Zona malore e bashkisë së Maliqit është përfshirë ditën e sotme nga reshje të dendura dëbore, të cilat kanë prekur edhe akset rrugore pranë kësaj zone.
Në rrugën lidhëse Lozhan-Moglicë situata raportohet se është nën kontroll dhe se borëpastrueset ndodhen në terren për pastrim dhe kriposje.
Ndërkohë autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirët.
Kujtojmë se prej orëve të para të mëngjesit të sotëm zona e juglindjes u përfshi nga reshjet e dëborës në lartësinë mbi 700 metra. Reshje intensive të dëborës u regjistruan në majën e Mashkullorës ku trashësia e dëborës shkoi deri në 50 centimetra.
Që prej orëve të para të mëngjesit ekipi i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike ndodhet në terren për pastrimin e borës në aksin rrugor Shtyllë – Mashkullorë – Panarit.
Ndërhyrje ka pasur edhe në segmente të tjera siç është rruga Boboshticë-Dardhë në të cilat është punuar për pastrim dhe kriposje. Kontraktorët ndodhen në gatishmëri në të gjitha segmentet rrugore dhe akset nacionale.
Aktualisht nuk raportohen problematika me qarkullimin ndërsa sa i përket energjisë elektrike gjatë ditës së sotme ka pasur mungesë të energjisë elektrike në fshatra të thellë malor për shkak të amortizimit të rrjetit.
Sakaq, dëbora në qarkun e Korçës ka ulur ndjeshëm edhe temperaturat./O.S