Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar se Dhionisis (Alfred) Beleri, i cili vuan dënimin për më shumë se një vit në IEVP Fier, i është konfirmuar leja shpërblyese për të udhëtuar drejt Strasburgut, ku do të bëjë betimin si europarlamentar, pasi u zgjodh deputet nën siglën e partisë greke. Beleri do të lërë qelinë mëngjesin e të hënës, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në jetën e tij. Ky udhëtim vjen nga një proces që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë për të shpërblyer sjelljen e mirë të të burgosurve dhe për t’i dhënë mundësi për rehabilitim dhe integrim më të mirë në shoqëri. Nga data 15 korrik deri në 20 korrrik Beleri do të jetë me leje shpërblyese dhe i qetë, pasi nuk fo të ketë asnjë polic që do të jetë pas tij. Ai do të lëre derën e burgut i vetëm. Kjo lëvizje pritet të ngjallë interes dhe reagime të ndryshme në opinionin publik, duke qenë se Beleri ka qenë një figurë mjaft e njohur dhe kontroversiale këto kohë.
Procedurat
Pas kërkesës së avokatit të Alfred Belerit, e cila kërkonte lejen shpërblyese për klientin e saj për pesë ditë dhe për të dalë jashtë shtetit për të bërë betimin si eurodeputet, Dtejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe ajo e Fierit e kanë kaluar kërkesën në një procedurë të gjatë ku për dy ditë rresht, komisioni i vlerësimit të lejes shoshitën ligjin për ti dhënë Alfred Belerit lejen shpërblyese jashtë territorit shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pasdite e djeshme mori vendimin për ta miratuar. Më herët mediat greke si dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule tha se kërkesa e Belerit do të miratohet. Kështu me lejen e Burgjeve, Beleri lë burgun nesër për tu kthyer ditën e shtunë sërish në burgun e Fierit.
Leja shpërblyese
Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën “dh” të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme./ S.M