Falen 100 të korruptuar, PD kërkon interpelancë me Manjën

Partia Demokratike zyrtare ka kërkuar interpelancë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, në lidhje me ligjin për amnistinë penale. Nënkryetari i PD-së zyrtare Enkelejd Alibeaj thotë se mbi 100 të dënuar nga GJKKO kanë përfituar nga amnistia penale. A u fsheh me marrëvëshje PS-Rithemelim lirimi dhe ulja e dënimeve për të dënuarit për korrupsion, shkelje e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre?

Marrëveshja PS-Rithemelimi për të votuar ligjin për Amnistinë Penale erdhi pasi u deklarua me përgjegjësi se nuk do të ketë persona të dënuar për korrupsion që do të përfitojnë nga amnistia. Megjithatë Partia Demokratike e Lulzim Bashës ishte e dyshimtë për këtë marrëveshje. Edhe pse ministri i Drejtësisë tha se se nuk ka asnjë të liruar që është gjykuar në SPAK, Prokroria zbuloi të kundërtën. Sipas saj kanë përfituar 100 persona të gjykuar nga SPAK. Për këtë Partia Demokratike zyrtare ka dërguar në Kuvend një kërkesë për interpelancë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Nënkryetari i PD-së Enkelejd Alibeaj thotë se mbi 100 të dënuar nga GJKKO kanë përfituar nga amnistia penale. “25 ditë më parë, rreth 110 deputetë të Kuvendit bashkuan votat për të amnistuar edhe të dënuarit nga SPAK-GJKKO. 25 ditë më parë, përfaqësuesit më të zëshëm të atij bashkimi të turpshëm votash u përbetuan se “asnjë i dënuar për korrupsion nga GJKKO nuk do përfitonte”, apo se “ishin marrë statistika mbi përfituesit potencialë, e thjesht 2-3 policë do përfitonin”. Mediat kanë raportuar sipas informacionit të marrë nga SPAK, mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan. Mes prifituesve janë zyrtarë të lkartë të dënuar për korrupsion, shpërdorim detyre apo shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Gjithashtu përfitues janë edhe të dënuar gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nga amnistia ose janë liruar, ose kanë përfituar ulje të ndjeshme dënimi dhe tashmë pritet që të lirohen. “Një ligj i gatuar në errësirën e natës, në shkelje të procedurës parlamentare, me shpejtësi, pjellë e një pazari transversal të pamoralshëm politik, nxori nga burgu apo uli dënimin e mbi 100 të denuarve për korrupsion (e me gjasë të tjerë do vijojnë të përfitojnë ditët në vazhdim)”, tha ai. Ai theksoi se besimi në drejtësi mori një goditje të fortë. “Besimi publik për ndëshkimin e korrupsionit dhe fund të pandëshkueshmërisë Reforma në Drejtesi mori goditje të fortë! Në thelb, pazari i amnistisë ishte prova gjenerale e një bashkëpunimi i rreth 110 deputetëve në mbrojtje të së shkuares korruptive. Ata u bënë bashkë kundër drejtësisë, e me këtë akt i dhanë goditje të qartë BKH-SPAK-GJKKO. Partia Demokratike që në fillim depozitoi amendamentet kundër amnistimit të të korruptuarve, në mbështetje të SPAK-GJKKO, duke denoncuar pazarin e aleancës antiSPAK në kurriz të qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë. Me raportimin tashmë të fakteve nga media për amnistimin e të korruptuarve, PD do të ndërmarrë cdo hap për vënien para përgjegjësisë të kujtdo duike filluar me kërkesën për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë”,shkruan Alibeaj.

Lexo edhe :  Zgjedhjet në Tiranë/ PD mbledh nesër Kryesinë, në fokus bisedimet me aleatët

 Reagimi i Agalliut

Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë shtypi ku ka akuzuar Rithemelimin se i ka bashkuar votat me Partinë Socialiste, enkas për të falur të korruptuarit. Duke iu referuar të dhënave të SPAK se janë liruar rreth 100 të dënuar nga GJKKO, Arbi Agalliu i kërkoi Gazment Bardhit të cilit i referohet si ‘Pitkini’ që ta pranojë se pse e ka votuar këtë ligj. “Po tani a do thotë Pitkini që nuk do të amnistohet asnjë i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK? Fol Pitkin fol! Bëhu burrë! Fol e prano që PO, votova që të amnistoj të korruptuarit. SPAK ka bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga amnistia votuar në 4 prill në Kuvend. Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tenderë apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi. 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Këtu duket mjaft qartë se kush e mbështet luftën kundër korrupsionit dhe kush e mbështet korrupsionin. Këtu duket mjaft qartë se kush kërkon një Shqipëri pa korrupsion dhe kush i mban shpresat tek korrupsioni për interesa personal. E pra, ky është rezultati i bashkimit të votave me mazhorancën i Pitkinit me shok”, shkruan Agalliu.

Votimi

Ligji për aministinë, i cili kërkonte shumicë të cilësuar, u miratua me votat e mazhorancës socialiste dhe të opozitës së grupimit Berisha-Bardhi. Lindita Nikolla bëri me dije se për këtë projektligj janë paraqitur amendamente nga dy deputetët demokrat Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj. Kuvendi miratoi amendamentin e Gazment Bardhit për aministinë me 111 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim. Në këtë amendament u kërkua që të përfshihen në amnisti protestuesit e PD-së të dënuar, nën hetim apo të proceduar deri në datën 31 Mars 2024. Amendamenti i Enkelejd Alibeajt nuk u miratua, ai mori 8 vota pro, 72 kundër, 2 abstenime. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha në fjalën e tij në Kuvend se nga amnistia do të përfitojnë edhe protestuesit e opozitës, ndërsa theksoi se nuk përfitojnë prej saj personat e dënuar me burgim të përjetshëm, të dënuarit nga GJKKO dhe ata të akuzuar që janë në arrati.