Dy vite nga agresioni rus, ambasadorja amerikane: Ukraina duhet të fitojë!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink thotë se Uashingtoni do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus, ndërsa Kievi shënon sot dy vjetorin e fillimi të luftës.

Në një intervistë me korrespondenten e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, diplomatja amerikane thotë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për të mbështetur Ukrainën, pavarësisht debatit në rritje në Uashington dhe kryeqytetet europiane mbi të ardhmen e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin.

Zëri i Amerikës: Mbërritët në Ukrainë si ambasadore amerikane pak muaj pas sulmit frontal. Si e gjetët Ukrainën atëherë dhe si është ajo tani?

Bridget Brink: E gjeta Ukrainën dhe ukrainasit të fortë dhe rezistentë dhe i gjej ekzaktësisht kështu edhe sot. Dhe jam vërtet krenare që e kemi mbështetur Ukrainën. Thjesht duhet t’i ndihmojmë që ta përmbushin misionin.

Zëri i Amerikës: Sot Ukraina ka nevojë të madhe për mbështetje ushtarake. Ka vonesa në Kongres për këtë mbështetje. Si po ua shpjegoni ukrainasve se përse po i duhet kaq shumë kohë Shteteve të Bashkuara të vendosin se kur dhe si do ta mbështesin Ukrainën?

Bridget Brink: Ajo çfarë u kam shpjeguar ukrainasve është se ka mbështetje dypartiake për Ukrainën në Amerikë dhe në Kongresin tonë. Unë, presidenti dhe të gjithë të tjerët në administratë, po bëjmë gjithçka të mundur për t’i komunikuar Kongresit dhe gjithashtu popullit amerikan se përse është e rëndësishme të mbështetet Ukraina dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Zëri i Amerikës: Megjithë mosveprimin nga Kongresi për të dërguar mbështetjen shumë të nevojshme, sipas një studimi të Institutit Pew 73% e amerikanëve mbështesin Ukrainën si një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ka mbështetje dypartiake, siç thatë dhe juve, edhe në Kongres. A po fiton Ukraina në të mirë të interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara?

Bridget Brink: Absolutisht që po. Siç tha Presidenti Biden, ne mbështesim Ukrainën që ta fitojë këtë luftë, duke u siguruar që kjo të jetë një humbje strategjike për Putinin. Dhe mendoj se ka mbështetje të gjerë për këtë në Kongres dhe nga populli amerikan.

Zëri i Amerikës: Zëra konservatorë në Kongres kërkojnë llogaridhënie në lidhje me ndihmat amerikane për Ukrainën. Inspektorët amerikanë vizituan rishtazi Kievin. A mund të na jepni informacion të mëtejshëm? Si funksionon procesi i llogaridhënies këtu në Ukrainë?

Bridget Brink: Mund t’ju them se e ndjekim me shumë vigjilencë këtu nga ambasada. Gati një e treta e ekipit tim është i angazhuar me mbikëqyrjen. Kemi gjithashtu tre inspektorë të përgjithshëm që gjenden po në ambasadë. Dhe ata kanë një personel prej 400 vetash në mbarë botën. Pra, ka mbikëqyrje që po bëhet, si me ukrainasit, edhe me ne në ambasadë, si dhe më gjerë.

Zëri i Amerikës: A kanë qasje tek objektet ku mbahen këto armatime dhe municionet e tjera?

Bridget Brink: Kanë qasje në çdo vend ku mundemi të shkojmë fizikisht, si dhe tek vendet ku nuk shkojmë dot, si p.sh. në front. Kemi dalë me disa mënyra alternative për të mbajtur një bilanc të armatimeve.

Zëri i Amerikës: Cilat janë këto mënyra alternative?

Lexo edhe :  Familja e ish presidentit amerikan John Kennedy mbështet Biden në zgjedhjet presidenciale

Bridget Brink: Ndoshta nuk e them dot konkretisht, por kemi gjetur mënyra se si mund t’i përmbahemi rregullave dhe ligjit, pa i vendosur njerëzit në rrezik.

Zëri i Amerikës: Gjatë dy viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara e ndihmuan shumë Ukrainën ushtarakisht, por realisht shumë prej fondeve mbeten në Shtetet e Bashkuara. Në komunitetet rurale që prodhojnë këto armatime. A keni informacion se si shpenzohen paratë?

Bridget Brink: Faleminderit për këtë pyetje. Në fakt fondet për Ukrainën shpenzohen në 31 shtete në mbarë vendin dhe këtu përfshihen raketat Patriot në Arizona. Ka artileri në Pensilvani. Ka madje automjete nga shteti im Miçigani. Pra kjo është realisht edhe shumë e rëndësishme për amerikanët dhe vendet e punës në Amerikës, ndërkohë që mbështetet gjithashtu Ukraina.

Zëri i Amerikës: Ekonomia ukrainase, megjithë luftën dhe rënien domethënëse, ka mbijetuar. Shtetet e Bashkuara ndihmuan shumë. Si pritet të jetë pamja për vitin tjetër për ekonominë ukrainase, nga perspektiva juaj? Dhe çfarë mekanizmi të ri planifikoni të përdorni për ta ndihmuar Ukrainën të mbijetojë ekonomikisht?

Bridget Brink: Kjo është ndoshta një nga sukseset më të mëdha që ka patur Ukraina, jashtë sferës ushtarake. Ekonomia ukrainase është rritur me 5% vitin e kaluar. Kjo është fenomenale. Një pjesë e madhe e kësaj është kapacitetet e Ukrainës për të vazhduar eksportet. Dhe kjo u arrit megjithëse Rusia u largua nga iniciativa për drithin e Detit të Zi, nëpërmjet përpjekjeve tepër të guximshme dhe krijuese. Korridore të reja u krijuan nga portet e Detit të Zi. Dhe tashmë 760 anije dhe mallra në sasi mbi 23 milionë tonë metrikë janë transportuar të sigurta në rrugë detare. Dhe kjo është e rëndësishme për botën, pasi kështu merren drithi dhe furnizimet e tjera, por është edhe shumë e rëndësishme për ekonominë e Ukrainës.

Zëri i Amerikës: Biseduam me bizneset ukrainase dhe ata vlerësojnë në veçanti mekanizmin e siguracionit që po përdorin institucionet financiare perëndimore. A synoni ta zgjeroni më tej këtë përpjekje?

Bridget Brink: Po. Po punojmë së bashku me qeverinë ukrainase dhe partnerë të tjerë që të japim mbështetje me të gjitha mënyrat që mundemi. Me rritje të eksporteve nga portet e Detit të Zi, nga portet e Danubit dhe me përmirësimin e pikave të kalimit kufitar, si dhe gjëra të tjera për të lehtësuar këto eksporte dhe për të sjellë më shumë të ardhura në arkën e shtetit. Kjo është një pjesë e madhe e ndihmës sonë për kapacitetet e Ukrainës, në mënyrë që ajo të mbështetet në forcat e saj.

Zëri i Amerikës: Çfarë parashikimi keni për vitin e ardhshëm, për Ukrainën dhe rajonin?

Bridget Brink: Është i njëjti si në periudhën kur mora detyrën. Ukraina duhet të fitojë. Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët dhe aleatët, do të vazhdojnë t’i mbështesin ukrainasit për këtë objektiv. Dhe kjo do të thotë rimarrje të territoreve, afrim të mëtejshëm me Evropën, me BE-në dhe rrjedhimisht me NATO-n; përparim drejt asaj çfarë dëshirojnë ukrainasit – një vend sovran, të pavarur dhe të begatë që është i integruar në institucionet euro-atlantike, që do të jetë një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo është ajo çfarë mbështesim ne./VOA/kb

Të fundit

Vullkani më i lartë në botë ‘vjell’ çdo ditë $6,000 flori, por është i mbuluar nga akulli

Vullkani më i lartë në botë prej kohësh lëshon çdo ditë pluhur floriri megjithëse i mbuluar nga akulli i...

Një këshille e vyer për beqarët nga Dua Lipa: Është periudhë e bukur që duhet…

Së fundmi ylli i muzikës pop, Dua Lipa ka dhënë një këshillë për beqarët. Këngëtarja doli në kopertinën e “Elle USA” për të promovuar këngën...

Ledjona Xheladinaj në një lidhje të re dashurie? Ish-banorja: Po si mundet që…

A është Ledjona Xheladinaj e dashuruar apo në një lidhje të re dashurie?! E ftuar këtë pasdite në emisionin “S’e luan Topi”, me Eriona Rusin,...

Rrëfehet si rrallëherë Bamir Topi: Të ndryshon jeta, tani e blej bukën vetë…

I ftuar në “S’e luan topi”, ish presidenti Bamir Topi ka përshkruar jetën e tij në kohën kur mbante këtë post dhe periudhën pas. e...

Revoltohen qytetarët spanjollë, dalin në protestë, ja kërkesat e tyre

Dhjetëra mijëra njerëz në Ishujt Kanarie të Spanjës janë mbledhur kundër një modeli të turizmit masiv që sipas tyre po pushton arkipelagun e Atlantikut....

Lajme të tjera

Web TV