MUHAMET DERRI OSE FORMATI I RRITJES SË NJË PERSONALITETI

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mbi librin “Në rrjedhën e jetës së një jetimi”

 Nga QAZIM SHEHU

 Koha gjithnjë e sjell nevojën e sfidës me të,sidomos një kohë e vështirë, që vihet në provë nga kufizimet që ajo mbart por, kur këto pengesa kalohen me vetëdije të kthjellët dhe kujdesin e treguar apo syçeltësinë e sprovës, ato bëhen një “minierë e artë” për të treguar në një kohë tjetër të mëvonshme ,e cila shumë gjëra i merr si të tejkaluara ose si të pandodhura,por për njohësin dhe mbushamendësin e atij që shkruan, gjërat bëhen të besueshme dhe kështu bëhet një ndërlidhje midis kohërave dhe del  në pah formati i personalitetit të njeriut. Dihet se njeriu nuk e zgjedh kohën, (kohën metonimike me ngjarjet, njerëzit, ndodhitë apo reflektimet e mendësive të saj), por njeriu i vërtetë, krahas kohës shoqërore, politike dhe kalendarike, krijon kohën e tij të brendshme kohën e rritjes përmes e nëpërmjet virtytit, lartësimit profesional e ndershmërisë. Këtë ndjesi e provova teksa lexova gati me një frymë librin e Muhamet Derrit, një libër i shkruar për vete, por jo vetëm , shkruar me rrjedhshmëri nga pena e stërvitur e një krijuesi, gazetari, por edhe e një intelektuali të bindur ndaj parimeve dhe normave të larta intelektuale, shkruar me një fjali të çiltër e plot kumbime ndjesish e të jehonave të largëta dhe të afërta, një libër ku mësohet shumëçka e nuk mund të lësh jashtë kësaj asgjë, duke përfillur njëherit çdo fakt, episod e portretizim të njerëzve, të vendeve dhe të atyre viteve që përbëjnë romantikën e një jete rinore plot pasion e mençuri. Muhamet Derri, ekonomist, shkrimtar, poet, gazetar, në librin e tij  na tregon se kalimi nga një pikë në tjetrën i jetës, nga një dëshirë drejt një qëllimi dhe një realizmi të saj, nuk ka qenë për të një udhë e lehtë, diçka që, kur e merr nëpërmjet letrës së shkruar, mund të përbëjë një këshëri apo një intrigë dramatike ngjarjesh prej të cilave mund të thuret një roman.

Jo. Përkundrazi. Ai na tregon rrugën e një jetimi mbetur pa baba, një rrugë e vështirë që ta kujton poezinë e famshme të Naim Frashërit për jetimin. Por ai nuk është as një hero nga ata që mitizonte  letërsia socrealiste me Pavël Korçaginin në romanin “Si u kalit Çeliku” të Nikolla Ostrovskit. Fëmijëria e vështirë “e përvuajtur dhe mallëngjyese”, siç shprehet ai,  nuk është veçse një thirrje e vetëdijes së tij  aso here, për të qenë syçelët ndaj jetës, për të krijuar atë që quhet  mprehje dhe pjekuri e mendimit para kohe dhe këtu  na vjen ndërmend vargu i Migjenit: “Mjerimi pjek fëmijën para se të burrnohet/don ta mësojë t`i hiki grushtit që i kërcënohet”

Natyrisht, në jetë, një jetim gjen ftohmat e ndjenjës së dehumanizmit, por edhe ndjelljen e ngrohtë të humanizmit nga njerëz të rastësishëm, të njohur dhe të panjohur, e kjo ka rëndësi për të kuptuar edhe natyrën e shoqërisë sonë në ato vite të vështira ku vëmendja dhe indiferenca përbënin tendosje dhe çtendosje të panatyrshme. Në fillim të librit, Muhamet Derri bën një përshkrim të Smokthinës e veçanërisht të fshatit Bashaj, një krahinë e një fshat me tradita patriotike e zëlëvduar për liri në shërbim të çështjes kombëtare, ku spikasin figura të tilla si: Sali Nivica, Zigur Lelo, Qeriba Derri Heroinë e Popullit”, e cila dha jetën për liri. Shkurt e saktë me një stil të kursyer,pasi nuk është ky synimi i tekstit libror,autori na ka dhënë  me pak fjalë historinë e kësaj krahine, traditat, duke përvijuar bindshëm ato vlera të qenësishme të krahinës së vet në sfondin kohor  në kapërcell të periudhave historike të gjysmës së pare e të dytë  të shekullit XX. Është e rëndësishme të hetojnë dhe ta pikëzojmë këtë libër,duke e parë atë në disa kënde shikimi.Së pari ,në vështirësitë e jetës  së një krahine që ka jetuar kryesisht me mbarështimin e bagëtive, por që koopetrativa u mori të gjitha fiseve të fshatit Bashaj, gati 40 000 krerë bagëti. Së dyti, me entuziazmin e kohës që vinte edhe nga çlirimi i Shqipërisë dhe me besimin se e mira do vinte, edhe pse propaganda nga dita në ditë po rezultonte zhgënjyese. Së treti, me dëshirën për arsimim dhe kërkimi i fitimit të një profesioni për t`i shërbyer atdheut. Të gjitha këto kënde të shikimit nuk ngjyrosen bardh e zi as mbyllen dhe hapen sipas një vështrimi të mjegullt apo mllefi personal, përkundrazi ato shihen me realizëm dhe materializohen bindshëm prej njohjes dhe përgatitjes jetësore, kulturore  dhe filozofike, që autorit nuk i mungojnë dhe që i shtron drejt e besueshëm me një narrativë konkrete e të lavdërueshme. Është për tu theksuar, dhe kjo përftohet si një përshtypje tronditëse nga libri, kur autori na rrëfen se atij i është dashur të përballet me njerëz dredharakë,kuadro të paaftë dhe që të bënin gjëmën ,në saj të indoktrinimit ekstrem që ata kishin dhe veçmas prej paaftësisë së tyre, e cila shpëtohej dhe merrte udhë prej këtij indoktrinimi që i thellonte dhe i marroste më tej prapësitë e tyre.Një kënd i veçantë që vjen prej një vështrimi shoqëror dhe etik, prej të cilit shoqëria jonë nuk ka shpëtuar edhe sot edhe pse koha ka ecur përpara ku i afti  shpesh ndodhet në kurthet e të paaftit.

Lexo edhe :  Kur ekrani prekte yjet, një kujtesë për kinemanë që jetoi në makinë

Ka një moment nga më tronditës në libër, (f.115) ku autori na rrëfen sesi shkruheshin fletërrufetë kundër profesorëve të nderuar të Fakultetit të Ekonomisë dhe nënshkruheshin nga një grup studentësh. Ai na tregon sesi marrëzia kolektive injektohej çdo ditë nga udhëzimet dhe sloganet e udhëheqjes së lartë… Në fund të fundit, një sistem i tillë nuk mund të mbijetonte veçse në formën e ndëryersjes  së ligësisë e mllefit të injektuar dhe të goditjes së mendimit. Ka gjëra që, sot një lexues  i cili  se ka jetuar atë kohë , mund t`i marrë si të pabesueshme  dhe si një trill  artistik të autorit dhe në të vërtetë  po t`i shkëpusësh nga e ndodhura ,ato përbëjnë një trill të bukur dhe krijojnë figurën e një grotesku.Por nuk duhet të harrojmë se nga paranoja lind grotesku  dhe kur grotesku ndodh në realitet, ai është i trishtë e, kur sendërtohet në letërsi, mbetet i bukur. Individi dhe koha në këtë libër përbëjnë një binom të pandarë.Varet nga raportet që vendosen. Si do ta përballosh trysninë e kohës me mbrapshtitë absurde që ajo zgjedh,duke iu përshtatur asaj, apo me ndershmëri? Muhamet Derri zgjodhi ndershmërinë, prandaj edhe sot është krenar dhe ka ç`të rrëfejë  e të na japë një libër të veçantë, ku me optikën e një intelektuali  mendjemprehtë depërton në çdo ind të kohës që shkoi,por edhe të kohës së sotme të demokracisë, duke na sjellë përqasje midis dy kohëve ,dy sistemeve që nuk dëshironim të ndodhnin,por ja që ato manifestohen, edhe pse koha e sotme është koha e lirisë së individit dhe natyrisht me një pësim nga e shkuara, dhe më e pjekur. Ka autorë që kërkojnë ta ngacmojnë imagjinatën e lexuesit me interpretime e qasje komplekse të ideve ngërthyese,ndërsa Muhameti e ngacmon lexuesin me pasurinë e fakteve të gjalla, me dëshmitë autentike për kohërat,çastet dhe kthesat e rrëmbyeshme të tyre,ku shkon në fill të tyre individin jo vetëm  si përjetues dhe spektator soditës,por edhe individin si aktor, aq sa ia lejojnë këtë gjë rrethanat dhe mundësitë. Ai i vështron të ndodhurat nga pozicioni i të sotmes, ndërsa në të vërtetë ky është një libër me një kronologji ku zgjidhet majaja e ngjarjeve,  që kanë shërbyer në formëzimin e një personaliteti i cili ka çarë në jetë me zotësi dhe me devotshmëri ndaj asaj që e ka menduar më të mirë, pavarësisht nga gjykimi kohor i sotëm. Muhamet Deerri ka një krijimtari të pasur letrare duke shkruar 25 vëllime me prozë, poezi, tregime, romane. Krijimtaria e tij ka marrë vlerësime të shumta dhe mirënjohje nga lexues të shumtë, pikërisht për forcën jetësore që ajo ka,për mbështetjen në frymën e folkut të Jugut, për gjuhën e pasur të popullit dhe trajtat shkrimore të fjalëve me akcentin jugor e mbi të gjitha për dramat që përçon e që reflektojnë krenari dhe jo  dëshpërim të theksuar. Po kështu, ai ka ditur të japë vlerësime për profesor doktor Bardhosh Gaçen ,që është një zë i fuqishëm i studimit letrar në vend, për Dilaver Goxhajn ish-zëvëndës shef shtabi i UÇK-së-patriot dhe njeri mjaft i njohur ndër shqiptari, për shkrimtaren gjermane Valtraud Trunger etj.

Me librin e tij monografik (klasifikimi në këtë zhanër duhet të shihet me rezervë, sepse libri ndërthur disa zhantre të krijimit dhe të shtjellimit, por po e quajmë kështu), Muhamet Derri shpreh identitetin e një brezi që lë gjurmë në kohë dhe në veçanti identitetin individual të një njeriu që nuk i dorëzohet pritshmërisë, por arrin ta formatojë veten në udhën e një suksesi moral dhe profesional ,aq sa ia lejojnë kriteret e mjegullta të kohës. Libri lexohet me kënaqësi për stilin e rrjedhshëm të përshkrimit ,për analizat objektive, për memorialistikën e qartë dhe të saktë, për vendosjen e faktit në kufij të besueshëm logjikë, për sinqeritetin e një proze të kthjellët, e cila krijon besim dhe afrim, sikundërse paraqet një periudhë historike mbresëlënëse dhe dramatike, por edhe me nevojën për reflektim të drejtë të sotëm ndaj saj.

 

Të fundit

Zbulohen dy objektivat e Real Madridit me trajnerin Alonso

Pasi ka zyrtarizuar transferimin e Dean Hujisen dhe Alexander-Arnold, Reali Madrid po bën gati të zyrtarizojë dy goditjet e...

Egli bashkohet me Gjestin? Prishet miqësia mes saj dhe Fifit

Mesa duket miqësia mes dy vajzave më të dashura të ekranit shqiptar, Eglit dhe Fitit nuk zgjati dhe për shumë gjatë! Lart e poshtë...

Veliaj: Shkollat e reja në Tiranë, jo vetëm për dije, por edhe qendra komunitare

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar sot një foto-album me palestra moderne në shkollat e reja të ndërtuara në kryeqytet, të cilat po...

51 aksidente çdo ditë, 240 më shumë se një vit më parë! Monopatinat sjellin probleme

51 aksidente në ditë raportohet se ndodhin në vendin tonë, përfshirë këtu ato automobilistike, por edhe rëniet nga lartësitë apo aksidente në punë. Këto shifra...

PD, grevë urie brenda Parlamentit? Klevis Balliu tregon skenaret

Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, u pyet nëse do...

Lajme të tjera

Web TV