Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka folur lidhur me përdorimin e drogave nga të rinjtë në vendin tonë.
Rinia duket se po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga përdorimi i drogave sintetike që edhe përgjatë nisjes së këtij sezoni turistik është parë si një fenomen në rritje, i përhapur gjerësisht te festat që organizohen në jug të vendit.
Nga ana tjetër, studimet e kryera në vendet e BE-së tregojnë për një përdorim në rritje, duke shkaktuar edhe vdekjen e konsumatorëve.
Eksperti i sigurisë, Softa, tha se një burim i madh droge në vendin tonë janë edhe turistët e huaj, të cilët marrin me vete nga vendet e tyre droga të panjohura dhe i sjellin në Shqipëri për t’i përdorur personalisht, por edhe për tregti.
Ai tregoi një nga drogat më të përhapura dhe shqetësuese në Itali, dyshohet se ka mbërritur dhe në vendin tonë.
“Është një lloj produkti i ri që po vjen nga Amerika, kryesisht përdoret në Itali. Është një lëng vjollcë dhe kjo është një përzierje midis një produkti të përgatitur i përzier me sprajt. Kjo lloj lënde krijon një lloj euforie. Nuk di nëse është apo jo në territorin shqiptar por është një lëndë që ka krijuar shqetësime në Itali. Këto janë ato koktejle që janë më të lehta për t’u përgatitur dhe më të mundshme për t’u përdorur, siç ka qenë dhe rasti i lëndëve me bazë kimike që quhet droga e përdhunimit, e cila shpesh herë përdoret nëpër lokale dhe kjo përdoret dhe për efekte kriminale sepse kur ti do të përdhunosh, kur ti do që ta grabisësh apo ta nënshtrosh një person nëpërmjet kësaj pije”, tha Softa/ S.M