Pas përfundimit të punimeve të Asamblesë Kombëtare të mbledhur dje, PS ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 2025. Të gjithë të deleguarit do të fillojnë punën në bazë për të “shoshitur” pakënaqësitë dhe maksimizuar votat.
Partia Socialiste ka nisur punën për të maksimizuar votat e saj në zgjedhjet e 2025. Pas tre mandatesh, kryesocialsiti pretendon të marrë mandatin e katërt qeverisës. Ndaj, 15 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, PS ka nisur “luftën” për vota. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi mblodhi dje grupin për të diskutuar mbi axhendën e javës së re në Kuvend. Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, fillimisht ai rikujtoi edhe njëherë porositë e kryetarit të partisë në Asamblenë e mbajtur një ditë më parë. “Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet”, u shpreh Çuçi. Lidhur me seancën e ditës së enjte, Çuçi foli për projektligjet që janë në rendin e ditës për t’u votuar. Bëhet fjalë për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore”. Sa i përket Amnistisë Penale do të shqyrtohen nëpër komisione gjatë kësaj jave amendamentet që janë propozuar në mënyrë që projektligji të shkojë për votim në seancën e javës së ardhshme.
Asambleja Kombëtare
Pavarësisht kritikave të drejtpërdrejta që bëri gjatë mbledhjes dhe kërkesës së llogarisë për punët e partisë, në fund të Asamblesë së PS-së, kryeministri doli optimist për fitoren e radhës. “Pakënaqësia më ka çuar dhe më çon përpara dhe pa pakënaqësi do të thotë se nuk kemi më asgjë për t’i dhënë këtij vendi. Zgjedhjet e ardhshme do të marrim fitore më shembullore. Kanë marrë pjesë aktivisht mbi 55 mijë anëtarë të PS”, tha Rama. Kryeministri nuk bëri ndryshime në strukturat drejtuese të PS-së, duke e lënë për më vonë shfaqjen e skuadrës me 12 lojtarët kryesorë në betejën e ardhshme për parlamentin, por ju përgjigj interesit të medias mbi akuzat që ish zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj, bëri nga arratia. “Qytetarët shqiptarë dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi. Ka një karakteristikë të përgjithshme të të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë që ndihen viktima të forcave të errëta. PS nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që punë me drejtësinë”, tha Rama. Nuk e fshehu entuziazmin që këtë javë, Tiranën do ta vizitojë Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit që firmosi shpalljen e Sali Berishës non grata. “Të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe se për çfarë përfaqëson sot në sytë e aleatëve tanë strategjikë.”, tha Rama. Socialistët do të kthehen në bazë, në një proces rizgjimi i cili do të kulmojë me një Kongres Zgjedhor në 12 qershor, për të rifreskuar të gjitha forumet drejtuese të partisë. Ndërsa raundi tjetër i raportimit përpara Edi Ramës, do të jetë në 16 mars, në Durrës.
Veliaj: Nuk diskutojmë fitoren, por cilësinë dhe sasinë e saj
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka folur në lidhje me Asamblenë e PS të mbajtur ditën e hënë. Ai u shpreh se trendi i Tiranës edhe si peshë politike do të vijë në rritje e sipër , ndërkohë që 1/3 e deputetëve në Parlament janë nga qarku i Tiranës. Ai shtoi se ka disa pjesë që duhen ndryshuar në mënyrë që të jenë gati për zgjedhjet e përgjithshme të 2025. “Si partia më e madhe qeverisëse, kjo është një parti që kalitet. Kemi kaluar në sitë të gjithë organizatat e partisë. Në qarkun e Tiranës voton 1/3 e popullsisë së vendit, 1/3 e Parlamentit të Shqipërisë do të jenë në qarkun e Tiranës, përgjegjësia jonë është më e madhe. Trendi i Tiranës edhe si peshë politike do të vijë në rritje e sipër. Siç e parashtrova para asamblesë je, ka disa pika ku duhet të bëjmë disa korrigjime që të jemi gati për 2025. Nuk diskutojmë fitoren por cilësinë dhe sasinë e saj”, tha Veliaj.
Përplasje për Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, kush do e drejtojë atë?
Demokrati Belind Këlliçi ka deklaruar këtë të hënë nga selia blu se ministri Taulant Balla ka emëruar në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, Ferdinant Tarazhin. Një ish-Drejtor në Ministrinë e Brendshme, i kallëzuar në SPAK në vitin 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Në qershor të vitit 2023, ky personazh punësohet si Drejtor i Shërbimeve Operacionale në landfillin e Sharrës nga Integrated Energy BV SPV, si njeriu i besuar i baxhanakut të Mirel Mërtirit, Mark Jaka për të vazhduar biznesin fitimprurës të dherave. Biznes i cili ka gjeneruar dhjetëra miliona euro të cilat dhe sot fshihen kesh siç thotë SPAK, ose metra katrorë ndërtim të shpërndara në të gjithë kullat e Tiranës, të cilat sigurisht kjo strukturë refuzon t’i shohë”, u shpreh Belind Këlliçi. Mirëpo, një dokument i rrjedhur në media tregon se në fakt në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara nuk është emëruar shtetasi Ferdinant Tarazhi, por një zyrtar tjetër. Referuar dokumentit, në krye të këtij institucioni të rëndësishëm që administron pronat dhe pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara, për llogari të shtetit shqiptar, është emëruar Idriz Haxhiaj. Ndërkohë, në pikën 4 të këtij vendimi evidentohet një ndërhyrje interesante. Aty thuhet se urdhri nr.39 i Ministrit të Brendshëm i datës 12.02.24, për “Delegim Kompetencash” shfuqizohet. Pra, dje është marrë dhe një urdhër për të deleguar kompetencat te një person tjetër që nuk është Idriz Haxhiaj, por që është vendosur të shfuqizohet po dje./kb