Normat e interesit dhe inflacioni

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

A është mposhtur inflacioni, apo po rikthehet? Kjo pyetje ka mbizotëruar tregjet e bonove dhe ende ndikon mbi perspektivat ekonomike të botës, shkruan The Economist.

Në fillim të vitit, pasi Rezerva Federale ishte gati të shpallte fitoren për ndalimin e rritjes së tepërt të çmimeve në Amerikë, yield-et e bonove ranë, në pritje të uljeve të normave të interesit. Sot, ai bast duket i parakohshëm. Gjatë tre muajve të fundit, çmimet bazë të konsumit, duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë, janë rritur me një normë vjetore prej 4%, nga 2.6% në tre muajt deri në gusht.

Çmimet e prodhimit janë rritur më shumë se sa pritej dhe pritshmëritë e konsumatorëve për inflacionin gjatë vitit të ardhshëm janë rritur gjithashtu. Inflacioni është shumë më i ulët se në kulmin e tij, por ende nuk është “mposhtur”. Si rezultat, yield-et e thesarit janë rikthyer afërsisht në nivelin ku ishin përpara se Rezerva Federale të bënte kthesën. Yield-et e bonove afatgjata janë ende më të larta.

Inflacioni duket se është i vështirë për t’u ulur. Eurozona regjistroi rritje të mëdha çmimesh në muajin janar, inflacioni në Suedi u rrit në janar dhe Banka e Rezervave të Australisë, kohët e fundit paralajmëroi se do të duhet kohë derisa inflacioni të “bëhet i ulët dhe i qëndrueshëm”. Kudo, dhe veçanërisht në Amerikë, rritja e inflacionit kërcënon të vonojë uljen e normave të interesit. Për të kuptuar se çfarë po ndodh, shikoni modelin e kërkesës. Pandemia Covid-19 çoi në karantina dhe ndihma bujare nga qeveria.

Kjo nxiti kërkesën për mallra dhe si pasojë u mbingarkuan zinxhirët e furnizimit. Në vitin 2021, në Amerikë, çmimi i një lavatriçeje u rrit me 12%. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, çmimet e energjisë dhe ushqimeve u rritën.

Ndërsa sot, çmimet globale të mallrave po bien, pavarësisht se janë goditur nga ndërprerjet e transportit në Detin e Kuq. Çmimet e ushqimit dhe energjisë janë të moderuara. Burimi i problemit të sotëm është rritja e çmimit të shërbimeve globale.

Inflacioni në sektorin e shërbimeve është i lidhur ngushtë me kushtet lokale. Për shembull, nëse nuk po plotësohet kërkesa për prerje flokësh, kjo nuk mund të zgjidhet dot me importe. Prandaj, nuk është çudi që kostoja e shërbimeve po rritet në Amerikë.

Gjatë tre muajve të fundit, tregu i punës në lulëzim ka krijuar mesatarisht 289,000 vende pune në muaj, më shumë se dyfishi i vlerësimeve. Pagat po rriten me një ritëm vjetor prej më shumë se 4.5%. PBB-ja u rrit me 4.1% vjetore në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe treguesit konstatojnë se zgjerimi ekonomik i vendit mbetet i shëndetshëm.

Lexo edhe :  2025 nis me bum kreditimi për shtëpi, ndërhyhet me masa të reja rregullatore

Forca e ekonomisë amerikane është vërtet shumë e madhe. Gjetiu, gjendja është më e baraspeshuar. Në Europë, papunësia është e ulët, por rritja ekonomike më pak e fortë.

Britania ra në recesion në fund të vitit 2023. Sondazhet e biznesit në Eurozonë janë të zymta. Frika nga inflacioni është zbutur disi nga çmimet më të ulëta të gazit natyror.

Kjo do të ulë inflacionin dhe do të rrisë normën e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe jo-inflacioniste. Ekonomia kineze është në një gjendje të keqe dhe çmimet po bien. Në Japoni, normat e interesit janë ende nën zero.

Do të konsiderohej një fitore nëse trysnitë inflacioniste do të qëndronin mjaftueshëm të forta për ta lënë bankën qendrore të rriste normat. Vendi ku ka më tepër gjasa që të godasë një valë e dytë inflacioniste, është Amerika. Kjo do të thotë se politika monetare mund të ndryshojë, pra Rezerva Federale do t’i mbajë normat e interesit të larta, edhe pse pjesa tjetër e botës së pasur po i shkurton ato për të nxitur rritjen ekonomike.

Një model i tillë do të rriste vlerën e Dollarit, i cili tashmë po rritet. Kur tregjet monetare amerikane ofrojnë kthime të larta fitimi për pak rrezik, nga kjo vuajnë shumë shtete më të varfra që e kanë të vështirë të marrin hua në dollarë. Nëse normat e interesit nuk bien, mund të ketë surpriza të këqija edhe në Wall Street.

Tregu i aksioneve duket sikur e ka shpërfillur fare rrezikun se politika monetare mund të qëndrojë e shtrënguar këtë vit. Në të kundërt, pritshmëritë për rritjen e normës së interesit në vitet 2022 dhe 2023, shpesh nxitën shitje masive, pasi investitorët përshtatën vlerën e ulur të fitimeve të ardhshme. Gjithashtu nuk ka shumë shenja se bankat e vogla dhe të mesme të Amerikës kanë marrë masa për t’u përballur me kërcënimet që normat e larta të interesit paraqesin në bilancet e tyre.

Problemi i inflacionit nuk është aq i madh sa një vit më parë, por bota ende nuk e ka kaluar rrezikun./ Revista “Monitor”

Të fundit

Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja renditja

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 55...

Ja çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të...

Elisa Spiropali: Papa i Ri, ura dashurie dhe dialogu në kohë trazirash

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së...

Pse ka më shumë vota të numëruara se sa vota në total? Shpjegon Celibashi

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta...

Joe Biden diagnostikohet me sëmundjen e rëndë!

Ish-presidenti Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë. Një deklaratë nga zyra e tij tha se Biden, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë...

Lajme të tjera

Web TV