Një tjetër ministri e re do të krijohet në ditët në vijim. Kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Në krye të saj është propozuar Adea Pirdeni. Më parë ishin drejtori në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Brendshme.
Kryeministri Edi Rama pasi njoftoi tre ditë më parë shkrirjen dhe ngritjen e një ministrie të re ku dërgoi emrin e Blendi Gonxhe për dekretim në Presidencë, dje ka njoftuar edhe hapjen e një ministrie të re dhe ndryshimeve të reja në drejtori. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bën të ditur se ka shtuar Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe në krye të saj ka emëruar Adea Pirdenin. Ky ndryshim sipas Ramës, vjen në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, të cilat kërkojnë një qasje të re ndaj administratës publike. “Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.
Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë…”, shkruan Rama. Ish kryetari i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra, është emëruar këtë të enjte, me vendim të qeverisë, Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve, duke zëvendësuar në këtë detyrë Egra Ibrahimin. Në vendimet e publikuara të qeverisë, bëhet me dije se vendimi për largimin nga detyra të Ibrahimit dhe emërimin në vend të saj të ish kryebashkiakut të Librazhdit, Gurrës, është marrë kërkesë të Zv/Kryeministrit, njëherazi Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Egra Ibrahimi mori drejtimin në krye të Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve në gusht të vitit 2022 deri në ditën e sotme që u shkarkua dhe në vendin e saj u emërua Kastriot Gurra.