Nga Leonard Veizi
Gjeneral Dala Kieza ishte bërë fort i njohur edhe në Shqipëri. Për më tepër që jeta e tij ishte përfshirë në disa filma artistik, të cilat shfaqeshin në kinematë dhe televizionin shqiptar, ku në mënyrë propagandistike i tregohej “popullit punonjës” dhe “fshatarësisë kooperativiste” gjithashtu, se në çfarë derexheje kishte përfunduar Italia, vendi kapitalist që kishte rënë në duart e mafies aq sa shteti nuk e kontrollonte dot më. Ish koloneli që kishte luftuar me sukses Brigadat e Kuqe të së majtës ekstreme, të cilat po mbillnin terror, u shfaq në kinematë e kryeqytetit të vendit komunist, nën portretizuar nga i famshmi aktor Lino Ventura, i cili edhe pse italian në origjinë, kishte bërë epokë në kinemanë franceze. Dhe filmi titullohej “100 ditë në Palermo”, ku Dala Kieza, me titullin e merituar të gjeneralit tanimë, kishte marrë një detyrë civile, atë të prefektit në kryeqendrën siçiliane.
Atentati me 30 plumba
“Cosa Nostra” ishte futur në dinamikën e “Luftës së Dytë mafioze”, gjatë së cilës korleonezët po masakronin. të gjithë armiqtë me qëllim që të kishin kontrollin total të “zonës”. Më parë Dala Kieza kishte qenë në komandën e Divizionit “Pastrengo” të Milanos, koordinator i forcave të policisë dhe agjentëve të informacionit për luftën kundër terrorizmit. Përkushtimi i tij ndaj drejtësisë dhe detyrës e bëri atë shembull për të gjithë ata që luftojnë për ligjshmëri dhe drejtësi.
Për Dala Kieza-n “arroganca mafioze duhej të ndalej”, madje shpejt. Mjaftuan pak më shumë se 100 ditë që gjenerali në prefekturën e Palermos t’i jepte zë shpresës së siçilianëve të ndershëm, një shpresë që zgjati shumë pak sepse “Cosa Nostra”, nëpërmjet një atentati makabër i zhyti qytetarët sërish në tmerrin e masakrave dhe dhunës kriminale.
E njohur si “masakra e Via Carinit” ky ishte një sulm i “Cosa Nostra” në të cilin, më 3 shtator 1982, në rrugën Isidoro Carini në Palermo, u vranë prefekti i Palermos Karlo Alberto Dala Kieza, gruaja e tij Emanuela Seti Karraro dhe oficeri i policisë shoqëruese Domeniko Ruso.
Gjenerali Dala Kieza po largohej nga prefektura me një autoveturë të formatit “Autobianchi A112” ngjyrë bezhë, të drejtuar nga gruaja e tij Emanuela Seti Karraro për të darkuar në një restorant në Mondello. A112 pasohej nga një Alfetta e drejtuar nga oficeri i policisë, Domeniko Ruso. Në orën 21:15, ndërsa kalonin nëpër rrugën Isidoro Carini, një motoçikletë tip “Honda CB”, e drejtuar nga Xhuzepe Lukese me Xhuzepe Greko të ulur pas tij, e parakaloi Alfettën, ndërsa Greko e qëlloi atë me një pushkë AK-47. Në të njëjtën kohë një BMW 520, e drejtuar nga Kaloxhero Ganci me Antonino Madonia në vendin e pasagjerit, arriti në krah të “A112” dhe Madonia hapi zjarr kundër makinës me një AK-47. Vrasësit kishin zgjedhur, një armë lufte tip “kallashnikov” për të bërë të heshtte përgjithmonë një zyrtar i guximshëm i shtetit, por që ishte shumë i papërshtatshëm për Cosa Nostra-n,
Dala Kieza dhe gruaja e tij u goditën nga tridhjetë plumba ndërsa makina u përplas në bagazhin e një “Fiat Ritmo” të parkuar anash rrugës. Nga materialet e mbledhura më pas në terren, u vërejt se Gjenerali ishte përpjekur të mbronte gruan me trupin e tij. Greko zbriti nga motoçikleta dhe i erdhi rrotull “A112” teksa kontrollonte rezultatin vdekjeprurës të incidentit. Menjëherë më pas makina dhe motoçikleta e përdorur në krim u çuan në një vend të izoluar dhe u dogjën.
Bashkëshortët Dala Kieza vdiqën menjëherë, ndërsa oficeri Domeniko Ruso vdiq dymbëdhjetë ditë më vonë, më 15 shtator.
“Cento giorni a Palermo”
“100 ditë në Palermo” apo në origjinal “Cento giorni a Palermo” është një filmi i vitit 1984, me regji të Xhuzepe Ferrara, i cili i kushtohet jetës dhe vrasjes së Gjeneralit Karlo Alberto dala Kieza, një figurë kryesore në luftën kundër mafies italiane. Gjenerali Dala Kiesa u caktua si prefekt i Palermos në vitin 1982 për të luftuar Cosa Nostran, por u vra në Palermo pas vetëm 100 ditësh në detyrë, më 3 shtator 1982. Protagonistë të filmit janë Lino Ventura dhe Giuliana De Sio, e cila interpreton bashkëshorten e gjeneralit.
Filmi përqendrohet në 100 ditët e tij të fundit në Palermo, duke dokumentuar përpjekjet e tij për të luftuar mafien dhe pengesat që has nga institucionet shtetërore dhe forcat politike. Filmi përpiqet të portretizojë kompleksitetin e situatës dhe presionin që ai ndiente gjatë kësaj periudhe, duke nxjerrë në pah ndikimin e mafias në shoqërinë italiane dhe brishtësinë e sistemit të drejtësisë.
Boris Xhuliano, kreu i Skuadrës së Lëvizshme të Palermos, u vra në mëngjesin e 21 korrikut 1979 brenda një lokali nga një vrasës i vetëm. Cesare Terranova, gjykatës hetues i gjykatës së Palermos, u vra më 25 shtator 1979, nën shtëpinë e tij, së bashku me Marshallin e Sigurimit Publik Lenin Mankuso. Piersanti Matarela, President i Rajonit sicilian më 6 janar 1980, jashtë shtëpisë së tij, ndërsa ishte në makinë me gruan dhe 2 fëmijët e tij. Gaetano Kosta, gjyqtar në Gjykatën e Palermos, më 6 gusht 1980.
Një “Kube” e përbërë nga sipërmarrës dhe mafioz planifikojnë dhe vendosin për krime të mëdha. Pas vrasjes së Pio La Torre , sekretarit rajonal të PCI dhe bashkëpunëtorit të tij Rosario Di Salvo, shteti dërgon gjeneralin e karabinierëve Karlo Alberto dala Kieza, protagonistin e luftës kundër terrorizmit, në Siçili si Prefekt i ri i Palermos, me detyrën për të luftuar mafian.
Gjenerali merr detyrën në Prefekturë, por menjëherë kupton se situata në Palermo është më delikate se kurrë: askush, duke filluar nga vetë shteti, nuk duket se dëshiron ta ndihmojë, Ardhja e tij në kryeqytetin sicilian shton gjurmët e gjata të krimeve në luftën mafioze.
Pavarësisht kurtheve të vazhdueshme dhe kërcënimeve të shumta me vdekje, gjenerali ecën përpara, i ndihmuar nga shumë pak aleatë, duke përfshirë kapitenin e karabinierëve Fontana, dhe nga gruaja e tij e re Emanuela Seti Karraro, me të cilën ai martohet si një dasmë e dytë në komandë më 12 korrik 1982. I privuar nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe duke u bërë i papërshtatshëm për shumëkënd, pasi i dha një intervistë polemike Xhorxhio Boka- s, gjenerali, së bashku me gruan dhe agjentin e eskortës Domeniko Ruso, ranë në një pritë mafioze më 3 shtator 1982.
“Il generale Dalla Chiesa”
Gjenerali Karlo Alberto dala Kieza përfaqëson një figurë tragjike në historinë italiane, dhe kontributi i tij në luftën kundër mafias dhe terrorizmit ka shërbyer si frymëzim për shumë filma dhe projekte të ndryshme kinematografike. Gjenerali Dala Kieza është një figurë që ka inspiruar disa filma dhe seriale për rolin e tij në luftën kundër terrorizmit dhe mafies në Itali, sidomos për përballjen me Brigadat e Kuqe dhe Cosa Nostra.
“Il generale Dalla Chiesa” i prodhuar në vitin 2007, është një film televiziv italian në dy pjesë, drejtuar nga Xhorxhio Kapitani, që fokusohet në jetën e gjeneralit, përfshirë betejën e tij kundër Brigadave të Kuqe dhe mafias siçiliane. Aktori Xhankarlo Xhanini luan rolin e Karlo Alberto dala Kieza. Ndërsa Françeska Kavalin interpreton rolin e gruas së dytë të gjeneralit, Emanuela Seti Karraro, e cila mbeti e vrarë bashkë me të gjatë atentatit. Teksa gjenerali ishte duke kryet hetimet për rrëmbimin e Aldo Moros nga Brigadat e Kuqe, gruaja e tij e parë Dora, – e cila në këtë film interpretohet nga Stefania Sandrelli, – vdes për shkak të një ataku kardiak.
Pas asgjësimit të Brigadave të Kuqe, që ishin të përhapura në Italinë Qendrore dhe në Italinë Veriore, Dala Kieza kthehet në Palermo, si prefekt. Më parë se kaq, në vitet 1960 ai ishte dërgua në Siçili, ku luftoi Cosa Nostra-n duke hetuar vrasjet e Plaçido Rizoto, masakrat e kryera nga klani Corleonesi dhe zhdukjen e gazetarit Mauro De Mauro.
Miniseriali sjell në tetë vitet e fundit të jetës së tij dhe, me sytë e shërbëtorit të jashtëzakonshëm të shtetit, rishikon faqet e dhimbshme të historisë italiane. Që nga vitet e udhëheqjes kur në vitin 1974 gjenerali Dalla Chiesa u dërgua në Torino për të luftuar kundër terrorizmit, deri në vitin 1982 kur, i emëruar prefekt dhe i transferuar në Palermo, fillon luftën e tij kundër mafies, një luftë e cila vetëm pas 100 ditësh, do ta çojë në vdekjen e tij.
Ishte shteti italian ai që e kishte ndihmuar në luftën kundër ekstremit të kundërshtarëve politik duke i dhënë leje të përdorte të gjitha kompetencat që kishte në dispozicion. Por në luftën ndaj Cosa Nostra-s i dha shumë më pak mbështetje.
“Il nostro generale”
“Rai” i kushton një seri prej tetë episodesh gjeneralit Karlo Alberto dala Kieza i cili u vra nga mafia më 3 shtator 1982 në Palermo. Hulumtimi historik solid dhe i përpiktë është aspekti kryesor i serialit. Drama, me regji të përbashkët nga Luçio Pelegrini dhe Andrea Jublin, demonstroi një punë të madhe kërkimi historik dhe përdorimin e materialeve arkivore të “Rai”-t. Filmi titullohet “Il nostro generale” apo i ardhur në shqip :Gjenerali ynë”
Rolin e gjeneralit e luan Serxho Kastelito. Ndërsa rolin e Emanuela Seti Kararo, që ishte gruaja e dytë e Dala Kieza, është luajtur nga Klaudia Markiori
Në film tregohen dhjetë vitet e fundit të jetës së gjeneralit dalla Kieza, duke filluar nga ditët e tij të fundit në Palermo në 1972 deri në vdekjen e tij në 1982 në kryeqytetin siçilian.
Një gjeneral subjekt për libra
Gjenerali Karlo Alberto dala Kieza ka qenë objekt i shumë librave që përshkruajnë jetën, karrierën dhe përpjekjet e tij kundër mafias dhe terrorizmit, veçanërisht Brigadat e Kuqe. Këto libra ofrojnë një pasqyrë të thellë të jetës dhe veprës së gjeneral Dala Kiesës dhe janë të rëndësishëm për këdo që dëshiron të kuptojë më mirë historinë e tij dhe sfidat me të cilat ai u përball. Më poshtë janë disa nga librat që ofrojnë një vështrim të thellë mbi veprën e tij por dhe që akuzojnë se vrasja e gjeneralit ishte një komplot shtetëror:
“Vdekja e një gjenerali. Carlo Alberto Dalla Chiesa u vra nga një komplot shtetëror mafioz” nga nga Benito Li Vigni.
“Krimi i papërsosur. Gjenerali, mafia, shoqëria italiane” nga Nando Dalla Chiesa.
“Yjet e Dorës. Sfidat e gjeneralit Carlo Alberto Dalla Chiesa” nga Ciaj Rocchi dhe Matteo Demonte.
“Carlo Alberto Dalla Chiesa. Gjenerali i Hekurt” nga Matteo Laudiano dhe Davide Bonfanti
“Gjenerali Dalla Chiesa, terrorizmi, mafia”, nga Vittorio Coco.
“Në Palermo për të vdekur. Njëqind ditët që dënuan gjeneralin Dalla Chiesa”, nga Luciano Mirone.