëve të bashkëshortit.
Sipas saj, ata pretendonin se shtëpia u takon atyre, meqë çifti nuk kishte fëmijë. Pas disa vitesh, Shukrija nisi procedurat gjyqësore për rikthimin e së drejtës mbi pasurinë e saj, por ato vijojnë ende dhe Shukrija vazhdon të banojë në një shtëpi të të afërmve të saj.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, janë 608.317 prona të regjistruara – prej tyre 476.394 ose 78.31 për qind në emër të burrave dhe 119.728 ose 19.68 për qind në emër të grave.
Në këto statistika, megjithatë, nuk saktësohet se sa gra janë pronare të vetme dhe sa në bashkëpronësi.
Ky hendek në shifra ekziston pavarësisht ligjeve dhe udhëzimeve që përcaktojnë se të gjithë qytetarët e Kosovës mund të kenë prona në emrin e tyre dhe se asnjëri nuk mund të privohet nga kjo e drejtë.
Për më tepër, në Ligjin për Familje thuhet se “prona e fituar me punë gjatë martesës, është e përbashkët”.
Ndikimi i normave shoqërore
Nga sektori civil thonë se përqindja e pronave në emër të grave, është tejet e ulët, marrë parasysh edhe faktin se më shumë se gjysma e popullsisë 1.7-milionëshe të Kosovës i takon gjinisë femërore, sipas Agjencisë së Statistikave.
Edona Selimi, nga Nisma për Drejtësi dhe Barazi, INJECT, thotë se tradita patriarkale në vend i favorizon djemtë në trashëgimin e pronave, ndërsa vajzat dhe gratë i bën të cenueshme ndaj formave të ndryshme të diskriminimit, përfshirë edhe dhunën në baza gjinore.
Sipas saj, pronat do t’u ofronin grave siguri si fizike, ashtu edhe ekonomike.
Në organizatën e saj, INJECT, gratë viktima të dhunës në familje marrin këshilla juridike falas.
“Një numër i madh i grave që përjetojnë dhunë në familje [nga bashkëshorti], hezitojnë t’i fillojnë procedurat e shkurorëzimit, pasi që nuk kanë mbështetje financiare, nuk kanë prona në emër të tyre e as trashëgimi në familjet e tyre… Janë të papuna dhe nuk kanë ku të shkojnë. Në këto raste, shumica detyrohen të kthehen te kryesi i dhunës”, thotë Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova e ka Ligjin për Trashëgiminë, i cili qartazi përcakton se ndarja e pasurisë bëhet në mënyrë të barabartë, pa përjashtuar anëtarët në baza gjinore. Megjithatë, ky ligj përfshin edhe heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga trashëgimia.
Sipas vlerësimeve të organizatave të ndryshme në Kosovë, vetëm rreth 4 për qind e grave janë trashëguese të pronave familjare. Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit të grave është nën 20 për qind dhe ato paguhen më pak sesa burrat.
REL-i ka raportuar edhe më herët se si gratë viktima të dhunës në Kosovë, në mungesë të pavarësisë ekonomike, detyrohen të durojnë dhunë, të zhvendosen në strehimore, apo të ikin përkohësisht dhe të kthehen prapë te dhunuesi.
Mosqasja e grave në prona të paluajtshme ka pastaj efekt zinxhiror, përkatësisht pasoja drejt fuqizimit dhe mundësive ekonomike.
Mirlinda Kusari – Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, thotë se shumë gra kanë ide kreative për të filluar një biznes, por nëse nuk kanë prona të regjistruara në emër të vetin, atyre u kufizohet qasja në kredi bankare.
Prona e paluajtshme hyn në kuadër të hipotekës që bankat kërkojnë për të siguruar përmbushjen e detyrimit ndaj kredive.
“Prona është pengesa kryesore që gratë nuk i lejon të zhvillohen”, thotë Kusari – Purrini për Radion Evropa e Lirë.
Në një raport të publikuar në nëntor nga Instituti për Studime të Avancuara GAP thuhet se në bankat komerciale të Kosovës, vlera e kredive të marra nga burrat arrin në 1.53 miliard euro, ndërsa nga gratë në 642 milionë euro.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në gjysmën e vendeve të botës, gratë nuk janë ende në gjendje të kërkojnë të drejta të barabarta mbi tokën dhe pronën. Më pak se 15 për qind e të gjithë pronarëve të tokave në botë janë gra.
Si të përmirësohet ky trend?
Në përpjekje për ta ngushtuar këtë hendek, Qeveria e Kosovës, në vitin 2016, ka hartuar një udhëzim administrativ, i cili i obligon bashkëshortët që pronën e blerë së bashku, ta regjistrojnë në emër të të dyve, përveç nëse ndonjëri heq dorë në mënyrë vullnetare.
Noterët – te të cilët blerësi dhe shitësi lidhin kontratën dhe pastaj me atë kontratë blerësi e regjistron pronën në zyrën kadastrale komunale – thonë se ka një rritje të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve.
Sipas një deklarate të Odës së Noterëve të Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, për këtë qëllim ka edhe një stimul, sepse “regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve bëhet pa pagesë”.
Nga koha kur ky udhëzim ka hyrë në fuqi, numri i pronave të regjistruara në emër të grave është rritur për rreth 4 për qind, përkatësisht nga 16 për qind në afro 20 për qind, sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Në mars të vitit të kaluar, afati i këtij udhëzimi administrativ është shtyrë deri në vitin 2029.
“Synimi ynë nuk ka qenë vetëm çështja e fuqizimit të rolit të gruas në proceset e divorcit, por e dimë se [prona] është parakusht edhe për fuqizimin ekonomik të grave. Thjesht, gratë të mos jenë të penalizuara, nëse dëshirojnë të kenë ndonjë iniciativë të biznesit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, e cila funksionon në kuadër të Zyrës se Kryeministrit të Kosovës.
Përfaqësues të sektorit civil pohojnë se Kosova ka ligje të mira në këtë aspekt, por se ato nuk zbatohen në masë.
Selimi, nga organizata INJECT, thotë se gjatë takimeve të ndryshme me gra, sidomos në zonat rurale, ka vërejtur se ato nuk janë të informuara mirë për të drejtën e tyre ligjore.
“Prandaj, për ta rritur numrin e pronave të regjistruara në emër të çifteve, nevojiten fushata informuese për gratë nëpër vise rurale dhe zbatim i ligjeve nga mekanizmat përgjegjës”, thotë Selimi.
Në një raport të Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut në Kombet e Bashkuara flitet, po ashtu, për rëndësinë e pjesëmarrjes së organizatave dhe grupeve të grave në të gjithë hapat e zhvillimit të politikave të strehimit, si dhe në përpunimin e ligjeve të reja, në mënyrë që nevojat e grave të merren parasysh./REL