Ozempic e ka çorientuar paksa çështjen e dobësimit me premtimin se mund të ndihmojë në humbjen e kileve dhe rezultati do jetë afatgjatë në kohë. Por ky ilaç nuk është bërë i famshëm vetëm për këtë arsye. Tani në TikTok po thuhet se ka gra që po ngelin shtatzënë prej përdorimit të tij. “Ozempic babies” (bebet ozempic) është termi më i ri që ka shpërthyer online dhe raportimet për të vetëm shtohen çdo ditë.
Por çfarë thonë ekspertët për këtë temë?
“Shkenca ka vërtetuar se humbja e peshës, mund të rrisë ndjeshëm ovulimin te gratë me çrregullimin e ciklit menstrual”, thotë Karen Wheeler, e njohur si mjeke endokrinologjiste.
“Gratë që humbin peshë me Ozmepic dhe më parë kanë pasur probleme me ovulimin, mund të nisin të kenë ovulim. Nëse nuk po përdorin metoda kontraceptive gjasat janë të larta që të ngelin shtatzënë kur janë duke përdorur ilaçin”, sqaron ajo.
Sipas Wheeler, humbja në peshë jo vetëm që rrit aftësinë e trupit për të ovuluar spontanisht, por gratë me BMI (indeksi i masës trupore) të ulët do të kenë rritje të shanseve për të mbetur shtatzënë nëse po kërkojnë të përdorin metoda riprodhimi me ndihmën e teknologjisë.
Arsyeja e dytë pse gratë që përdorin Ozempic mund të jenë më të prirura të ngelin shtatzënë është fakti se ky mjekim mund të ketë ndikim në efektin e kontraceptivëve.
Edhe pse nuk ka studime të mirëfillta për të vërtetuar këtë ide, Wheeler, thekson se fakti që ky ilaç nxit të vjella, bën të mundur që edhe nëse i pi kontraceptivët oral, trupi nuk ka kohë të bëjë punën e tij. Gjithashtu, mënyra se si ky mjekim funksionon, e vë trupin në gjendje të pazakontë duke ndryshuar mënyrën se si stomaku proceson gjithçka që i fut trupit.
Por pse nuk rekomandohet që të mbesësh shtatzënë me këtë medikament?
Mjekët thonë se nuk ka ende mjaftueshëm studime që të mbështesin sigurinë që ky ilaç të hyjë në listën e atyre që përdoren për të rritur fertilitetin. Ata janë ende të panjohur me efektet anësore apo problematikat e tjera që mund të shkaktojë ky medikament.
Kujtojmë se Ozempic dhe ilaçe të tjera të përdorura nga pacientët me diabet të tipit 2 mbeten trend në TikTok për shkak të efektit anësor të humbjes së peshës. Ozempic nuk është teknikisht ilaç për humbje peshe. Por konsiderohet i sigurt dhe efektiv për diabetin e tipit 2 dhe ju mund të humbni peshë si një efekt anësor i trajtimit. Nëse merrni Ozempic dhe nuk keni diabet, kjo konsiderohet përdorim jashtë etiketës dhe potencialisht i rrezikshëm.
Efektet anësore më të zakonshme të Ozempic janë: kapsllëk, diarre, të vjella, të përziera, hipoglicemi, sëmundje të fshikëzës së tëmthit, reaksion alergjik etj.
Të përzierat dhe dhimbjet e vazhdueshme të barkut janë shumë shqetësuese. Stomaku dhe truri janë aq të lidhur sa problemet e zorrëve mund të shkaktojnë stres, ankth dhe depresion.
Këto simptoma mund t’i bëjnë njerëzit të ndihen të izoluar, të mbingarkuar dhe në gjendje depresive.
Mungesa e ilaçeve të tilla prej trendit që ka nisur online ka filluar të bëhet një problem serioz për pacientët që kanë vërtet nevojë për to.
Ozempic nuk është akoma në listën e ilaçeve të sugjeruara për të ndihmuar fertilitetin! Para se të merrni çdo vendim për ta përdorur duhet të konsultoheni me mjekun!/E.Ç