Kuvend
4 mln lekë pagë për të qenë prezent dhe të ngresh kartonin
Luksi i të qenit deputet është të mos bësh asnjëgjë dhe të marrësh 4 milione lek në fund të muajit. Duke përjashtuar deputetët aktiv në Parlamentin Shqiptar dhe në zonë, shumë prej depuetëtve marrin rrogën kot duke ngritur kartonët.
Të jesh deputetet në Kuvendin e Shqipërisë është luks. Për katër ditë pune në javë, ligjvënësit shqiptar marrin më shumë se 4 milionë lekë në muaj. Nuk ka nevojë të jesh aktiv për të marrë rrogën. Mund të heshtësh në komisionet parlamentare dhe të ngresh një karton në miratimin e ligjeve në seancat parlamenatre. Gjithësesi deputetëve ju krijohen benefite sa mund ta marrin rrogën edhe qyl, duke përjashtuar deputetët që njihen për aktivizimin e punëve në Parlament. Gjithësesi, fati më i madh është i atyre të ardhur rishtaz që partia ju bëri dhuratë një mandat deputeti, për të siguruar një pension të mirë në moshën e tretë. Dyfishimi që deputetët i bënë rrogave të tyre, duke e çuar pagën bruto në 310 mijë lekë, e kombinuar edhe me dietat që marrin në Kuvend, bën që në fund të muajit ligjvënësit e Shqipërisë të kenë në llogaritë e tyre bankare mbi 4 milionë lekë, pas taksave. Mjafton që deputetët të jenë present ato tre orë në komisonet parlamentare apo në seancat plenare. Përjashto deputetët aktivë nga ana e opozitës dhe mazhorancës, pjesa tjetër që qëndron në hije merr në fund të muajit rreth 4 milionë lek të vjetra.
Benefitet e deputetëve
Duke ju referuar pasqyrës financiare të muajit qershor, ku janë publikuar si rrogat, ashtu edhe dietat e deputetëve, rezulton se një pjesë e mirë e tyre marrin më shumë shpërblime për telefonat, karburantin, hotelin dhe vizitat brenda e jashtë vendit, se sa rrogë për punën e tyre në komisione dhe seancë plenare. Deputetja e PS-së në qarkun e Fierit, Antoneta Dhima rezulton se në qershor ka marrë një rrogë neto 215 mijë lekë, ndërkohë që përfitimet e tjera (neto) kapin shifrën 254 mijë lekë, duke e çuar totalin në 465 mijë lekë.
Deputeti socialist i Korçës, Ilirjan Pendavinji ka marrë në qershor 225 mijë lekë rrogë pas taksave, ndërsa përfitime të tjera nga dietat 256 mijë lekë, në total 481 mijë lekë. Nuk mbetet pas edhe Fadil Nasufi, deputeti socialist i Beratit që ka marrë 225 mijë lekë rrogë dhe 240 mijë lekë dieta. Nuk mbeten mbrapa edhe deputetët demokratë. Lindita Metalia raportohet se ka marrë në qershor rrogën fikse pas taksave 225 mijë lekë, ndërsa dietat e përfituara kanë qenë 220 mijë lekë, në total 445 mijë lekë. Sorina Koti, deputetja demokrate e Korçës, përveç rrogës 225 mijë lekë, ka marrë gjithashtu edhe 239 mijë lekë dieta, ndërsa Greta Bardeli përveç rrogës 225 mijë lekë, raportohet të ketë marrë në llogarinë e saj bankare edhe 256 mijë lekë dieta.
Gjobat ndaj deputetëve
Ligjvënësit janë penalizuar me heqje të pagës nga 10 deri në 60 mijë lekë për mungesë të pjesëmarrjes në seancë plenare apo në komisione. Gjatë muajit korrik, mazhoranca ka numrin më të lartë të deputetëve të penalizuar, ku 15 prej tyre kanë munguar. Blendi Klosi, Eduard Shalsi, Pandeli Majko janë disa prej ligjvënësve socialistë të cilëve i janë hequr rreth 10 mijë lekë nga paga. Ndërsa gjobën më të lartë në radhët e së majtëve e kanë marrë Plarent Ndreca dhe Paulin Sterkaj me 30 mijë lekë gjobë. Rekordi për penalitetin më të lartë në pagë e mban opozita. Deputetja Oriola Nebiaj ka sërish shifrën më të lartë të mbajtjes së pagës me rreth 60 mijë lekë vetëm për muajin korrik. Deputetja Andia Ulliri është dënuar me një gjobë prej 51 mijë lekësh, ndërsa Enekelejd Alibeaj vjen pas tyre me penalitetin prej 40 mijë lekësh. Janë 13 deputetë në radhët e së djathtëve, të cilët kanë marrë dhe gjoba më të vogla si 10 deri në 30 mijë lekë heqje të pagës. Aktualisht deputetët e parlamentit paguhen 310 mijë lekë në muaj, pagë e cila u dyfishua në mars të vitit që lamë pas me vetë votat e tyre. Deri para një viti paga e deputetit rezultonte 156 770, ndërkohë që u rrit në 310 mijë lekë. Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit shkoi rreth 395 mijë lekë kurse e ministrave në rreth 318 mijë lekë bruto. Pikërisht në maj të vitit të kaluar Parlamenti votoi për rritjen e pagave për deputetët, ministrat, presidentin, kryeministrin dhe punonjësit e administratës publike. Sipas ligjit, që kaloi në Parlament, paga e deputetëve u dyfishua nga 156.770 lekë në 310.250 lekë (2.820 euro), ndërsa e ministrave nga 174.760 lekë në 318.750 lekë bruto (2.897 euro). Kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit, pagat iu bënë thuajse 400.000 lekë (3.636 euro) nga 228.000 lekë. Paga e presidentit shkoi në 425 mijë lekë (3.863 euro) nga 257 mijë lekë. Bashkë me pagat u rritën edhe shpërblimet duke përfshirë rimbursimin e karburantit, qirasë dhe telefonit. Ndërkaq, shpërblimet nuk janë unifikuar, e për rrjedhojë, ndahen sipas aktivitetit të secilit deputet dhe sot disa prej tyre marrin deri në 385 mijë lekë çdo muaj. Pasqyra financiare tregoi se listëpagesa kapi vlerën e 57.6 mln lekëve, të hedhura në llogaritë bankare të anëtarëve në parlament. Nga borderorja e muajit të fundit të ekzekutuar tashmë, del se të ardhurat mesatare të deputetit në parlament arrijnë në 440 mijë lekë, ose 4.4 mln lekë të vjetër. Paga më e lartë në piramidën e shtetit shqiptar aktualisht është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë. Por, të ardhurat mujore për deputetët tejkalojnë të ardhurat e Presidentit, për shkak të dietave të larta, pagesave për karburant, telefon dhe pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Të ardhurat mujore të deputetëve, vetëm nga statuti i deputetit, do të arrijnë deri në 5 milionë lekë të vjetra në muaj.