Të ndihesh i tradhtuar është e dhimbshme për këdo, për aq kohë sa të ndjerit i/e tradhtuar na lëkund egon tonë dhe forcon zhgënjimin nga marrëdhëniet tona me botën e jashtme.
Çfarë nënkuptojmë me tradhti, pse njerëzit tradhtojnë? Tradhtojnë më shumë meshkujt apo femrat? Kush është më e rëndë, tradhtia mendore apo ajo fizike? Apo të dyja së bashku? A mund të konsiderohet tradhtia si një prirje njerëzore apo janë shtysat e jashtme që ndikojnë marrëdhëniet tona? Pyetje e dilema që kanë mbizotëruar gjithnjë debatet televizive, faqet e revistave apo punimet dhe artikujt e psikologëve në mbarë botën.
Të zbulosh se partneri të ka tradhtuar është cilësuar nga specialistët si një eksperiencë mjaft dramatike, e krahasuar me një ngjarje traumatike, duke u nisur nga simptomat e rënda që pëson partneri. Ndjesitë e provuara janë të shumëllojshme. Emocione që variojnë nga urrejtja ekstreme në turp, nga trishtimi në simptoma të ankthit, dëshirë për hakmarrje, sjellje ekstreme të ngjashme me ato të çrregullimeve te stresit pas traumatik. Nje fenomen i tillë konsiderohet nga psikologët si shkatërruese për partnerin e tradhtuar i cili lëkund menjëherë perceptimin e tij për veten, të marrëdhënies në çift dhe të partnerit që e tradhton.
Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme të psikologëve se pse lind tradhtia dhe arsyeve që mund të çojnë në tradhti, efekti i ketij fenomeni është plotësisht jo i shëndetshëm për individin që dashuron dhe kjo është provuar nga eksperiencat njerëzore.
Arsyet e tradhtisë në çift
Realiteti ka treguar se nëse jemi vënë përballë një ngjarjeje ku dikush është tradhtuar nga partneri, prirja jonë është të fajësojë atë që tradhëton duke mos analizuar aspak arsyet e kësaj tradhëtie. Ndërkaq, psikologë e specialistë të marrëdhënieve në cift janë munduar ti japin kuptim fenomenit te tradhtisë me doza më pozitive nga ajo çka jemi mësuar të degjojmë rëndomë.
Një mashkull apo një femër tenton të kryej një tradhti kur ai/ajo nuk gjen më në raport atë për të cilën ka nevojë. Nuk duhet që në një situatë të tillë të cilësojme se kush është viktima e pafajshme dhe kush fajtori apo tradhtari. Individi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të kërkojë në vazhdimësi vetpërmbushjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës dhe nëse kjo nuk arrihet nga bashkëjetesa në çift, individi priret ta kërkojë atë në një partner tjetër.
Një nga psikoterapistët italian më të njohur të problemeve në çift, Willy Pasini nuk e konsideron tradhtinë në çift si fundin e një marrëdhënie. Partneri ne vetvete nuk ka për qëllim prishjen e raportit. Nëse kjo vjen, duhet shpjeguar si pasojë e mospërmbushjes se unit tonë nga ekzistenca e këtij raporti aktual. Sipas tij, në ditët e sotme fenomeni i tradhtisë është rritur e megjithatë sot diskutohet edhe më shumë se më parë në lidhje me këtë fakt. Sot, çdokush ka të drejtë të shpreh atë cfarë ndjen, dhe askush nuk mund të gjykohet për devijimet që mund ti bëhen marrëdhënies tashmë të stabilizuar. Si meshkujt edhe femrat janë të lira të manifestojnë hapur ndjenjat për një partner tjetër. Nëse do duhet ti japim arsye origjinës se kësaj tradhtie sipas Willy Pasini ka një ndryshim të madh midis dy gjinive. Femra është në kërkim të stabilizimit të ndjenjave të saj ndërsa mashkulli në kërkim të plotësimit të epsheve seksuale. Njeriu kryesisht gjatë mesit të jetës së tij, gjatë moshës 30-40 vjeçare, është në proces zhvillimi psikologjik dhe i jep rëndësi sukseseve të veta personale ku këtu përfshihet edhe dëshira për vetkënaqje në aspektin emocional dhe seksual. Zhvillimi i jetës moderne i jep arsye edhe efekteve të ndryshme sociale që ndikojnë në fenomenin e tradhtisë.
Aktiviteti i jetës sot është shumë dinamik dhe padashur partnerët me kalimin e kohës injorojnë kujdesin që i duhet treguar marrëdhënies së tyre duke u marr me probleme e zgjidhjen e gjërave rutinë të jetës. Mungesa e komunikimit,e vëmendjes dhe kujdesit ndaj dashurisë sjell tradhtinë ndaj njeriut që dashurojmë. Humbja e ndjenjës së dashurisë për partnerin nuk do të thotë se dashuria apo respekti për të zbehet. Por një jetë e jetuar sëbashku sjell humbjen e pasionit dhe qënia njerëzore është në kërkim të eksitimit fillestar të cilin e kërkon jashtë çiftit. Sipas psikoterapistit Willy Pasini, tradhtia nuk mund të konsiderohet si e shëndetshme por sigurisht si një proces normal që ndodh në jetën e një njeriu i cili kërkon të gjej ekuilibrin në marrëdhënie, lumturine e brëndshme dhe kur kjo nuk funksionon më në cift, kërkohët diku gjetkë.
E megjithatë, ai nënvizon se tendenca e tradhtisë, së pari është biologjike. Insitikti ynë johuman është brenda nesh ndërsa besnikëria është më tepër një model kulturor, i mësuar nga normat dhe rregullat e shoqërisë. Është arsyeja jonë ajo që na thotë se nuk duhet të tradhtojmë sepse kjo është më mirë për familjet tona, për fëmijët tanë dhe për shoqërinë në tërësi. Qenia njerëzore nga tërheqja fizike midis gjinive është cilësuar si poligame dhe kjo është e vërtetuar ndër shekuj nga insitiktet kafshërore që njeriu ka trashëguar. Nëse bazohemi vetëm në këtë fakt se pse njerëzit tradhtojnë në dashuri atëherë na mbetet të mendojmë se nuk tradhtojmë me mendje, dhe as me emocione apo ndjenja. Të ndjesh pulsione apo epshe humane nuk mund të konsiderohet tradhti, përndryshe do të ishim të gjithë tradhtar, poligamë, apo të afërt me sjelljet e qenieve johumane. Tradhtia e vërtetë në çift vë në rrezik projektet e jetës së përbashkët të cilat vijnë si rezultat i mungesës së sinqeritetit, mungesës se komunikimit, të qenit egoist, jo empatik dhe të ashpër. Këto faktorë social dhe ndërpersonal përgatisin terrenin e duhur për një tradhti të vërtetë dhe destruktive./E.Ç