Në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq u votua për largimin e katër kryetarëve shqiptarë. Interesimi i qytetarëve për të votuar ishte minimal pasi pak ditë para votimit, Lista Serbe, ftoi për bojkot me arsyetimin se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke thënë se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “ishte rritur”.
Rreth 47 mijë persona me të drejtë vote janë thirrur të marrin pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Qendrat e votimit u hapën normalisht në orën 7 të mëngjesit dhe u mbyllen në orën 19, ndërsa qytetarët do të duhet të votojnë nëse janë dakord me shkarkimin e kryetarëve të komunave ose jo.
Por shumica e qytetarëve serbë i janë bindur thirrjes së Listës Serbe për të bojkotuar procesin zgjedhor, ndaj deri më tani raportohet një numër shumë i vogël pjesmarrësish në votime. Kështu, KQZ njoftoi se deri në mesditë numri i pjesmarrësve në votime ishte rreth 80 persona. Në Zveçan nuk ka pasur asnjë votues.
Pavarësisht pjesëmarrjes shumë të ulët në këto votime, procesi deri më tani është zhvilluar i qetë dhe pa incidentet, ndërsa vihet re një prani e ulët e forcave të rendit. Sipas udhëzimit të qeverisë, do të duhen 50%, plus një votë, nga lista e votuesve që të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet e reja.
Referendumet në veri zhvillohen pas kërkesës së vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për ripërsëritjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vitit të shkuar, të cilat edhe atëherë u bojkotuan nga faktori serb. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se procesi i votimit në katër komunat në veri të Kosovës, lidhur me shkarkimin e kryetarëve shqiptarë po shkon “qetë dhe mirë”.
Në një deklarim për gazetarët nga Leposaviqi, ku vizitoi qendrat e votimit, Krasniqi u ndal edhe te bojkotimi i procesit të votimit nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, të cilën e akuzoi se dëshiron të ketë “monopol” mbi politikën e komunitetit serb në Kosovë.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit të Kosovës. Tashmë qytetarët, edhe me votim, deklarojnë nëse janë për largimin e kryetarëve ose jo”, tha Krasniqi.
Ai tha se institucionet kanë realizuar të gjitha obligimet për mbajtjen e këtij procesi, duke nisur nga nxjerrja e udhëzimit administrativ në shtator, e deri tek organizimi i votimit më 21 prill. Qytetarët që marrin pjesë në zgjedhje zgjedhin opsionin “po” ose “jo” lidhur me shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Që procesi të jetë i suksesshëm, duhet që 50 për qind plus një votues të votojë për largimin e kryetarëve.
Në të kundërtën, një nismë e tillë mund të merret sërish pas 12 muajsh. Serbët kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar, kur u zgjodhën kryetarët aktualë shqiptarë. Në maj 2023, kur këta kryetarë shkuan në zyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.
Siguria në Kosovë mes trazirave globale
Në një realitet të mbushur me sfida të forta dhe të shumëfishta të sigurisë, udhëheqja e Kosovës do të bënte mirë që t’i mirëmbante partneritetet dhe t’i forconte lidhjet me rëndësi strategjike, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s, thotë eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.
“Siç u pa në rastin e Izraelit, partneritetet dhe koalicionet janë jetike për mbrojtjen e vendit”, thotë studiuesi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, me bazë në Uashington. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Shtuni i referohet kështu përgjigjes që i dha Izraeli bashkë me aleatët e tij sulmit të Iranit me raketa dhe dronë, natën mes 13 dhe 14 prillit.
Shtuni thotë se ky konfrontimi “i paprecedentë” e bëri situatën në Lindje të Mesme edhe “më të paparashikueshme” dhe nuk e përjashton mundësinë që ajo, në një mënyrë ose tjetër, të ketë implikime edhe në Ballkanin Perëndimor. “Rajoni është duke kaluar një situatë të trazuar. Ka polarizim politik shoqëror.
Ka pasur edhe sulme të drejtpërdrejta, që kanë përfshirë armatime të nivelit ushtarak”, thotë Shtuni, duke përmendur rastin e Banjskës. Në këtë fshat në veri të Kosovës, shtatorin e kaluar, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Kosova fajësoi aparatin shtetëror të Serbisë për këtë sulm. Edhe SHBA-ja tha se po i heton lidhjet e shtetit serb me të.
Derisa Serbia u distancua, përgjegjësinë e mori ish-politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiç, i cili është ende i lirë dhe ka dyshime se gjendet në Serbi. “Për sa kohë që autoritetet serbe – të cilat i kanë në territorin e tyre të gjithë eksponentët që morën pjesë në atë sulm – nuk veprojnë, jo vetëm për t’i arrestuar dorasit, por edhe për t’i vënë para përgjegjësisë planifikuesit dhe financuesit e sulmit, ekziston rreziku që personat e njëjtë t’i kryejnë aktet e njëjta”, thotë Shtuni.
Për më tepër, shton ai, “mund të ketë edhe individë, që nuk kanë qenë të përfshirë në sulmin e Banjskës, e që, nëse nuk ndodh ndëshkimi apo vënia para përgjegjësisë, mund ta marrin mesazhin se ‘është në rregull ta bësh të njëjtën gjë””.Shtuni thotë se “ka vend për shtim të vigjilencës nga bashkësia ndërkombëtare”, por edhe “për mirëmbajtje dhe forcim të partneritetit dhe aleancave të rëndësishme” të Kosovës, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej kohësh, përsërit se Serbia paraqet kërcënim për sigurinë e Kosovës.
Një sondazh i publikuar këtë javë nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në SHBA, nxori në pah se për gjysmën e qytetarëve të Ballkanit, “rreziku më i madh është Serbia”. Por, mes Kurtit dhe aleatëve ndërkombëtarë kishte disa mospajtime së voni – sidomos për çështjen e përdorimit të dinarit në Kosovë – të cilat çuan në disa paralajmërime se Kurti po vë në rrezik marrëdhëmiet me aleatët, edhe pse ai këmbënguli në të kundërtën.
Pas sulmit të Iranit në Izrael, Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës në takim, ku, siç tha, u diskutuan edhe implikimet e mundshme të zhvillimeve në Lindjen e Mesme në paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale. Zyra e Kurtit tha se dronët që i përdori Irani kundër Izraelit, i posedon edhe Serbia, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë mohoi se ka dronë Shahed në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Por, për rrezikun e një konflikti të gjerë rajonal, me implikime ndoshta edhe globale, tërheq vërejtjen edhe Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme.